E shkuara e errët e 53-vjeçarit/ Shqiptaren e vrau burri, policia greke jep detajet: Krimi ndodhi brenda banesës. Dy thika…

26 August 2026, 17:10 / AKTUALITET ALFA PRESS
E shkuara e errët e 53-vjeçarit/ Shqiptaren e vrau burri, policia

Detaje të reja janë zbardhur nga policia greke për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Rodopi, ku Esma Meco, 44 vjeçe, nga Gramshi, humbi jetën pasi u godit me thikë brenda banesës së saj.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Helenike, bashkëshorti i saj, Bujar Meço, 53 vjeç, nga Gramshi, është arrestuar si i dyshuar për vrasjen.

Policia bën me dije se mesditën e 26 gushtit, një i afërm gjeti Esma Meço brenda banesës, të plagosur rëndë me një objekt të mprehtë. Gruaja u transportua në Spitalin e Komotinit, por për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë.

Pas hetimeve të para në vendngjarje, policia dyshon se Bujar Meço e ka goditur bashkëshorten me thikë dhe më pas ka plagosur veten. Ai u transportua me ambulancë në spital, ku po trajtohet nën mbikëqyrjen e policisë.

 

Dy thika u gjetën në banesë

Në vendin e ngjarjes, autoritetet greke kanë sekuestruar dy thika, të cilat janë marrë si prova materiale në kuadër të hetimit.

Ndaj Bujar Meco është ngritur çështje penale për vrasje, dhunë në familje dhe shkelje të Ligjit për Armët, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e krimit.

Në vitin 2022 ishte arrestuar për kërcënime ndaj bashkëshortes

Policia greke konfirmon gjithashtu se ngjarja nuk ishte rasti i parë i raportuar i dhunës brenda kësaj familjeje.
Sipas Policisë Helenike, në vitin 2022, në Heraklion të Kretës, Bujar Meço ishte arrestuar në kuadër të procedurave të lidhura me kërcënime në familje ndaj Esma Meços.

Çifti shqiptar, të dy me origjinë nga Gramshi, ishte prind i tre fëmijëve. Hetimi po kryhet nga Departamenti i Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Komotini, ndërsa 53-vjeçari vijon të qëndrojë në spital nën kujdesin e autoriteteve greke.

 

Po ndodh...