Zef Preçi: Dorëheqja e Ramës hap rrugën e normalizimit demokratik! Mjeti më i ligjshëm politik dhe institucional për të rikthyer llogaridhënien dhe hapësirë hetimeve të pavarura

Përjashtimi social si shkak themelor i protestës
Shqetësimi për stabilitetin shoqëror nuk duhet të fillojë me pyetjen se kur njerëzit do të dalin në rrugë, por me pyetjen se përse ata mund të mos ndihen më pjesë e vendit të tyre. Teza e këtij komenti është se përjashtimi social bëhet politikisht shpërthyes kur mungesat materiale bashkohen me përjetimin e padrejtësisë dhe bindjen se institucionet nuk dëgjojnë.
Përtej varfërisë
Përjashtimi social nuk është sinonim i varfërisë: ai përfshin pengesat ndaj pjesëmarrjes në jetën ekonomike, shoqërore dhe politike, përfshirë aksesin në të drejta, shërbime dhe vendimmarrje (OKB). Për Shqipërinë, kjo kërkon ta zhvendosim vështrimin nga pyetja “sa të ardhura ka familja?” edhe te pyetjet “a mund të kurohet, të arsimohet dhe të ndikojë në vendimet që e prekin?”.
Treguesi AROPE mat popullsinë në rrezik varfërie ose përjashtimi social, pra përqindjen e njerëzve që ndodhen në të paktën një nga tri situatat e mëposhtme: a) në rrezik varfërie; b) në privim të rëndë material dhe social; c) në intensitet shumë të ulët punësimi. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se të gjithë janë njëkohësisht në varfëri, privim dhe papunësi. Sipas anketës së INSTAT për vitin 2025, publikuar një javë më parë, 39,4% e popullsisë ishte në rrezik varfërie ose përjashtimi social, kundrejt 43,9% në vitin 2021; privimi i thelluar material dhe social ishte 31,2%, ndërsa varfëria relative zbriti në 19,0%, nga 22,0% në vitin 2021 (INSTAT). Përmirësimi duhet pranuar, por duhen pranuar edhe ngecja dhe përmasa shqetësuese e problemit: treguesi i parë përfshin të paktën një nga tri gjendjet – varfërinë relative, privimin e thelluar ose intensitetin shumë të ulët të punësimit – dhe nuk do të thotë se katër në dhjetë banorë janë të varfër sipas të ardhurave (INSTAT).
Kontrolli i oligarkisë mbi burimet: si janë mbyllur mundësitë
Përjashtimi nuk duhet trajtuar vetëm si pasojë e mungesës së burimeve, por edhe e kontrollit të tyre. Banka Botërore e përshkruan kapjen nga elitat si përvetësim të burimeve nga grupe ekonomikisht ose politikisht të fuqishme në dëm të grupeve me më pak ndikim; kapja e shtetit shkon më tej, duke manipuluar politikat ose zbatimin e tyre për përfitimin e një pakice.
Mekanizmi kalon përmes aksesit të privilegjuar në tokë, kredi, licenca e kontrata publike dhe përmes rregullave që i mbrojnë të lidhurit politikisht nga konkurrenca (Banka Botërore). Kur këto privilegje shoqërohen me kontroll mbi emërimet, mediat dhe institucionet mbikëqyrëse, humbjet nuk janë vetëm ekonomike: dobësohen shërbimet publike dhe zëri i grupeve më pak të fuqishme. Në këtë kuptim, problemi nuk është vetëm pabarazia e pasurisë, por pabarazia e mundësive për të konkurruar, për t’u shërbyer dhe për t’u dëgjuar. Për periudhën 2016–2025, vlerësimet e FMN-së e vendosin totalin e shpenzimeve tatimore në Shqipëri në rreth 4,8% të PBB-së, ku pjesa më e madhe lidhet me TVSH-në. Kjo nënkupton një rend madhësie prej rreth 800 milione –1 miliardë Euro në vit gjatë viteve të fundit dhe afërsisht 7–9 miliardë Euro për periudhën 2016–2025, për të gjitha përjashtimet dhe lehtësitë tatimore së bashku. Gjatë së njëjtës periudhë, përjashtimet dhe lehtësitë tatimore, të aplikuara në mënyrë selektive dhe pa transparencë të mjaftueshme, kanë deformuar konkurrencën ne tregje dhe kanë krijuar kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Subjektet përfituese, përfshirë edhe anëtarë të qeverisë Rama, disa prej të cilëve janë aktualisht nën hetim nga SPAK, kanë marrë avantazhe fiskale, administrative ose në aksesin në tokë dhe pasuri publike, në krahasim me bizneset që veprojnë sipas rregullave të zakonshme të tregut. Ndërkohë, dobësitë në sistemin e pronës, në regjistrat kadastralë dhe në mbikëqyrjen e kontratave publike jo vetëm kanë cenuar të drejtat e pronarëve, përfshirë komunitetet rurale (p.sh. përmes “Paketës së Maleve”), por kanë krijuar edhe kushte për pastrimin e lehtë të parave nga segmente të krimit të organizuar, për pasurimin e paligjshëm të zyrtarëve dhe për financimin e paligjshëm të partive politike, pa përmendur tjetërsimin e paligjshëm dhe arbitrar të pronës – raste, disa prej të cilave janë nën hetim nga institucionet kompetente vendase dhe të huaja.
