“Kurti dhe Haxhiu ia dogjën Kosovës afatin kushtetues”/ Haradinaj: Kemi hyrë në një situatë të rrezikshme

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi para seancës konstituive të Kuvendit se vendi ka hyrë në një situatë të re kushtetuese, pasi, sipas tij, ka kaluar afati kushtetues për konstituimin e institucioneve.
Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, se e kanë shtyrë qëllimisht seancën deri në ditën e fundit, duke i shkaktuar Kosovës tejkalimin e afatit kushtetues.
“Tash, ndoshta ky debat ka vlejtur dje, hyrja në seancë, mirëpo meqë sot afati kushtetues ka kaluar, më nuk ka rëndësi ose nuk ka efekt. Ajo që është më e keqja është se Kurti, Albulena e të tjerë, qëllimshëm ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues me zgjedhë seancën. Edhe ja, shihni çfarë ka ndodhur: për shembull, certifikimi i rezultateve ka ndodhur para më shumë se një muaji, diku rreth 48 ditë. Nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim që do të ishte përgatitje për seancën e parë. E kanë shtyrë seancën në datën e fundit qëllimshëm, edhe qëllimshëm e kanë djegur afatin kushtetues me zgjedhë kryesinë e Kuvendit, pra me konstituuar Kuvendin, me zgjedhë kryetarin, me zgjedhë qeverinë, me zgjedhë presidentin. Të gjitha të tjerat janë interpretime rrethanore”, deklaroi Haradinaj.
Sipas tij, situata tashmë nuk duhet parë vetëm si një përplasje mes pozitës dhe opozitës, por si një çështje që prek vetë rendin kushtetues të Kosovës.
“Pra, jemi në një situatë ku qëllimshëm Kurti, Albulena e shumë të tjerë me ta, ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues me zgjedhë seancën. Si do të dalim nga kjo është një çështje që duhet ta marrim me kujdes, se pasojat nuk janë vetëm për pozitën apo për opozitën, por janë për themelet, rendin tonë kushtetues, të shtetit tonë, të arriturave tona. Unë jam këtu me kolegët e mi të Aleancës edhe me kolegë të tjerë që me pa se si mundemi me nxjerrë vendin nga situata e re e krijuar, që nënkupton djegia e afatit kushtetues për zgjedhjen e institucioneve. Çfarë do të bëjmë tutje duhet ta trajtojmë me kujdes.”
I pyetur nëse deputetët e Aleancës do të marrin pjesë në seancën e sotme, Haradinaj u përgjigj se do të jenë të pranishëm për diskutim, por theksoi se situata ka ndryshuar pas kalimit të afatit kushtetues.
“Ne shkojmë në diskutim me siguri, por mos harrojmë edhe njëherë atë që e fola: afati kushtetues për fat të keq është djegur. E si do të veprojmë tutje është e gjitha, po e thëm kështu, punë e kujdesshme sepse nuk është situata e njëjtë. Ndryshe nga seancat, jemi në situatë të re dhe duhet bërë kujdes jo për shkak të njërit nga ne, të partive, por vendi ka hyrë në një situatë të re kushtetuese. Rendi ynë kushtetues pra ka hyrë në një situatë të re dhe duhet ta trajtojmë me kujdes.”
Lidhur me mundësinë që çështja të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, Haradinaj tha se çdo hap duhet peshuar me kujdes.
“Tani, çdo veprim që e marrim duhet ta bëjmë me aq kujdes, që mos t’i rritim pasojat e situatës së krijuar, por ta nxjerrim vendin nga kjo situatë e re. Pra ky alarm besoj për të gjithë ata që e kuptojnë, do ta shpjegojnë më së miri ekspertët dhe ata njohësit e kushtetutës e të rendit kushtetues sot, po edhe nga ajo që unë e kuptoj, jemi në një situatë të re, kemi hyrë në një situatë të rrezikshme për vendin e duhet të bëjmë kujdes. Pra nuk po jap drejtim si do të veprojmë e çfarë do të bëjmë e çfarë do të bëjë AAK e çfarë do të bëjë Aleanca, por duhet të bëjmë kujdes që si Kosovë, si të gjitha forcat politike, si i gjithë rendi ynë kushtetues të ruhet pra edhe mos të shkojmë në një funddallësh të rendit tonë kushtetues.”
Sa i përket mundësisë së protestave, Haradinaj tha se protesta është një e drejtë demokratike, por theksoi se fillimisht duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për të ruajtur rendin kushtetues.
“Keni parasysh, kjo që ka ndodhur ka pasoja kushtetuese, djegia e afatit kushtetues. Tani, veprimet e ardhshme duhet të jenë të tilla që ndihmojnë ruajtjen, po e them kështu, të kushtetutshmërisë. Dalja në rrugë është e drejtë edhe është mënyrë çdo herë, por ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë si të ruhet rendi kushtetues, që nënkupton tani për shembull nuk e di a mundet… pra Parlamenti i Kosovës, deputetët e kësaj legjislature nuk e di a e kanë më fuqinë me prodhuar ndonjë efekt. Duke qenë kështu pra po mbesin shumë pak opsione, ose po arrijmë aty ku ndoshta edhe qëllimi ka qenë që të na dërgojnë në zgjedhje prapë. Për të gjitha të tjerat flasim prapë”, përfundoi Haradinaj.
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128