19-vjeçari me këmbën e thyer/ Pezullohen 4 policë dhe shefi i Rendit në Komisariatin nr. 1

2026-10-13 23:37:00 / AKTUALITET ALFA PRESS
19-vjeçari me këmbën e thyer/ Pezullohen 4 policë dhe

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër efektivë si dhe shefin e Rendit në Komisariatin nr. 1, pas pamjeve të publikuara në media, ku 19-vjeçari Ledjon Balla, shfaqej me këmbë të thyer në gjendje të fikti, teksa shoqërohej nga disa efektivë pranë Parlamentit.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të pesë punonjësve, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si është trajtuar i riu nga efektivët.

Gjithashtu, thuhet se është ngritur një grup i posaçëm për të verifikuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe nëse janë zbatuar procedurat standarde të punës.

Policia thekson se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi. Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.

“Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.

Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.

Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin”,- thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Po ndodh...