Kur të drejtat nuk kthehen në mundësi
Shëndetësia e bën konkret dallimin mes së drejtës dhe mundësisë reale. Në të dhënat e Eurostat me referencë vitin 2022, 15,2% e popullsisë shqiptare 16 vjeç e lart raportonte nevoja të paplotësuara për ekzaminim ose trajtim mjekësor për çfarëdo arsyeje, ndërsa 10,2% për arsye kostoje, largësie ose listash pritjeje. Pengesa financiare ishte veçanërisht e pabarabartë: nevoja të paplotësuara për shkak të kostos raportonte 14,1% e grupit me të ardhurat më të ulëta, kundrejt 3,2% të grupit me të ardhurat më të larta (Eurostat, figura 3). Këto shifra nuk duhen paraqitur si matje të vitit 2026; megjithatë, ato ilustrojnë pse mbulimi ligjor nuk mjafton për të garantuar trajtimin. Pagesat nga xhepi përbëjnë pothuajse gjysmën e të gjitha shpenzimeve shëndetësore – një nivel shumë i lartë, që i ekspozon familjet ndaj rrezikut të varfërimit kur përballen me sëmundje ose trajtim afatgjatë. Sipas të dhënave zyrtare, të llogaritura me kursin e këmbimit të vitit përkatës, shpenzimet e popullsisë nga xhepi për shëndetësinë janë rritur nga rreth 400 milionë euro në vitin 2015 në rreth 800 milionë euro në vitin 2023 (viti i fundit për të cilin ka të dhëna zyrtare), në një kohë kur popullsia është zvogëluar me të paktën 5% gjatë së njëjtës periudhë.
Edhe arsimi duhet gjykuar nga mundësitë që hap, jo vetëm nga regjistrimet. Për vitin 2024, Fondacioni Evropian i Trajnimit raporton 15,4% largim të hershëm nga arsimi dhe formimi për grupmoshën 18–24 vjeç dhe 22,2% të të rinjve 15–29 vjeç jashtë punësimit, arsimit ose formimit; raporti identifikon pengesa të veçanta për të rinjtë ruralë, romë dhe me prejardhje të pafavorizuar (ETF). Këta janë tregues të ndryshëm, jo përqindje që duhen mbledhur, dhe nuk provojnë vetvetiu prirje për protestë; në vlerësimin tim, rëndësia e tyre është se tregojnë ku premtimi i mobilitetit shoqëror mbetet i pambështetur.
Shërbimet publike kërkojnë gjithashtu vlerësim përtej numrit të aplikimeve elektronike. OECD/SIGMA evidenton se, në vlerësimin e vitit 2024, 95% e shërbimeve administrative të qeverisjes qendrore ofroheshin vetëm në formë digjitale dhe ngre shqetësime për aksesin e personave me aftësi të kufizuara digjitale; në anketë, 35% e të pyeturve e konsideronin të vështirë ose shumë të vështirë përdorimin e faqeve dhe aplikacioneve për të kërkuar shërbime (OECD/SIGMA). Ndërkohë, dokumenti programor i UNDP regjistron për vitin 2025 vetëm 38 bashki që ofronin shërbime sociale vendore për të paktën tri kategori në rrezik (UNDP). Modernizimi duhet vlerësuar edhe nga qytetari që arrin të shërbehet pa ndërmjetës, jo vetëm nga shërbimi i vendosur në internet.
