Politika pa akrepa/ Një politikë ku shpejtësia zëvendëson kohën

2026-02-02 15:39:59 / IDE NGA NELI DEMI

Politika pa akrepa/ Një politikë ku shpejtësia

Në një intervistë të vitit 2019, Steve Bannon, strategjisti kryesor i Donald Trump, përshkroi një nga parimet kyçe të strategjisë populiste moderne: flood the zone. Ideja ishte sa e thjeshtë po aq edhe brutale. Prodho aq shumë deklarata, kriza, tema dhe goditje komunikative, saqë sistemi politik, media dhe publiku të humbasin aftësinë për të ndjekur, filtruar dhe gjykuar.

Në terma konceptualë, kjo mund të përmblidhet si politikë e “muzzle velocity” apo politikë me “shpejtësi plumbi” ku rëndësi parësore nuk ka drejtimi por shpejtësia e daljes; jo koherenca por impakti fillestar; jo procesi por momenti.

Kjo logjikë nuk është amerikane në thelb. Ajo është eksportuar dhe përshtatur me sukses në kontekste të ndryshme, përfshirë Shqipërinë.

Çfarë është “muzzle velocity” në politikë

E huazuar nga balistika, muzzle velocity i referohet shpejtësisë me të cilën një predhë del nga gryka e armës. Në politikë, kjo metaforë, përshkruan një stil pushteti ku vendimet merren shpejt dhe shpallen më shpejt se sa mendohen, deklarata zëvendësojnë proceset dhe shpejtësia përdoret si provë force dhe legjitimiteti. Në këtë model, nuk është prioritet kontrolli afatgjatë i trajektores. E rëndësishme është goditja e parë.

Populizmi i majtë shqiptar: shpejtësi përmes dominimit

Në variantin shqiptar të populizmit majtas, politika e muzzle velocity shfaqet si hiper-prodhim vendimesh dhe narrativash.
Kush nuk e ka vënë re ritmin e vazhdueshëm e të shfrenuar të “reformave”, “nismave” dhe “transformimeve”?! Po mbivendosjen e komunikimit mbi institucionet dhe përdorimin e krizave si normalitet qeverisës?! “Punëmbaruarit” kanë dominuar qeverisjen e majtë dekadën e fundit.

Në fakt, shpejtësia këtu shërben për të parandaluar konsolidimin e kritikës. Çdo vendim pasohet menjëherë nga një tjetër në mënyrë që debatet mbi vendimin e parë të mbyten nga një urgjencë e re dhe kështu sistemi nuk ka kohë të reagojë.

Duhet pranuar që në terma të menjëhershëm kjo lloj politike ka ngjyra dhe fishekzjarrë por afatgjatë ka pasoja të reezikshme që po mundohem të analizoj më poshtë:

Një proces ligjor ku shpejtësia fiton në kurriz të legjitimitetit
Një nga efektet më të dukshme është normalizimi i legjislacionit të përshpejtuar.

Projektligje të rëndësishme kalojnë me procedura të përshpejtuara dhe publik i tyre reduktohet në formalitet. Parlamenti shndërrohet nga hapësirë diskutimi në një dhomë noterizimi të vendimeve. Në logjikën e muzzle velocity, ligji nuk është më instrument stabilizimi, por municion politik duke u përdorur për të prodhuar impakt të menjëhershëm dhe për të treguar se “po bëhet diçka”. Pasoja afatgjatë të një qasje të tillë çojnë në humbjen e autoritetit simbolik që ligji ka. Qytetarët mësohen që rregullat ndryshojnë shpejt, prandaj nuk ia vlen të investosh besim në to.

Institucionet e pavarura nga filtra trajtohen si pengesa
Populizmi i majtë, kur operon me muzzle velocity, ka një marrëdhënie utilitare me institucionet e pavarura: kur institucioni ecën në ritmin e pushtetit lavdërohet dhe kur ngadalëson, pyet, ose kërkon procedurë delegjitimohet simbolikisht.Kjo nuk ndodh gjithmonë me sulm frontal. Shpesh ndodh me ironi publike, relativizim të rolit dhe tejkalim përmes vendimeve ekzekutive

Pasoja afatgjata mund të jenë që edhe pse institucionet nuk shkatërrohen, ato bëhen të padukshme. Dhe kjo është më e rrezikshme se konflikti i hapur.

Marrëdhënia me BE-në: performancë mbi përmbajtjen
Në diskursin europian, muzzle velocity shfaqet si mbiprodhim reformash në letër. Raportohet progres i shpejtë dhe rezultate përpara se të konsolidohen ato. Gjuha e “hapave historikë” për procese ende të brishta prodhon entuziazëm po ashtu të brishtë. Kjo krijon një disonancë strukturore e cila nga jashtë përshkruan një narrativë suksesi, por nga brenda perceptohet si ndjesi stagnimi institucional.

