
Çfarë po e shkakton rënien e euros në Shqipëri?

Përgjatë vitit 2023 monedha vendase u forcua me ritme të shpejta. Sipas të dhënave, forcimi i lekut kulmoi fillimisht në muajin korrik të vitit që lamë pas, ku kursi euro/lek zbriti në mesatarisht 103.2 lekë, me një mbiçmim vjetor të lekut prej 12.1%. Pas dobësimit të lehtë në muajt që pasuan, leku u forcua përsëri në dy muajt e fundit të vitit 2023 teksa kursi euro/lek preku një tjetër nivel të ulët, prej 102.8 lekësh, në muajin dhjetor.
Por cilat kanë qenë arsyet e mbiçmimit të lekut?
“Scan Intel” ka kryer një analizë ku trajton në mënyrë të përmbledhur disa nga arsyet e mundshme. Banka e Shqipërisë ndjek një regjim të lirë të kursit të këmbimit, çka nënkupton se kursi i këmbimit pasqyron raportin mes kërkesës dhe ofertës së valutës. Ky raport diktohet kryesisht nga dinamikat e shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë. Pra, nga analiza e Bankës del se trendi valutor në Shqipëri gjatë vitit 2023 dhe në fillim të vitit 2024, si dhe forcimi i lekut janë ndikuar nga përmirësimi i sektorit të jashtëm. Pra, kjo ka ardhur kryesisht si rjedhojë e rritjes së eksporteve të shërbimeve dhe rritja e vazhdueshme e investimeve të huaja direkte.
Ndikimi i investimeve të huaja direkte
Lë të analizojmë si fillim ecurinë e investimeve të huaja direkte. Sipas të dhënave nga “Banka e Shqipërisë”, Investimet e Huaja Direkte arritën një rekord të ri historik për vitin 2023. Referuar shifrave, ato shënuan vlerën e 1.49 miliardë eurove, në rritje me 8.7%, krahasuar me një vit më parë. Duke marrë në konsideratë që investimet e reja të huaja në përgjithësi vijnë në valutë, kjo ka ndikuar edhe në raportin Euro-Lek.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të katërt të vitit që lamë pas, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 26%. Nga këta, rreth 2/3 rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Në tërësi, pesha e blerësve jorezidentë është rikthyer në rritje pas një ecurie në rënie që prej vitit 2020. Theksojmë se blerja e pasurive të paluajtshme nga të huaj arriti në 1.6 miliardë euro. Të huajt kanë shfaqur interes për pasuritë e paluajtshme, veçanërisht për zonat bregdetare.
Ndikimi i remitancave
Le të flasim për një tjetër faktor, pra për nivelin e remitancave në vitin që lamë pas. Dërgesat e emigrantëve kanë shënuar rekord të ri absolut gjatë vitit të kaluar, prej gati 930 milionë eurosh, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Shifra është edhe më e lartë se viti 2022 dhe viti 2008, kur regjistrohej rekordi i mëparshëm. Rritja e ndjeshme e remitancave në vendin tonë ka nisur që me pandeminë, por është theksuar edhe më shumë me krizën e çmimeve të vitit 2022.
Nëse krahasimin e bëjmë me periudhën para krizës së çmimeve, shohim se emigrantët kanë sjellë në vend të paktën 167 milionë euro më shumë vitin që lamë pas. Pra, mund të konkludojmë se këto flukse valutore hyrëse në ekonomi kanë ndikuar në nënçmimin e monedhës europiane. Vlen të përmendim se remitancat në vlerë kanë qenë financuesi kryesor i bilancit të pagesave.
Ndikimi i turizmit
Nga ana tjetër, mund të analizojmë edhe flukset hyrëse nga turizmi. Duke marrë në konsideratë që viti i kaluar dhe fillimi i vitit aktual rezultuan me sukses, kjo ka sjellë dhe të ardhura më të larta në vitin 2023 deri në masën e 4.2 miliardë eurove. Kursi i këmbimit është një nga treguesit e ndjeshëm ndaj zhvillimeve të lartpërmëndura, po ashtu edhe nga efekti i turizmit në ekonomi.
