Hasi në protestë, mbështetje për ish-krerët e UÇK-së

27 September 2026, 14:27 / KOSOVA ALFA PRESS
Hasi në protestë, mbështetje për ish-krerët e

Në Krumë të Hasit u zhvillua sot një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku veteranë të UÇK-së dhe qytetarë nga Kukësi, Hasi e Tropoja u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit.

Protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së, me një total prej 81 vitesh burgim.

Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, tha se lufta e vitit 1999 ishte pasojë e sulmeve dhe masakrave të forcave serbe në Kosovë, ndërsa e cilësoi të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së.

Petro Koçi, ish-deputet, tha se shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë nuk janë dakord me vendimin e Gjykatës Speciale, duke e konsideruar atë të padrejtë dhe me pasoja të drejtpërdrejta për ata që drejtuan luftën e UÇK-së.

 

Ish-gjenerali Kudusi Lame u shpreh se Gjykata Speciale në Hagë, sipas tij, është shndërruar në një institucion që nuk po jep drejtësi për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Ndërsa kryetari i OVL-UÇK-së në Has, kolonel Sokol Poga, kërkoi angazhim më të madh nga Shqipëria dhe Kosova përmes ekspertizës juridike dhe diplomatike. Ai tha se duhet të punohet me ish-aleatët e UÇK-së për të ndikuar në proceset e mëtejshme ligjore dhe për një vendim të drejtë në Gjykatën e Apelit në Hagë.

Protesta e organizuar nga OVL-UÇK-së Has u zhvillua pranë sheshit kushtuar dëshmorëve të Hasit. Janë 20 dëshmorë nga treva e Hasit që dhanë jetën në radhët e UÇK-së.

Sheshi “Deshmorët e Hasit” përkujton të rënët e kësaj zone, e cila gjatë luftës së Kosovës ishte Porta e Lirisë dhe një nga zonat kufitare të përfshira në mbështetjen dhe përpjekjet për çlirimin e Kosovës.

 

Po ndodh...

ide