Kapitulli 20, mungon ende dakordësia në BE për Shqipërinë, COELA e shqyrton sërish sot

7 October 2026, 13:33 / POLITIKË ALFA PRESS

Kapitulli 20, mungon ende dakordësia në BE për

Nuk është arritur dakordësia mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave me Shqipërinë, pavarësisht diskutimeve të zhvilluara dje në grupin e punës COELA.

Sipas burimeve për Top News, çështja do të rikthehet në tryezën e COELA-s edhe gjatë ditës së sotme, ku përfaqësuesit e vendeve anëtare do të vijojnë diskutimet për pozicionin e përbashkët të BE-së ndaj Shqipërisë.

Kapitulli 20 lidhet me “Sipërmarrjen dhe Politikën Industriale” dhe është pjesë e Klasterit 3, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”. Dokumentet e Këshillit të BE-së konfirmojnë se për këtë kapitull është paraqitur një propozim kompromisi nga presidenca e Këshillit, ndërsa çështja është ende në shqyrtim në COELA.

Mungesa e një marrëveshjeje në COELA e shtyn për momentin procesin përpara. Nëse vendet anëtare arrijnë konsensus, dosja duhet të kalojë më pas në COREPER, përpara se të formalizohet në një Konferencë Ndërqeveritare BE–Shqipëri.

Kjo situatë vjen pasi edhe në diskutimet e mëparshme nuk ishte arritur dakordësia e nevojshme dhe çështja ishte rikthyer në agjendën e COELA-s më 6 tetor. 

Shqipëria synon mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20, ndërsa një konferencë ndërqeveritare më 13 tetor është raportuar më herët si skenar i pritshëm. Megjithatë, kalimi i çështjes në këtë fazë varet nga përfundimi i diskutimeve dhe arritja e dakordësisë mes vendeve anëtare.

Po ndodh...