Pra, nga një përllogaritje e thjeshtë, përmes kanaleve formale të lartpërmendura, në vendin tonë, vitin e kaluar, kanë hyrë mbi 6 miliardë euro, pa përmendur këtu kanalet informale të injektimit të parasë në treg që janë gjithashtu faktor ndikues në raportin e këmbimit të monedhave të huaja kundrejt lekut.
Pra, mund të themi se mbiçmimi i fundit në tregun valutor është pasojë e kërkesë- ofertës, dhe bilanci i pagesave e tregon qartësisht këtë.
Sipas “Bankës së Shqipërisë” ecuria mbiçmuese e monedhës vendase ka reflektuar edhe rritjen e besimit ndaj monedhës sonë kombëtare në tregun valutor. Duke u fokusuar në zhvillimet e vitit 2023, forcimi i kursit të këmbimit duket se është diktuar nga një tepricë e lartë oferte në tregun e brendshëm valutor.
Por çfarë impaktesh ka patur kursi i këmbimit në ekonomi?
Është analizuar edhe më herët impakti që ka patur kjo luhatje e kursit të këmbimit, sidomos për familjet, megjithatë sipas “Bankës së Shqipërisë” ndikimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit në ekonomi ka qenë në tërësi pozitiv. Së pari, ai ka rezultuar në norma më të ulëta inflacioni, një gjë e dukshme kjo si në kontekstin rajonal. Duke patur norma më të ulta inflacioni kemi një rritje më të ngadaltë të normës bazë, duke prodhuar një ndikim më pak negativ në rritjen ekonomike. Së dyti, mbiçmimi i kursit ka ndikuar pozitivisht në forcimin e stabilitetit financiar. Kjo është pasqyruar në përmirësimin e aftësisë paguese të huamarrësve në valutë, çka ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë së bilanceve të sektorit bankar. Së treti, mbiçmimi i monedhës vendase ka reduktuar borxhin e jashtëm të sektorit privat e publik.
Ndikimi i kursit të këmbimit është vënë re edhe në treguesit e depozitave dhe të kredive. Ndikuar nga rënia e euros qytetarët duket se po kursejnë në euro, por kanë marrë kredi në lekë. Ajo që vihet re është sidomos demotivimi i kredive në euro, pasi interesat për kreditë ne euro janë më të larta sesa për ato në lekë.
Në muajin dhjetor, kredia për pasuri të paluajtshme për individët kishte një normë mesatare interesi prej 4.5% për kreditë në lekë, dhe prej 5.2% për kreditë në monedhën Euro. Në krahasim me normat e raportuara në fillim të vitit, të dyja këto norma kanë shënuar rritje por ajo për kreditë për pasuri të paluajtshme në monedhën Euro ishte më e lartë.
Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë përsëri blerjet e Euros në tregun valutor këtë vit. Me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë synon të blejë përmes ankandeve 250-330 milionë euro gjatë vitit 2024. Sipas institucionit janë parashikuar gjithsej 20 ankande që do të zhvillohen mes periudhës shkurt-dhjetor 2024.
Për vitin që lamë pas, kalendari fillestar i ankandeve parashikonte blerje mes shumave të 160 milionë eurove dhe 220 milionë eurove. Por, si përgjigje ndaj zhvlerësimit të fortë të Euros gjatë sezonit veror, Banka e Shqipërisë vendosi ta rrisë shumën e blerë në intervalin midis 220 dhe 300 milionë eurove.
Referuar të dhënave të analizuara nga “Scan Intel”, historiku i ankandeve valutore në Shqipëri daton në vitin 2013-të. Vitin e kaluar, pra në vitin 2023, janë zhvilluar gjithsej 17 ankande, ndërkohë në harkun kohor të 10 viteve regjistrohen gjithsej 85 ankande të zhvilluara.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL.

Një herë për Berishën tani për veten, "8 Janari" i dytë i Ramës!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128