I pandehuri Berisha, si një trup që mbahet gjallë me gjilpëra

3 Janar 2025, 23:37 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

I pandehuri Berisha, si një trup që mbahet gjallë me

Sali Berisha është rikthyer në pikën zero. Mashtrimet e tij të 27 nëntorit u treguan edhe njëherë demokratëve se gjithë beteja e tij nuk është për largimin e Edi Ramës nga pushteti, por për zgjidhjen e halleve të tij personale me drejtësinë.

Ai mashtroi demokratët duke pretenduar se problemet e tij me ligjin morën fund me fitoren e Donald Trump dhe lirimin nga arresti shtëpiak. Deklaratat e tij ishin plot pompozitet:
“Piramida e mashtrimit mori sot goditjen më fatale. Sot Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të demokracisë. Sot është dita kur monstrat e demokracisë, Edi Rama dhe George Soros, dështuan përfundimisht. Dështuan në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare. Sakrifica e 330 ditëve, mundi i 3 viteve u shpërblye.”

Disa fanatikë e besuan këtë, sepse do të besonin edhe sikur Berisha t’u thoshte se ishte mesnatë në mes të ditës. Ata që presin emrin në listë nxituan nëpër televizione, duke i bërë jehonë deklaratave të tij absurde. Madje, disa prej tyre, në mënyrë qesharake, aluduan se Berisha do të shpallej kryeministër nga Trump.

Por kjo farsë nuk zgjati shumë. Gjykata vendosi masën e detyrimit për paraqitje ndaj Berishës, duke i kthyer demokratët në realitetin e hidhur. Vendimi i drejtësisë, të cilin përkrahësit e Berishës e quajnë të frymëzuar nga Edi Rama, tregoi qartë se problemet e tij me ligjin janë larg përfundimit. Ata që një muaj më parë festuan “fitoren” e Trump, sot kanë kaluar në akuza ndaj drejtësisë, duke harruar entuziazmin e tyre të përkohshëm.

Vetë Berisha vazhdoi me retorikën e tij kundër drejtësisë;
“Përpjekje e dështuar e organizatës kriminale që quhet skapi i partisë për të justifikuar veprën e tyre dhe në këtë kontekst dëshmi e re e kontrollit të plotë dhe total të skrapit nga Edi Rama, zbatimit të urdhrave të tij politikë.”

Demokratët, të cilët dje u frymëzuan nga gënjeshtrat e tij, janë detyruar sot të kthehen me këmbë në tokë. Mashtrimi i Berishës për fitore ndaj drejtësisë zgjati shumë pak. Ai mbetet një i pandehur për korrupsion, një figurë që zvarritet me Partinë Demokratike si mburojë, duke u përballur dyert e drejtësisë. Ndërkohë, statusi i tij “non grata” në SHBA dhe Britani të Madhe, si dhe refuzimi i Europës, vazhdojnë të mbeten të pandryshuara.

Në realitet, Berisha është një kufomë politike që mbahet në lojë nga gënjeshtrat e tij dhe nga Edi Rama, i cili e përdor si një kundërshtar të dobët për të manipuluar shqiptarët dhe për të shmangur përgjegjësinë për qeverisjen e tij të zhytur në korrupsion. Rama, që qëndron në krye të një qeverie me mandat krimi, është po aq fajtor sa Berisha në këtë farsë politike.

Por për sa kohë do të vazhdojë kjo lojë e stërzgjatur? Shqipëria, demokratët dhe socialistët duhet të mendojnë për të ardhmen e tyre, dhe jo të mbeten peng i një historie politike pa lavdi të Sali Berishës dhe Edi Ramës. Dita e gjykimit është 11 Maji. Tashmë përgjegjësia është e tyre nëse duan ndryshim apo vazhdim të kësaj situate./Alfapress.al

 

Po ndodh...