Përjashtimi nga trajtimi i barabartë dhe nga zëri publik
Përjashtimi ka edhe dimensionin e dinjitetit. Anketa përfaqësuese kombëtare “Besimi në qeverisje 2023”, me 2.500 të anketuar, gjeti se 14,3% raportonin trajtim të ndryshëm për shkak të gjinisë, moshës, përkatësisë etnike, orientimit seksual ose aftësisë së kufizuar; ky është vetëraportim, jo numër rastesh diskriminimi të provuara juridikisht (IDM). Pikërisht për këtë arsye, do të ishte gabim që matja e diskriminimit të kufizohej te ankesat administrative apo te rastet e trajtuara në platformën partiake të bashkëqeverisjes: duhet matur edhe përvoja e qytetarëve dhe gatishmëria e tyre për të kërkuar mbrojtje.
Në anketën SIGMA të vitit 2024, vetëm 24% pajtoheshin se qeveria konsulton dhe përfshin sektorin privat e shoqërinë civile gjatë hartimit të ligjeve ose politikave; kjo mat perceptimin e përfshirjes, jo pjesëmarrjen faktike në konsultime (OECD/SIGMA). Raporti i mekanizmit të pavarur të Partneritetit për Qeverisje të Hapur për periudhën 2023–2025 njeh përmirësime procedurale, por evidenton konsultime kryesisht formale dhe përfshirje të kufizuar kuptimplote (OGP). Për mendimin tim, konsultimi humbet funksionin demokratik kur qytetari ftohet të flasë, por nuk mund të kuptojë nëse fjala e tij ndryshoi diçka. Rastet e “investimeve strategjike” që bazohen në grabitjen “me ligj” të pronës private e publike, si në Baks-Rrjoll, Zvërnec etj., e ilustrojnë më së miri këtë dështim në zbatimin e ligjit nga qeveria dhe nga kryeministri Rama.
Nga pakënaqësia te protesta
Studime të ndryshme sociale dhe ekonomike mbi protestën tregojnë se vështirësitë vetvetiu nuk mjaftojnë: mobilizimi lidhet me padrejtësinë e perceptuar, identitetin e përbashkët, rrjetet shoqërore dhe besimin se veprimi kolektiv mund të ndikojë. Po ashtu, studimet shpjegojnë pse njerëzit e pakënaqur nuk mobilizohen domosdoshmërisht: burimet, mundësitë dhe aftësia për të marrë pjesë kanë rëndësi vendimtare.
Në fakt, leximi im për Shqipërinë e javës së fundit nuk është se këta tregues parashikojnë një revoltë. Mendoj se ndodhemi në një situatë ku përjashtimi i tejzgjatur ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë pakënaqësinë, sidomos tani që qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe e lidhin përvojën personale me një padrejtësi të përbashkët. Kur burimet publike shpërndahen nga qeveria sipas lidhjeve klienteliste dhe jo sipas të drejtave, përjashtimi përjetohet si mohim i barazisë. Ka tregues të mjaftueshëm – siç dëshmojnë edhe hetimet në proces të SPAK – për një qeverisje të ndërthurur oligarki–politikë–krim, e cila kërkon marrjen e përgjegjësisë politike nga kryeministri Rama dhe maxhoranca e tij.
Qeverisja e mirë nuk provohet nga mungesa e protestës, as nga shtypja e saj, por nga aftësia për ta dëgjuar qytetarin përpara se rruga t’i duket e vetmja derë e hapur. Kur shërbimet nuk arrijnë te ata që kanë më shumë nevojë, kur lehtësitë fiskale, toka dhe kontratat publike shpërndahen sipas afërsisë me pushtetin dhe kur konsultimi mbetet formalitet, protesta nuk është shkaku i krizës, por simptoma e saj. Përgjegjësia për këtë gjendje nuk mund t’u kalohet qytetarëve që protestojnë; ajo bie mbi ata që kanë qeverisur. Prandaj, dorëheqja e kryeministrit Rama nuk duhet parë si akt përçarës, por si mjeti më i ligjshëm politik dhe institucional për të rikthyer llogaridhënien, për t’u lënë hapësirë të plotë hetimeve të pavarura dhe për të hapur rrugën e normalizimit demokratik të vendit. Vetëm kështu bindja se rruga është e vetmja derë e hapur mund të zëvendësohet nga besimi se fjala e qytetarit ka peshë.
Po ndodh...
ide
Përpëlitja e Edi Ramës në konfliktin e tij të brendshëm!
Telefonatë nga Washingtoni (Trump këshillon Ramën)
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
