E dënuar me 4 vite burg, Gjykata e Tiranës pranon kërkesën për ekstradimin e Julide Yazici drejt Turqisë

21 October 2026, 16:52 / AKTUALITET ALFA PRESS
E dënuar me 4 vite burg, Gjykata e Tiranës pranon kërkesën

Gjykata e Tiranës ka vendosur pranimin e kërkesës së autoriteteve turke për ekstradimin e 32-vjeçares Julide Yazici, e cila u arrestua më parë në Shqipëri mbi dyshimet për lidhje me një organizatë të konsideruar terroriste nga Ankaraja zyrtare.

Vendimi, i marrë nga gjyqtari Kujtim Vraniçi, vjen dy muaj pasi Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg” për shtetasen turke, e cila rezultonte e shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas të dhënave të bëra publike, Yazici ka përfituar më parë azil politik në Francë. Pavarësisht statusit të saj mbrojtës në vendin Evropian, drejtësia turke e ngarkon atë me akuzat për pjesëmarrje dhe dhënie ndihme logjistike për një organizatë të ndaluar.

Dosja e autoriteteve turke specifikon se 32-vjeçarja ishte shpallur në kërkim për përfshirjen e saj të dyshuar në protesta për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kurde, të zhvilluara disa vite më parë në Turqi. Gjithashtu, autoritetet pretendojnë se gjatë kontrolleve në një banesë në Stamboll janë sekuestruar prova materialo-dokumentuese që lidhen me hetimin.

 

Për këto akuzat, Julide Yazici është dënuar më parë në mungesë nga drejtësia turke me 4 vite burgim.

 

Po ndodh...