Erion Veliaj tjetër intervistë nga burgu: Arrestimi im për të goditur PS, Ramës nuk kam pse i çoj pusulla për tu koordinuar!

6 Mars 2025, 23:51 / POLITIKË ALFA PRESS
Erion Veliaj tjetër intervistë nga burgu: Arrestimi im për

”Një dhomë 2 me 3 m, iniciale të shkruara mureve, shule e dryna që trokëllijnë ditë-natë, dhe komunikim me pusulla. Por, prapë se prapë, jam shumë më i lirë se ata që më sollën këtu". Kështu janë 24 orët e Erion Veliajt në qeli ku ndodhet prej 10 shkurtit, të rrëfyera në një intervistë për 'Frontline' në Report TV.

NIV, kompania e parë AI në Shqipëri që ka zhvilluar modele të reja në AI për automatizimin e industrive, ka mundësuar krijimin e avatar edhe gjenerimin e zërit për këtë intervistë.

“Jam më i lirë se Nesti Angoni... Më i lirë se Ols Dado që, se ka 5, se ka 7 apartamente nga lejet e mia, burgun e ka në kokë e kurrë s’do ngopet", thotë Veliaj për gazetaren Marsela Karapanxhi.

Arrestimin, Kryebashkiaku Veliaj jo vetëm që e cilëson si hakmarrje personale të prokurorit Ols Dado, por edhe si një goditje të qartë elektorale të SPAK ndaj partisë së tij e cila më 11 maj u kërkon qytetarëve mandatin e katërt qeverisës.

“Dyshoj që SPAK vuan nga një kompleks për të bërë kandarin, ku çdo palë të goditet, dhe asnjë të mos fitojë pastër e drejtë një shumicë të qartë. Kjo është një përpjekje e kotë. Me ose pa mua në Tiranë, Partia Socialiste dhe Edi Rama do fitojnë bindshëm mandatin për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Do qe në nderin e SPAK të mos futej në politikë, ose si Di Pietro në Itali të bëhej parti politike e të kandidonte”, thotë Veliaj.

Megjithatë sulmi që i bën publikisht SPAK dhe retorika e ashpër ndaj drejtësisë së re vetëm pasi u arrestua, thotë se nuk e bashkon aspak me kundërshtarët e tij politikë, Sali Berishën dhe Ilir Metën, në burg për korrupsion.

“Jam larg Saliut dhe Metës sa temjani nga djalli. As kam pasur blloqe për të vrarë 4 vetë me plumba në mish në 21 Janar, as kam pasur djalë të pjekë të gjallë 26 vetë në Gërdec. Tani duhet parë si penetruan në majën e drejtësisë juristë me 5-a, me licencë noteri nga babi, e emërim si prokuror nga e shoqa. Ky është një abuzim me besimin që Partia Socialiste i dha sistemit”, vijon Veliaj.

Me Kryeministrin Rama, që arrestimin e tij e ka cilësuar të panevojshëm e pa gjyq, thotë se nuk ka patur komunikim gjatë këtyre 25 ditëve në qeli, i bindur se është i vetmi që mund të sigurojë jo vetëm drejtësi të fortë, por edhe të drejtë.

“Edi Rama është Kryeministri im, Kryetari im i partisë dhe një mik i rrallë e mentor i çmuar prej 20 vitesh. Nuk kam nevojë t’i çoj pusulla, se shokët e idealit nuk kanë nevojë të koordinohen për vlerat ku besojnë.

Unë besoj tek Edi si Kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave, si i vetmi që mund të ngrejë flamurin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe si i vetmi që mund të sigurojë që drejtësia e re dhe e pavarur të ketë jo vetëm shpatë, por edhe peshore”, thekson Veliaj.

Takimet e komunikimet thotë se prokurori Dado ia ka ndaluar, përveçse me bashkëshorten e tij, ndërsa për djalin thotë se nuk ka gjetur ende guximin ta shohë.

“Jo, nuk e kam takuar djalin. Nuk ia shpjegoj dot pa lot në sy e ngashërim se ky vend ende i mallkon ata që punojnë, rrëzon ata që ndërtojnë, pengon ata që përpiqen, lufton atë që ndihmon çdo njeri në nevojë! Nuk i mbaj dot lotët kur më kujtoni djalin, po e le me kaq.

Ajola është lejuar dy herë. Të tjerët asnjë! As drejtuesit fetarë, as kolegët, as miqtë! Shpresoj që Olsi të ndihet burrë i madh dhe trim me këto izolime banale“, shprehet Kryebashkiaku.

Më 11 mars Erion Veliaj do të kërkojë në Gjykatën e Posaçme të Apelit lirinë, pasi ka ankimuar masën arrest me burg të firmosur nga gjytari Erion Bani. Provat se ai nuk i shmanget drejtësisë e nuk e zgjedh rrugën e arratisjes thotë se tashmë i ka dhënë, me rikthimin nga Gjermania e SHBA-ja gjatë muajit dhjetor.

Po ndodh...