DETAJET/ Për pesë vite mori 16 leje, herën e fundit “u zhduk”, dyshohet se Alket Rizai ka kaluar kufirin dhe fshihet në Shqipëri

2026-09-17 13:58:00 / AKTUALITET ALFA PRESS
DETAJET/ Për pesë vite mori 16 leje, herën e fundit “u

Prej katër ditësh, autoritetet greke po vijojnë intensivisht kërkimet për të dënuarin Alket Rizai, i cili që pas një incidenti të ndodhur në fundjavën që lamë pas, ka humbur gjurmët në mënyrë mistershme. Teksa kërkimet për Rizain janë zgjeruar më tej, dyshimet janë se ai mund të ketë lëvizur në Shqipëri.

Gjurmët më të fundit të Rizait, sipas hetimeve të deritanishme thuhet se janë në Greqinë Veriore, nga ku dyshohet se ai mund të kishte kaluar në Shqipëri në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, deri më tani akoma nuk ka pasur detaje të qarta se ku fshihet Rizai prej më shumë se katër ditësh.

Siç kemi raportuar dhe më parë, Rizai rezultoi se kishte marrë leje dhe ai duhej të ishte rikthyer në burgun e Domokos në orën 8 të mëngjesit të të hënës, por ai nuk u paraqit kurrë, duke ngritur “në këmbë” autoritetet greke.

Ajo që bie më së shumti në sy është fakti se Rizai mësohet se brenda pesë viteve të fundit prapa hekurave, kishte marrë leje 16 herë në total dhe thuhet se është rikthyer gjithmonë brenda afatit duke mos shkaktuar probleme apo dyshime për autoritetet vendase.

Mirëpo leja e fundit, 5 ditore, nuk rezultoi aq e “suksesshme” sa të tjerat. Pas dyshimeve se ai së bashku me grupin e tij janë përfshirë në një incident të përgjakshëm në një lokal, Rizai ka humbur gjurmët në mënyrë të mistershme.

Shqiptari i dënuar dyshohet të ketë shkuar në makinën e tij me anëtarët e grupit të tij, ku ka ndezur muzikën me zë të lartë. Për shkak të zhurmës, pronari i biznesit ka dalë dhe i ka bërë vërejtje, e më tej debati mes tyre agravoi deri në përdorimin e armës. 

Sipas të njëjtave burime, Alket Rizai dyshohet se nxori një armë dhe thuhet se qëlloi, ndoshta në ajër. Po ashtu bëhet me dije se në konflikt është përfshirë një shtetas afgan, që thuhet se ishte i punësuar si roje plazhi,  i cili raportohet të ketë qëlluar në drejtim të Rizait. Përplasja mes tyre ka lënë pas dy të plagosur, një grek 20-vjeçar dhe një pakistanez 41-vjeçar, rojen e plazhit.

Në lidhje me këtë ngjarje raportohet se është vënë në pranga pronari 41-vjeçar i barit në plazh i cili akuzohet për dëshmi të rreme, strehim të një krimineli, pengim të drejtësisë dhe nxitje për posedim dhe përdorim të paligjshëm të armës. Bashkë me të u prangos edhe gruaja e tij 39-vjeçare, me akuzën e dëshmisë së rreme dhe nxitje për posedim dhe përdorim të paligjshëm të armës.

Ndërsa prej mëngjesit të së hënës po vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e Alket Rizait.

Po ndodh...

ide