Marrëveshja për presidentin: Konsensus me shumë pikëpyetje

31 August 2026, 23:37 / KOSOVA ALFA PRESS
Marrëveshja për presidentin: Konsensus me shumë pikëpyetje

Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të shtetit është vlerësuar si zhvillim pozitiv pas një periudhe të gjatë të bllokadës institucionale, por analistët paralajmërojnë se ende nuk ka garanci për zbatimin e saj.

Sejdiu, gjatë prezantimit të tij si kandidat për president më 31 gusht, tha se e ka pranuar kandidaturën duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin ndodhet Kosova.

Vendi mbajti zgjedhje parlamentare në qershor, pikërisht për shkak të moskonsensusit mes partive për kreun e shtetit - të tretat që nga shkurti i vitit 2025.

Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se pas rreth dy vjetësh të bllokimit institucional dhe paralizës politike, arritja e konsensusit mes dy partive për çështjen e presidentit duhet përshëndetur.

Megjithatë, ai thotë se “nuk ka vend për entuziazëm të tepruar”, pasi sipas tij marrëveshja mund të hasë në pengesa në zbatim.

Në anën tjetër, analisti Dritëro Arifi e kritikon mënyrën se si është zhvilluar procesi i negociatave, duke e cilësuar atë si jotransparente.

“I gjithë procesi ka qenë në terr informativ, sikur të ishin dy kompani private duke negociuar për një tender apo për një projekt”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Vlerësimet për Bekim Sejdiun

Sa i përket figurës së Bekim Sejdiut, Maliqi thotë se profili i tij profesional përputhet me përgjegjësitë e presidentit, duke përmendur përvojën e tij në diplomaci dhe drejtësi.

Mirëpo Maliqi vlerëson ka dilemat rreth kandidaturës së Sejdiut për atë se sa do të mund të përballojë betejat politike.

“Nuk dihet nëse ai do të jetë dikush që do të mund përballet me presionet e një pushteti ekzekutiv, i cili ka treguar tendencë dominimi dhe i cili nga të gjitha institucionet kërkon nënshtrim, duke qenë se ai nuk e ka një parti prapa vetes, edhe pse vjen, kushtimisht thënë, nga orbita e LDK-së”.

Ndërkaq, sipas Arifit, përvoja profesionale nuk është e mjaftueshme për të vlerësuar nëse një person është i përshtatshëm për postin e presidentit.

“Bekim Sejdiu mund të jetë njeri i shkëlqyeshëm, akademik i shkëlqyeshëm, por kjo nuk e bën politikan të shkëlqyeshëm”, vlerëson ai.

Arifi thotë se Sejdiu duhet t’i bëjë të qarta publikisht qëndrimet e tij për disa çështje strategjike, përfshirë gazin amerikan, dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Çështja e përfshirjes në projektet rajonale të gazit, që mbështeten nga SHBA-ja, ka qenë kërkesë edhe e partive opozitare dhe e vetë Ambasadës amerikane në Prishtinë. Por, një hap i tillë nuk është ndërmarrë deri më tani nga Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Ndërkaq, vitin e kaluar, SHBA-ja po ashtu pezulloi nisjen e dialogut strategjik, duke u thirrur në “shqetësime” lidhur me “veprimet e Qeverisë” së Kurtit, që “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”.

Dilemat brenda LDK-së

Një prej sfidave kryesore për zgjedhjen e Sejdiut mbeten dallimet brenda LDK-së dhe sigurimi i votave të nevojshme në Kuvend.

Maliqi thotë se çështja e numrave e vendos LDK-në në një pozitë të vështirë dhe se partia mund të detyrohet të kërkojë mbështetje edhe jashtë radhëve të saj.

Por, sipas tij, problemi mund të jetë edhe më i madh se sigurimi i votave.

“Problemin më të madh nuk e shoh te numrat sa e shoh të mundësia e zhvlerësimit të procesit nga Gjykata Kushtetuese, meqë për momentin me këtë Kuvend jemi në një situatë të paqartë juridike”, vlerëson Maliqi.

Ky qëndrimi i Maliqit është referencë për afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Në një aktgjykim vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese tha se organi ligjvënës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga data e certifikimit të rezultateve. Ky afat tashmë është tejkaluar, por LVV-ja e Kurtit thotë se ka afat 30 ditë nga 6 gushti – kur nisi seanca konstituive.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, kanë argumentuar se afati kushtetues është shkelur.

Dritëro Arifi, ndërkaq, thotë se dallimet brenda LDK-së mund të paraqesin problem serioz për marrëveshjen, sidomos për deputetët që kanë qenë kritikë ndaj Qeverisë së Albin Kurtit të LVV-së.

“Është arritur një marrëveshje vetëm për të akomoduar një zyrë një person dhe për t’ia vazhduar qeverisjen Kurtit, pa asnjë qëndrim politik dhe institucional të LDK-së”, vlerëson ai.

A shkohet në zgjedhje nëse Sejdiu dështon të bëhet president?

Nëse Bekim Sejdiu, për të cilin u dakorduan LVV dhe LDK nuk arrin të zgjidhet president në tri rundet e votimit, ashtu si edhe kundërkandidati i tij, cilido që të jetë, Kushtetuta e Kosovës parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Maliqi vlerëson se në një skenar të tillë zgjedhjet e parakohshme do të ishin të pashmangshme.

“Kam përshtypjen se në këtë skenar zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme”, thotë ai.

Arifi, ndërkaq, paralajmëron se dështimi i zgjedhjes së presidentit do ta ndërlikonte edhe më shumë gjendjen institucionale të Kosovës.

“Kosova është jashtëzakonisht jashtë çdo ekuacioni diplomatik”, thotë Arifi.

LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Për zgjedhjen e presidentit, megjithatë, kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 ulëse.

Nëse LVV-së i shtohen 18 deputetët e LDK-së, numri arrin në të paktën 81 vota. Kjo do të ishte e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, me kusht që të paktën 80 deputetë të jenë të pranishëm gjatë votimit.

Megjithatë, deri më tani, një deputet i LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, publikisht ka dalë kundër kandidaturës së Sejdiut.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca më herët kanë shprehur qëndrimin e tyre se do të qëndrojnë në opozitë. Kjo e dyta, ka paraqitur gjashtë pika, të cilat nëse LVV-ja i plotëson, atëherë ajo do të japë shtatë votat e saj për formimin e institucioneve.

Emri i Sejdiut, si kandidat i përbashkët i LVV-së dhe LDK-së, erdhi pas disa rundesh të bisedimeve mes dy partive, fillimisht për bashkëqeverisje – të cilat dështuan – dhe më pas negociatave që u përqendruan vetëm te çështja e presidentit.

Nëse Sejdiu do të marrë mbështetjen e mjaftueshme të deputetëve, ai do të bëhet presidenti i gjashtë i Kosovës./ REL.

Po ndodh...