Protesta i shkakton Pushtetit ethe në Gusht/ Rama gati furtunën në qeveri, pritet sakrifikimi i 6 ministrave!
Protesta e madhe e shqiptarëve që kërkon dorëheqjen e Edi Ramës, largimin e Kastës së korruptuar politike dhe vendosjen e rregullave të reja të "lojës" së një demokracije funksionale, po hyn në muajin e tretë. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha nëpërmjet tentativave për përçarje dhe akteve të dhunës brenda saj, planet që Protesta të shuhet pa kapur muajin shtator kur pritet të shumëfishihet, duket që kanë dështuar.
Në këtë kontekst, Edi Rama duket se po kalon në "Planin B", që ashtu siç bëri me protestën e studentëve, të nis të bëj lëshime me ndryshime të forta në Kabinetin e tij, duke i dërguar mesazh "reflektimi" Protestës dhe ndërkombëtarëve. Ndaj brenda "Rilindjes" kanë nisur një periudhë ankthi dhe ethesh për ministrat e Edi Ramës, pasi shtatori pritet të sjellë ndryshime masive në kabinetin qeveritar.
Përpara vendimeve të mundshme, kryeministri ka thirrur në Pogradec një seri takimesh politike dhe qeveritare, ku secili ministër do të kalojë në atë që konsiderohet si “provimi i performancës”.
Siç është raportuar para disa ditësh, lëvizjet nisin këtë fundjavë dhe kulmojnë të hënën me mbledhjen informale të qeverisë, ndërsa në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Pikërisht kjo mbledhje mund të përcaktojë edhe fatin e disa prej ministrave të Ramës.
Në raportimin e Top Channel ngrihet skenari për ndryshime në drejtimin e të paktën gjashtë ministrive. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për numrin apo emrat e ministrave që mund të largohen, por kalendari i takimeve e vendos kabinetin përpara një analize të plotë vetëm pak ditë para Asamblesë së PS-së.
Të hënën, në vilën qeveritare në Pogradec, ministrat do të raportojnë për punën e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026. Në këtë herë në takim nuk do të marrin pjesë zëvendësministrat. Përballë Ramës do të jenë vetëm ministrat dhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.
Përpara këtij raportimi, Rama do të mbledhë të dielën, në orën 11:30, 12 drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Në fokus të takimit, do të jenë dokumenti “Besa” dhe dokumenti “Prania e Besës”, i dorëzuar grupit parlamentar socialist në fund të korrikut. Diskutimet do të përfshijnë edhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Por pavarësisht axhendës formale, mësohet se kryeministri do të mbaj një fjalim "reflektues" ndaj protestës.
Mbrëmjen e së dielës, Rama do të zhvillojë edhe një darkë me drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve dhe ministrat. Një ditë më pas nis raportimi i kabinetit.
Ministrat nuk do të raportojnë vetëm për rezultatet e dikastereve. Ashtu si në mbledhjet e mëparshme të këtij formati, pjesë e vlerësimit do të jetë edhe prania e tyre në media dhe në rrjetet sociale.
Pas Pogradecit vjen Asambleja Kombëtare e PS-së.
Burimet socialiste thonë se mbledhja pritet në javën e parë të shtatorit. Në të kaluarën, Rama i ka përdorur mbledhjet e Asamblesë edhe për të shpallur ndryshime në kabinet, çka ka shtuar pikëpyetjet për ministrat që mund të preken këtë herë.
Pra, ethet kanë nisur përpara se Rama të bëjë publik ndonjë vendim. Të dielën mblidhet struktura politike, të hënën ministrat japin llogari për tetë muajt e vitit dhe në fillim të shtatorit vjen Asambleja.
Mbetet për t'u parë nëse skenari për ndryshime në të paktën gjashtë ministri do të konkretizohet, por një gjë është e sigurt: Këto lëvizje pritet që të japin një efekt të kundërt, duke e bërë edhe më të madhe Protestën e cila duket se nuk do të ndalet deri në dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie teknike jo partiake e cila do të përgatisë legjislacionin për vendosjen e demokracisë së vërtetë dhe funksionale./Alfapress.al
Po ndodh...
Pushteti i kotësisë! Protesta i prishi “magjinë” Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128