Ngërçi me pullat fiskale, fut biznesin në kolaps, mallrat 2 muaj ‘peng’ në Doganë! Avokati: Po dëmtohet rëndë privati! I hapet rruga kontrabandës

26 Shkurt 2025, 18:32 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Ngërçi me pullat fiskale, fut biznesin në kolaps, mallrat 2

Bizneset të cilat janë subjekte akcize dhe përdorin pulla fiskale po përballen me një situatë të paprecedentë në doganë, për shkak se mungojnë pullat fiskale.

Një situatë e tillë po dëmton bizneset të cilat thonë se nuk fusin dot në treg mallin për konsum, ndërkohë që po cenohen kontratat ekzistuese me furnitorët jashtë vendit.

Avokati Sajmir Laçej, njëherazi edhe përfaqësues i shoqatës së prodhuesve të pijeve alkoolike thotë për News24 se ky bllokim shkakton kosto të lartë për biznesin.

“Më shumë dëmtohet privati për aq kohë sa nuk arrin të sjellë për konsumatorët mallrat e parashikuara për t’u hedhur për konsum. Gjithashtu cenohen kontratat që kanë lidhur me furnitorët jashtë vendit. Është përgjegjësi e Qeverisë e autoriteteve përgjegjëse në këtë rast Ministria e Financave dhe Doganat që të gjejnë mekanizmat që dalin nga ky bllokim që është kosto për biznesin”, shprehet avokati Laçaj.

Por pse lindi problemi i mungesës së pullave fiskale? Në maj të vitit të kaluar, Qeveria lajmëroi se do të përfundonte koncesionin e pullave fiskale me kompaninë SICPA-s, duke e rikthyer shërbimin në pronësi të shtetit.

Në atë kohë, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të posaçëm, që autorizonte shoqërinë shtetërore “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., pёr prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale. Më pas në datën 5 shkurt të vitit 2025 është bërë një ndryshim në këtë vendim ku pas fjalëve “përveç shtypshkronjës së letrave me vlerë” shtohet edhe “vetë ose nëpërmjet një shoqërie të krijuar prej saj”. Edhe pse ky ndryshim ka ndodhur avokati Sajmir Laçej thotë se pullat nuk po prodhohen ende.

“Brenda këtyre dy muajve kur ndërkohë nuk ka ndodhur asnjë furnizim krijohet një shoqëri e re, pra i mundësohet shoqërisë aksionere të krijojë një shoqëri të re për prodhimin e pullave fiskale dhe pullat nuk dihet se kur do prodhohen”-shprehet avokati.

Mungesa e pullave fiskale po i shkakton dëm të madh bizneseve që janë subjekte të akcizës, por nga ana tjetër përfaqësuesi i Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve Alkoolike thotë se një ngërç i tillë lë shteg për evazion fiskal dhe kontrabandë të mallrave.

“Një nga dëmet që mund të shkaktohet është dëmi që po ndodh nga 1 janari deri më sot, kur akoma  nuk kemi asnjë njoftim për prodhimin e pullave të planifikuara dhe nga ana tjetër kemi një dëm indirekt të shtrirë në kohë për shkak të terrenit që mund të gjejnë kontrabanduesit e këtyre mallrave, duke përfituar nga ky boshllëk që krijohet nga mospajisja me pulla fiskale që garantojnë pagimin e akcizës dhe qarkullimin e këtyre mallrave”- thekson avokati Saimir Laçej..

Bizneset kërkojnë të pajisen sa më shpejt me pulla fiskale në mënyrë që të vijojnë aktivitetin ekonomik dhe dëmet në të ardhura të mos shtohen në vijim.

 

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128