Kryebashkiaku akuza të forta qeverisë: Rama më përjashtoi nga takimi, Kumbaro bllokon investimet për të shkrirë Memaliajn

13 August 2026, 13:50 / POLITIKË ALFA PRESS

Kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, ka shpërthyer ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke denoncuar atë që e quan një përpjekje të organizuar për shkrirjen e Bashkisë Memaliaj.

Malaj pretendon se vendimi po përgatitet në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale dhe ngre pikëpyetje se përse është lënë jashtë takimit ku Kryeministri ka mbledhur kryetarët e bashkive që rrezikojnë të shkrihen.

Në reagimin e tij, Malaj akuzon drejtpërdrejt Kryeministrin dhe grupin që po harton reformën se po synojnë eliminimin e Memaliajt si njësi më vete. Ai ngre gjithashtu akuza ndaj ministres Mirela Kumbaro, duke pretenduar se ajo ka bllokuar investimet për bashkinë.

Sipas Malajt, presioni nuk është vetëm në nivel qeveritar, por është shtrirë edhe në Këshillin Bashkiak, ku, sipas tij, po pengohet puna dhe zhvillimi i bashkisë.

“Si ta kuptojmë këtë? E kanë vendosur? Do ta shkrijnë Memaliajn?”, shkruan Malaj, duke e konsideruar mungesën e ftesës si një sinjal se fati i Memaliajt mund të jetë vendosur tashmë.

Kryebashkiaku rikujton edhe paralajmërimin e bërë prej tij në takimin e Gjirokastrës, ku, sipas tij, po vendos “forca e kartonit”.

Përballë kësaj situate, Malaj ka zgjedhur të thërrasë qytetarët në protestë. Tubimi është njoftuar për nesër, në orën 20:00, në Sheshin “Minatori”, në qendër të Memaliajt.

Kryebashkiaku akuza të forta qeverisë: Rama më përjashtoi

Përplasjet në takimin e Ramës më kryebashkiakët

Protestat kundër hartës së re territoriale, dje janë shfaqur edhe brenda tryezës së diskutimeve me kryetarët e bashkive. Mësohet se ebatin e ka hapur kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili ka kërkuar shpjegime për kriteret mbi të cilat po vendoset shkrirja e disa bashkive.

Zotkaj mësohet të ketë pyetur përse Peqini, Roskoveci dhe Vau i Dejës nuk janë përfshirë në listën e bashkive që pritet të shkrihen, ndërsa Poliçani po, pavarësisht se, sipas tij, këto njësi kanë një performancë më të dobët.

Kryebashkiaku ka rikujtuar gjithashtu reformën e vitit 2014, duke argumentuar se ajo nuk solli rezultatet e pritshme dhe se një prej treguesve të dështimit të saj është rënia e vazhdueshme e popullsisë.

Sipas burimeve, në përgjigje të Zotkajt, Kryeministri Edi Rama ka përmendur djegien e teserave të Partisë Socialiste në Poliçan, duke e cilësuar si një veprim të turpshëm dhe duke i thënë kryebashkiakut se nuk duhej të ishte pjesë e takimit.

Përplasja nuk është mbyllur me kaq. Zotkaj mësohet t’i jetë kundërpërgjigjur Ramës, duke e cilësuar si “mosmirënjohje” projektin që parashikon shkrirjen e Poliçanit dhe bashkimin e tij me Beratin.

“Paturpësinë nuk e bëmë ne, por ju që po merrni këto vendime”, mësohet të ketë deklaruar Zotkaj.

Në tryezë nuk kanë munguar as debatet me drejtues të bashkive të tjera. Kryebashkiaku i Poliçanit ka shigjetuar edhe drejtuesen e Dimalit dhe kryetarin e Divjakës, ndërsa Juliana Memaj mësohet të ketë qenë e para që është larguar nga takimi.

 

Po ndodh...