Salianji nis takimin me demokratët në Berat: Shqipëria më e lodhur se kurrë, rinia po largohet

18 Shkurt 2026, 18:03 / POLITIKË ALFA PRESS

Salianji nis takimin me demokratët në Berat: Shqipëria më e

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka nisur ditën e sotme takimin me demokratët në qytetin e Beratit, në kuadër të turit të tij nëpër rrethe.

Në fjalën e tij, Salianji falënderoi të pranishmit dhe theksoi se nuk është e lehtë të flasësh para demokratëve pas 31 vitesh opozitë.

“Ju falënderoj sepse e di që nuk është e lehtë t’u flasësh demokratëve pas 31 vitesh opozitë. Kemi shkelur në Shqipëri këtë periudhë dhe kam parë të njëjtin zhgënjim nga politika në çdo cep të vendit”, u shpreh ai.

Sipas Salianjit, gjatë takimeve të zhvilluara në qytete të ndryshme të vendit, ndihet një ndjenjë e thellë braktisjeje dhe zhgënjimi nga politika.

“Është e vështirë të flasësh për vlera e sakrifica, sepse duket sikur shoqëria është futur në një kafaz. Sot jemi mbledhur jo vetëm për të folur për politikën, por për fatin e Shqipërisë. Për vendin tonë të bekuar, që sot është më i lodhur se kurrë, ku shpresa është më e rrallë se zhgënjimi dhe ku të rinjtë pyesin kur është momenti të largohen”, tha ai.

Salianji e cilësoi largimin e të rinjve si “tragjedinë më të madhe” që, sipas tij, po prodhon qeverisja aktuale.

“Kur rinia ikën, gjithçka fiket. Kjo nuk është Shqipëria që meritojnë shqiptarët. Një vend ku ekonomia kontrollohet nga 2-3 duar dhe ku politikanët nuk kanë as përgjegjësi dhe as dashurinë më të vogël për vendin”, deklaroi ai.

Duke kritikuar qeverinë, Salianji tha se qytetarët nuk shprehin asnjë vlerësim pozitiv për të dhe se shteti, sipas tij, ka pësuar një “degjenerim total”.

“Kemi takuar qytetarë që nuk flasin një fjalë të mirë për qeverinë. A mund të thotë dikush një të mirë për qeverinë e Edi Ramës? Qeveria duhet të jetë garanci për ditët e këqija, por këta kanë shkrirë shtetin me krimin”, u shpreh ai.

Në fund, ai ngriti shqetësime edhe për investimet publike, duke përmendur cilësinë e rrugëve dhe përdorimin e fondeve.

“E keni parë si bien rrugët e ndërtuara me miliona euro? Kanë vjedhur edhe hekurin e rrugëve, pa menduar se do bjerë shi apo dëborë”, deklaroi Salianji gjatë takimit me demokratët në Berat.

Po ndodh...