Incidenti që alarmoi krahun lindor të NATO-s, një dron hyri nga Rumania dhe shpërtheu pranë kufirit
Një dron ende i paidentifikuar shpërtheu të shtunën mbi Bullgari, pranë kufirit me Rumaninë, njoftuan autoritetet.
Sipas kryeministrit bullgar Rumen Radev, droni hyri në hapësirën ajrore të Bullgarisë nga Rumania dhe shpërtheu rreth 1,000 metra larg një stacioni kompresor të gazsjellësit Trans-Ballkanik, pranë ish-pikës kufitare Kardam, mes dy vendeve.
“Zhurma e shkaktuar nga droni u pikas nga policia kufitare rumune dhe më pas u dëgjua një shpërthim i fuqishëm nga patrulla e policisë kufitare ‘General Toshevo’”, tha ai në një konferencë për mediat.
Ai shtoi se “vendndodhja e shpërthimit të dronit u identifikua menjëherë” dhe konfirmoi se nuk pati viktima apo dëme në ndërtesa dhe infrastrukturë.
Kryeministri tha se autoritetet bullgare dhe rumune nuk arritën ta zbulonin dronin teksa ai kalonte në hapësirat e tyre ajrore. Sipas tij, tashmë do të shtohen operacionet e vëzhgimit në rajon.
Sipas deputetit të opozitës, Ivaylo Mirchev, Kardam është një nga pikat kryesore të Korridorit Vertikal të Gazit, një rrugë strategjike për transportin e gazit natyror të lëngshëm nga Greqia drejt Evropës Juglindore dhe Qendrore. Korridori lidh Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Ky incident vjen pasi forcat rumune rrëzuan tre dronë në hapësirën e tyre ajrore brenda vetëm tri ditësh, në fund të korrikut. Zyrtarët rumunë kanë thënë se të paktën një prej këtyre dronëve është identifikuar si i tipit Shahed, i përdorur nga forcat ruse.
Rumania dhe Bullgaria ndodhen në krahun lindor të NATO-s, në kufi me Detin e Zi, dhe përballen me sfida të shtuara të sigurisë lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë, e cila nisi pas pushtimit në shkallë të gjerë të vendit nga Moska në shkurt 2022.
Në muajt e fundit, Rumania ka përjetuar një rritje të incidenteve dhe shkeljeve të hapësirës së saj ajrore nga dronët, duke rritur tensionet në rajon dhe duke nxitur solidaritet të gjerë nga zyrtarët e BE-së.
Në maj, një dron rus i pajisur me eksplozivë u rrëzua mbi një pallat banimi në Galați të Rumanisë, duke shkaktuar zjarr në çati dhe plagosur dy persona.
Muajin pasues, një dron detar ukrainas shpërtheu gjithashtu në portin rumun të Konstancës. Ushtria ukrainase tha se droni kishte devijuar nga kursi për shkak të ndërhyrjeve të luftës elektronike ruse.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka cilësuar incidente të tilla si “pasojë e drejtpërdrejtë e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”.
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128