Islandezët votojnë për rikthimin në BE/ Referendumi vendos nëse do të rihapen negociatat e anëtarësimit
Qytetarët e Islandës do t’u drejtohen kutive të votimit të shtunën për të vendosur nëse vendi duhet të rikthehet në tryezën e negociatave me Bashkimin Evropian.
Referendumi nuk synon të vendosë për anëtarësimin e menjëhershëm të Islandës në BE, por vetëm për rifillimin e procesit të negociatave. Pyetja që do t’u shtrohet votuesve është nëse Islanda duhet të rihapë bisedimet për anëtarësim me bllokun evropian.
Islanda kishte aplikuar për anëtarësim në vitin 2009, në një periudhë kur vendi po përballej me pasojat e rënda të krizës financiare dhe kolapsit të sistemit bankar. Negociatat me Brukselin vijuan për disa vite, por në vitin 2015 Reykjaviku vendosi të tërhiqej nga procesi.
Çështja e anëtarësimit është rikthyer në qendër të debatit për shkak të ndryshimeve në situatën gjeopolitike. Veçanërisht, kërcënimet e Donald Trump ndaj Groenlandës, territor autonom i Danimarkës, kanë ndikuar në diskutimet mbi sigurinë e Islandës, e cila mbështetet te SHBA-ja dhe NATO për mbrojtjen.
Përballë këtij realiteti, autoritetet islandeze kanë argumentuar se lidhjet më të forta me BE-në mund të jenë në interes të vendit në kushtet e reja ndërkombëtare.
Nëse shumica voton pro, procesi i negociatave mund të rifillojë. Megjithatë, një votë pozitive nuk do të nënkuptonte automatikisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në rast se negociatat përfundojnë me një marrëveshje, qytetarët islandezë do të duhet të votojnë sërish për miratimin e traktatit të anëtarësimit.
Sondazhet e publikuara deri në fund të korrikut tregonin një avantazh të kampit pro negociatave, me rreth 53% të mbështetjes.
Referendumi zhvillohet në një periudhë kur zgjerimi i BE-së është rikthyer në fokus, veçanërisht për shkak të procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128