10 urdhëresat e Krastës për suksesin në ekran

20 Prill 2024, 22:53 / IDE NGA LUTFI DERVISHI

10 urdhëresat e Krastës për suksesin në ekran

Në një botë që ndryshon me shpejtësi, por jo aq shpejt sa televizoni, Krasta mbrëmë parashtroi 10 urdhëresat të domosdoshme për suksesin në ekran.

Këto urdhëresa jo vetëm sfidojnë normat sipërfaqësore, por janë edhe një ftesë për një kthim në autenticitet, në inteligjencë dhe angazhim të vërtetë në publik.

Urdhëresat nuk janë vetëm një fshikullimë për aspirantët/delirantët televizivë që sot “notojnë” në cektinën televizive, por janë edhe klithmë për një nevojë për ndërgjegjësim kulturor jo vetëm të prodhuesve, por edhe të konsumatorëve të medias.

Para se të rendiste urdhëresat, Krasta kërkoi plotësimin e disa parakushteve para kameras:

Krasta foli për nevojën që të dish të vishesh në një kohë ku zhveshja dhe leckat e grisura të imponohen si modele;

Krasta foli për grimin, që të zbukuron si në dasëm, në kohën e shpërthimit të fillerave, botokist dhe ndërhyrjeve (pa masë) me operacione plastike.

Krasta theksoi nevojën e të folurit me mend në kohën kur gjithkush flet si ia pret rradakja dhe gjithësecili e di “kufirin e botës aty ku mbaron mendja e tij”
Krasta kujtoi “dritën e vëmendjes” në kohën e betejës shtazarake që bëhet për të.

10 Urdhëresat e Krastës (me një fjali koment)

1. Të kesh shije (në kohën kur gara është kush ia shpif më shumë pubikut)

2. Të lexosh/shkruash (në kohën kur edhe postimet në X duken “shumë të gjata për t’u lexuar dhe nuk duhen më fjalët për të shkruar sepse na mjaftojnë fotot, videot, dhe emojit)

3. Të jesh i kulturuar (të dish çfarë është Kristallnacht, kur shumë e ngatërrojnë me ndonjë ekip gjerman futbolli)

4. Të kesh humor (në kohën e banalitetit dhe shakave pa kripë)

5. Të jesh i përkushtuar (në kohën kur kjo fjala përkushtim është përkthyer nështrim)

6. Të pëlqesh muzikën (në kohën kur shet tallavaja dhe sarileja)

7. Të kesh sens mase (në kohën kur abuzimi më i madh sot në ekran është me kohën)

8. Të jesh i përulur (në kohën e arrogancës)

9. Të jesh guximtar (në kohën kur tv-të janë mbushur me ata që dridhen nga e vërteta)

10. Të jesh mirëjohës (në një vend ku mosmirënjohja ka zëvëndësuar lekun dhe shkatërruar euron)

P.S. 1. Nëse këto urdhëresa, Krasta, do t’i kishte mbrëmë të skalitura në pllaka guri, do t’i thyente ato para publikut të vitit 2024.

P.S. 2. Për t’u bindur për P.S 1 shih linkun në koment ku është monologu brilant i Krastës

https://youtu.be/vxXLLKYF-Q4?si=hcFkdVya9LxCIC0D

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128