Detaje nga aksioni i SPAK/ Pas Ron Yeffet, kontrolle dhe në banesën e Ardi Veliut, Arjeta Pucës dhe Ministrinë e Mbrojtjes!

2 October 2026, 14:35 / AKTUALITET ALFA PRESS

Detaje nga aksioni i SPAK/ Pas Ron Yeffet, kontrolle dhe në banesën e

Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet në periferi të Tiranës.

Kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes drejtuar nga Ermal Nufi, ku janë sekuestruar një sërë dokumentesh lidhur me praktikën e tenderëve.

Media Syri shkruan se kontrolle ka patur edhe tek banesa e Ardi Veliut, drejtorit  të KAYO dhe Arjeta Pucës, pronare e kompanisë TIMAK.

Ndërhyrjet janë zhvilluar në kuadër të hetimeve që lidhen me disa akuza dhe audopërgjime të bëra publike nga ish-zv kryeministri Arben Ahmetaj në lidhje me trafikun e armëve.

Çfarë deklaroi Arben Ahmetaj 

“Është vetëshpjeguese. Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe jo në kuadër të marrëveshjes, në sytë e NATO-s, që ka Shqipëria me Ukrainën. Jo. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që do paketohen në Shqipëri, ose që paketohen në Shqipëri, dhe që pastaj marrin rrugën... Jemi duke folur për trafik të pastër armësh”, deklaroi Ahmetaj.

Bëhet fjalë për një material përgjimi rreth 3 orë në Monako, ku amerikano-izraeliti, Ron Yeffet është një prej personave kryesorë të përmendur.

 Në biseda, sipas materialit të publikuar nga Ahmetaj, Yeffet komunikon me persona të tjerë për kompani, tenderë, pajisje ushtarake. Gjithashtu, sipas Ahmetaj, bisedat tregojnë marrëdhëniet me institucionet shqiptare dhe ato të vendeve të tjera dhe rolin që kanë pasur.

Në një prej sekuencave të publikuara, Ahmetaj ka veçuar një bisedë ku, sipas tij, diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri./syri

Po ndodh...