Pasoja afatgjata mund të çojnë në një perceptim të integrimit si projekt komunikimi, jo si transformim real. Kjo ushqen cinizëm pro-europian dhe jo euroskepticizëm ideologjik, por lodhje morale.

Media që nuk kontrollohet dot më mbingarkohet
Populizmi i majtë nuk ka pasur gjithmonë nevojë të kontrollojë të gjitha mediat. Në shumë raste, ka mjaftuar ta mbingarkojë atë duke “shpikur” të reja çdo ditë. Kriza të vogla që zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe deklarata që prodhojnë cikël lajmi, por jo analizë

Në këtë mjedis, media, reagon më shumë sesa analizon dhe më shumë ndjek ritmin sesa e vendos atë.

Pasoja afatgjata formësojnë një publik që humbet aftësinë për të dalluar çfarë është e rëndësishme nga çfarë është urgjente. Dhe ky është një terren ideal për muzzle velocity.

Shoqëria kalon nga mobilizim në lodhje
Në fazën e parë, kjo politikë mobilizon.
Në fazën e dytë, ajo konsumon energjinë qytetare. Krijohet një aktivizëm shoqëror emocional pa kanale reale ndikimi duke prodhuar një debat publik të shpejtë, por sipërfaqësor e për rrjedhojë të shterpë. Rritje e cinizmit: “të gjithë flasin, asgjë nuk ndryshon”

Pasoja afatgjata në shoqëri kanë të bëjnë me reagime reaktive, jo reflektive. Reagime ndaj impulsit, jo ndaj drejtimit.

Populizmi i djathtë shqiptar: shpejtësi përmes konfliktit

Në populizmin shqiptar djathtas, muzzle velocity nuk është shfaqur përmes qeverisjes, por përmes retorikës së konfliktit permanent.

Tiparet kryesore që e kanë karakterizuar populizmin e djathtë shqiptar të viteve të fundit kanë qenë deklarata të forta dhe polarizuese, prodhim i vazhdueshëm i armiqve dhe tradhtarëve si dhe thirrje emocionale që zëvendësojnë programin e qartë e vizionar për të ardhur në pushtet. Shpejtësia këtu nuk ka synuar administrimin e realitetit, por mobilizimin emocional dhe qëllimi nuk është të fitosh debatin, por ta mbyllësh atë përpara se të fillojë.

Pasojat afatgjata të populizmit të djathtë shqiptar të bazuar në “muzzle velocity”

Erozioni i kapacitetit opozitar real
Kur shpejtësia retorike zëvendëson programin, opozita humbet funksionin e saj kryesor: të jetë alternativë qeverisëse e besueshme. Konflikti permanent nuk prodhon platformë. Akuzat nuk ndërtojnë vizion dhe mobilizimi emocional nuk përkthehet në kapacitet shtet-formues

Si pasojë afatgjatë, opozita mbetet e zhurmshme, por nuk perceptohet gjerësisht si e gatshme për pushtet. Ajo bëhet opozitë proteste, jo opozitë qeverisëse.

Varësia nga polarizimi për mbijetesë politike
Populizmi i djathtë, kur funksionon përmes muzzle velocity, krijon një varësi strukturore nga konflikti. Pa armik humbet kuptimin dhe tradhtarë humbet energjinë. Pa krizë, humbet vëmendjen

Në afat-gjatë çdo përpjekje për moderim, dialog apo reformulim ka të ngjarë të shihet si dobësi ose tradhti e brendshme. Kjo e bën të pamundur evoluimin politik.

Shkatërrimi i besimit horizontal
Prodhimi i vazhdueshëm i armiqve dhe tradhtarëve nuk godet vetëm kundërshtarin politik, por edhe marrëdhëniet brenda shoqërisë. Aktivistët ndahen mes “të pastërve” dhe “të shiturve” dhe intelektualët delegjitimohen si elita armiqësore ndërkohë që neutraliteti shihet si faj moral

Kjo qasje prodhon pasoja afatgjata ku shoqëria fragmentohet në blloqe mosbesimi, duke e bërë bashkëpunimin e ardhshëm politik dhe institucional pothuajse të pamundur.

