Sulm rus në Ukrainë, 4 viktima dhe dhjetëra të plagosur

2025-03-29 16:29:44 / BOTA ALFA PRESS
Sulm rus në Ukrainë, 4 viktima dhe dhjetëra të plagosur

Një sulm rus me dronë në qytetin juglindor të Ukrainës, Dnipro, natën e 28 marsit, vrau katër njerëz dhe shkaktoi një zjarr të madh në një kompleks hotelesh dhe restorantesh, si dhe dëmtoi shtëpi banimi, tha guvernatori rajonal.

“Sipas informacioneve që kemi për momentin, katër njerëz u vranë në Dnipro”, tha në Telegram Serhiy Lysak, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk.

Forcat ruse përdorën më shumë se 20 dronë në sulmin ndaj Dnipros, ku gjithashtu u plagosën 24 njerëz si pasojë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një grua shtatzënë ishte në mesin e të plagosurve.

“Rusia tallet me përpjekjet globale për paqe, duke e zgjatur luftën dhe duke kryer akte terrori sepse ende nuk ndien trysni të vërtetë”, tha Zelensky në një postim në X më 29 mars.

Lysak tha se një ndërtesë e lartë banimi dhe gati 10 shtëpi private u përfshinë nga zjarri. Zjarri në kompleksin e hotelit është vënë nën kontroll, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, tha se ky sulm është “përgjigjen e Putinit ndaj propozimeve të SHBA-së për armëpushim”.

Më 28 mars, Forcat e Armatosura të Ukrainës raportuan se një sulm i kryer një ditë më parë në rajonin Briansk të Rusisë shkatërroi infrastrukturën ushtarake të një pike kontrolli. Forcat Ajrore të Ukrainës goditën pikën kufitare Pogar në vendbanimin Sluçovsk në rajonin Briansk, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Bazuar në vlerësimet fillestare Rusia ka humbur 15 deri në 40 rusë në këtë sulm, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Pretendimet e shtabit nuk ishte e mundur të verifikoheshin.

Shtabi i Përgjithshëm tha se sulmi ajror ishte përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme me dronë të ushtrisë ruse ndaj vendbanimeve ukrainase, të cilat shkatërrojnë infrastrukturën civile dhe vrasin qytetarët ukrainas.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk raportoi për ndonjë sulm në pikën kufitare Pogar. Guvernatori i rajonit Briansk njoftoi për një sulm në një ndërmarrje bujqësore në zonë një ditë më parë.

Ndërkohë, mes një serie bisedimesh të udhëhequra nga SHBA-ja për të arritur një marrëveshje për armëpushim të qëndrueshëm midis Kievit dhe Moskës, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha më 28 mars se ai sheh “një përparim të jashtëzakonshëm” drejt një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë.

“Sigurohemi që ajo që po shohim nga njëra palë të përputhet me atë që po bën pala tjetër dhe anasjelltas […] Për herë të parë në katër vjet, falë presidentit Trump, kemi një mundësi reale për të arritur një marrëveshje paqësore”, tha Vance për gazetarët gjatë vizitës në bazën ushtarake amerikane në Pituffik të Grenlandës./REL

Happening now...