Dhunohet drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, dy fraktura në kokë/ Nga konflikti për punësimin te hetimet e BKH për tenderat e Suel Çelës

10 September 2026, 10:41 / AKTUALITET ALFA PRESS
Dhunohet drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, dy fraktura

Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, është dhunuar në mes të qytetit, në një ngjarje të ndodhur rreth orës 10:45 të mëngjesit të së dielës, 6 shtator.

Sipas të dhënave paraprake, Tabaku dyshohet se është sulmuar nga dy persona, të identifikuar si Endri Çopja dhe Horgito Peqini. Gjatë përplasjes dyshohet se janë përdorur edhe sende të forta. Nga të dhënat e kartelës mjekësore rezulton se Tabaku ka pësuar dy fraktura në kokë.

Pavarësisht dëmtimeve, i plagosuri ka zgjedhur të mos depozitojë kallëzim në Policinë e Elbasanit. Megjithatë, uniformat blu kanë nisur hetimet me iniciativë, pasi ngjarja ka ndodhur në një zonë të frekuentuar dhe dyshohet se ka pasur disa dëshmitarë.

Burimet bëjnë me dije se po verifikohen rrethanat e plota të konfliktit, ndërsa një prej pistave të hetimit lidhet me një çështje punësimi.

Sipas dyshimeve paraprake, Luan Tabaku kishte marrë më herët një vendim për largimin nga puna në Bashkinë e Elbasanit të bashkëshortes së Endri Çopjas. Ky vendim dyshohet se mund të ketë qenë shkaku që ka sjellë përplasjen mes palëve.

Dy të dyshuarit, me precedentë penalë

Ngjarja merr një tjetër peshë edhe për shkak të të shkuarës së dy personave që dyshohet se kanë sulmuar drejtuesin e Ujësjellësit.

Endri Çopja është arrestuar më herët nga policia, nën dyshimin për përfshirje në atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, ngjarje e ndodhur më 13 janar 2018 në Shkodër. Megjithatë, ai u lirua pasi nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ta mbajtur të arrestuar.

Ndërkohë, Horgito Peqini, nipi i Eduart Peqinit, i njohur si “Mandela i Elbasanit”, ishte liruar nga burgu vetëm pak kohë më parë, pasi kishte vuajtur dënim për një vrasje të ndodhur në vitin 2022.

Në hetim edhe aktiviteti i Tabakut

Edhe vetë Luan Tabaku është një emër i njohur në Elbasan. Ai është përfolur prej kohësh për lidhje të afërta me Suel Çelën.

Në prill të vitit 2025, Tabakut iu ushtruan kontrolle nga agjentët e BKH-së dhe efektivë të Policisë së Shtetit. Disa muaj më vonë, ai u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të verifikimeve ku dyshohej se kishte favorizuar Suel Çelën në tendera publikë.

Deri në këto momente, për dhunimin e ndodhur më 6 shtator nuk raportohet të ketë persona të ndaluar. Policia vijon hetimet për të dokumentuar dinamikën e konfliktit, motivin dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

Po ndodh...

ide