
“Nuk ka refuzuar kurrë”/ Ministrja e Drejtësisë së Kosovës: Kërkesa e Prokurorisë për dëshminë e Kurtit, politike!

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë të mërkurën se veprimet e sistemit të drejtësisë në Kosovë janë krejtësisht politike, dhe ka përsëritur edhe një herë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka refuzuar asnjëherë kërkesën e Prokurorisë Speciale që të japë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Javën e kaluar, Prokuroria i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë Kurtin të paraqitet, pas refuzimit të dy ftesave të mëparshme.
“Nuk e di saktësisht se si Prokuroria Speciale i është referuar Gjykatës për këtë urdhër, nuk e kam parë si të tillë. Nëse Prokuroria ka thënë se kryeministri Kurti nuk po pranon ta japë dëshminë, kjo është e pavërtetë, kjo është gënjeshtër, sepse kryeministri Kurti nuk ka refuzuar të japë dëshmi”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për media.
Sipas saj, kërkesa e vetme e kryeministrit Kurti është lokacioni – që dëshmia të merret prej zyrës së tij.
“Prokuroria nuk duket që është e interesuar për ta marrë dëshminë e kryeministrit Kurti, sepse i ka pasur disa mundësi, disa data që ka propozuar Kurti dhe nuk kanë ardhur për të marrë dëshminë”.
Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet.
E nëse pas urdhrit gjyqësor, i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.
Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për koment ndaj kësaj kërkese të Prokurorisë Speciale.
Duke komentuar nenin që përcakton se pas refuzimit të vazhdueshëm të një dëshmitari mund të shqiptohet edhe gjoba, Haxhiu ka thënë se ai “ka të bëjë me personat që refuzojnë të japin dëshmi, me personat që thonë ‘nuk dua të japë dëshminë time’ në raport me këtë çështje”.
“Sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës, kurrë më i lirë nuk ka qenë nga ndikimi politik. Por, më duhet të them, kurrë më politik nuk ka qenë. Duke qenë se nuk kanë mundur të na ndalin me veprime në Kuvend, opozita, ose dikush nga analistët në studiot televizive, kanë zgjedhur me Prokurorinë Speciale, por nuk mund të na ndalin”, ka deklaruar Haxhiu pa përmendur dikë me emër, dhe pa ofruar ndonjë dëshmi për pretendimet e bëra.
Ftesën e parë Kurti e kishte marrë më 16 dhjetor, kur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti nuk ishte paraqitur pasi që ishte në udhëtim jashtë vendit dhe kishte shtuar se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.
Katër ditë më vonë, Kurti kishte marrë sërish ftesë nga Prokuroria, të cilës prapë nuk i ishte përgjigjur pozitivisht.
Ftesa e Kurtit që prokurorët ta intervistojnë atë në zyrën e tij është kritikuar nga ekspertë ligjorë, si Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL.
Miftaraj kishte thënë se “nëse prokurorët nuk kanë guxim profesional”, atëherë jo vetëm kryeministri, por edhe qytetarët e zakonshëm “mund të tallen dhe të mos e respektojnë autoritetin e Prokurorisë”.
Rasti i rezervave shtetërore
Më 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.Qeveria ka thënë se pagesat për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin.
Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Ajo akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.
Në përgjigje, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Kurtit që “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese”.
Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore. Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje./REL

Fundi i një Lideri të fortë edhe njëkohësisht të dobët, si rasti Rama!
ide

Zoti i korrupsionit nuk mund të përlyejë Zonjën e drejtësisë

Koka e Veliajt në burg, koka e Ramës në shesh

top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128