Inflacion moral dhe konsumim i gjuhës
Kur çdo betejë paraqitet si ekzistenciale dhe çdo kundërshtar si kërcënim absolut, ndodh ajo që mund ta quajmë inflacion moral. Terminologjia e rënduar vazhdimisht, humbet kuptimin dhe peshën e vërtetë dhe indinjata bëhet rutinë duke de-sinsibilizuar në vend që të sensibilizojë masat. Skandalet nuk trondisin më si një pasojë afatgjatë publiku lodhet. Emocioni nuk zhduket, por kalon në cinizëm. Dhe cinizmi është armiku më i madh i mobilizimit demokratik afatgjatë.

Paralizë strategjike afatgjatë
Muzzle velocity përmes konfliktit prodhon reaktivitet të përhershëm. Prodhon reagim ndaj çdo zhvillimi duke krijuar një mungesë të kohës për mendim strategjik dhe të strukturave programore të qëndrueshme

Në terma afatgjatë populizmi i djathtë mbetet gjithmonë një hap pas realitetit, edhe kur ka intuitë të saktë kritike. Ai e sheh problemin, por nuk ndërton rrugën.

Normalizimi i humbjes si gjendje morale
Një efekt tjetër shumë i nënvlerësuar është kur humbja elektorale shndërrohet nga problem politik në provë morali. Shprehje si: “Ne humbëm sepse ishim të drejtë”; “Populli nuk ishte gati”; “Sistemi është i kalbur” bëjnë që në terma afatgjatë humbja nuk përpunohet, nuk analizohet dhe nuk korrigjohet. Ajo idealizohet. Kjo e mbyll ciklin e mësimit politik.

Megjithë dallimet ideologjike, të dy format e populizmit shqiptar ndajnë të njëjtën logjikë operative:
• shpejtësia preferohet mbi reflektimin
• impakti preferohet mbi qëndrueshmërinë
• fjala preferohet mbi institucionin

Ngjashmëritë thelbësore

Në të dy rastet, politika trajtohet si seri goditjesh, jo si proces ndërtimi.

Por kjo qasje ka një kosto strukturore të rëndësishme mbi mënyrën se si bëhet politikë dhe rrjedhimisht edhe mbi mbarëvajtjen e shoqërisë. Politika bazuar në muzzle velocity prodhon efekte afatgjata që shpesh neglizhohen që nga dobësim i besimit publik, lodhje dhe cinizëm shoqëror, delegjitimim i debatit racional deri në një varësi të vazhdueshme të sistemit nga kriza e përhershme. Shoqëria mësohet me idenë se politika është zhurmë dhe urgjencë dhe jo mendim apo drejtim.

Problemi shqiptar nuk është mungesa e energjisë politike, por mungesa e politikës së stabilizimit të trajektores. Një politikë që pranon ngadalësinë si kusht të mendimit, përdor institucionet si filtër dhe nuk i percepton si pengesë dhe që sheh qeverisjen si proces, jo si spektakël. Kjo nuk është politikë që fiton ciklin e lajmit. Por është e vetmja që fiton kohën.

Nëse politika e muzzle velocity ka dominuar hapësirën publike shqiptare, kjo nuk ndodh vetëm sepse aktorët politikë e zgjedhin atë. Ndodh edhe sepse sistemi mediatik, ritmi social dhe lodhja kolektive e kanë bërë shpejtësinë më të pranueshme se mendimin dhe impaktin më të dëshirueshëm se drejtimin.

Por këtu qëndron edhe kufiri i saj normativ. Një shoqëri nuk mund të ndërtojë besim afatgjatë mbi impulse të shkurtra. Një shtet nuk mund të funksionojë mbi emergjenca të përhershme pa e shndërruar krizën në metodë qeverisjeje. Dhe një demokraci nuk mund të mbijetojë nëse politika reduktohet në seri goditjesh që konsumohen më shpejt se sa kuptohen.

Alternativa nuk është ngadalësia sterile dhe as neutraliteti pa energji. Alternativa është përgjegjësia ndaj trajektores që do të thotë aftësia për të pranuar se vendimmarrja kërkon kohë, se institucionet janë filtra të domosdoshëm dhe se fjala publike ka pasoja që nuk maten me klikime apo duartrokitje.

Në këtë kuptim, sfida për Shqipërinë nuk është të prodhojë politikanë më të shpejtë, por aktorë publikë më të vetëpërmbajtur. Jo më shumë zhurmë, por më shumë orientim, jo më shumë krizë, por më shumë kapacitet për ta përballuar atë pa e instrumentalizuar.

A policy that gives up muzzle velocity is not weaker. It is more dangerous for populism, because it takes away its main weapon: the speed that paralyzes thought. And for that very reason, it is more necessary.

Because in the end, politics is not judged by the strength of the first exit, but by the ability to get somewhere without destroying the road.

Happening now...

ideas