"Rama dhe Berisha në burg"/ Huffington Post: Protestat në Shqipëri po përhapen kundër klasës politike

27 October 2026, 13:37 / POLITIKË ALFA PRESS

"Rama dhe Berisha në burg"/ Huffington Post: Protestat në

Artikulli i Huffington Post

Përplasjet në sheshe dhe rrugët e Shqipërisë, që kanë hyrë në ditën e katërmbëdhjetë, po shoqërohen me një qëndrim të ashpër politik nga kryeministri Edi Rama, i cili nuk po tregon shenja tërheqjeje përballë studentëve dhe të rinjve që kërkojnë dorëheqjen e tij. Qeveria ka vendosur të ashpërsojë masat ndaj protestave kundër saj, duke parashikuar gjoba të reja mbi 550 dollarë për “këdo që zgjedh të qëndrojë në një turmë” ku kryhen akte dhune apo grabitje në hapësira publike, ose që fsheh identitetin e tij. Ndërkohë, nga Serbia fqinje vjen suksesi i studentëve, të cilët kanë arritur të marrin pushtetin përmes votës, një zhvillim që mund t’i japë shtysë protestave në Shqipëri, të cilat nuk tregojnë shenja zbehjeje.

Ditët e fundit, dhuna ka përfshirë edhe Parlamentin e Tiranës, ku ka shpërthyer një përplasje fizike mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës. Përfaqësuesit e qeverisë kishin refuzuar të diskutonin për situatën e krijuar, ndërsa opozita, e cila qëndron pranë protestave, vendosi të bllokojë punimet, duke çuar situatën deri në përplasje fizike. Një grup deputetësh të opozitës iu afruan kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të seancës dhe duke shfaqur fotografi të një protestuesi që dyshohet se ishte plagosur nga policia. Pas refuzimit të kërkesës së tyre, deputetët nisën të hidhnin ujë dhe dokumente në drejtim të kryetarit të Kuvendit, duke shkaktuar përplasje fizike.

Edhe gjatë fundjavës, disa qindra protestues, shumë prej të cilëve të veshur me të zeza dhe me fytyrat pjesërisht të mbuluara, pasi u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, vendosën të marshonin drejt godinës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në zemër të pushtetit në Tiranë. Thirrjet që dëgjohen janë të njëjtat: dorëheqja e të gjithë qeverisë dhe rikthimi në zgjedhje, me qëllim luftimin e rritjes së kostos së jetesës, korrupsionit dhe, mbi të gjitha, garantimin e një të ardhmeje për brezat e rinj. Megjithatë, tashmë në rrugë po dëgjohet gjithnjë e më shpesh fjala “revolucion”.

Policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion të lartë. Një i ri arriti t’i afrohej një autoboti të policisë, u kap pas tij dhe refuzoi të lëshonte, pavarësisht gazit lotsjellës. Efektivët e FNSH-së e tërhoqën zvarrë, por i riu pësoi probleme shëndetësore dhe u transportua në spital. Ndërkohë, një tjetër i ri u plagos në sy nga një plumb gome dhe u dërgua në Itali për të marrë trajtim mjekësor. Protestuesit gjithashtu i vunë flakën një zone pranë urës afër godinës së ETC-së (European Trade Center), si dhe hyrjes së Ministrisë së Bujqësisë, duke bllokuar qarkullimin rrugor.

Edi Rama ka deklaruar se është i gatshëm të diskutojë për kostot e larta të universitetit dhe gjendjen e arsimit në vend, por nuk ka treguar asnjëherë një hapje të mirëfilltë ndaj atyre që kanë dalë në shesh. Përkundrazi, ai ka angazhuar forcat e rendit për të mbrojtur zonat kyçe të kryeqytetit. Kryeministri ka folur gjithashtu, në mënyrë të përgjithshme, për ndikime nga Rusia dhe Irani, të cilat, sipas tij, synojnë rrëzimin e qeverisë për të penguar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Rama i ka cilësuar studentët protestues si persona të radikalizuar, ndërsa në tryezën e qeverisë, sipas tij, ndodhet edhe një propozim për uljen e moshës së përgjegjësisë penale, me qëllim ndëshkimin edhe të të miturve. Ekzekutivi ka vendosur gjithashtu të japë një bonus prej 2.500 eurosh për efektivët e policisë të angazhuar në shtypjen e protestave.

Përballë përkeqësimit të situatës, qeveria është përpjekur të hapë një kanal dialogu, por protestuesit kanë shkatërruar dhe djegur disa karrige të vendosura përpara godinës së Kryeministrisë, të cilat ishin vendosur si një ftesë për dialog.

Deputeti socialist dhe ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë Rama, Pirro Vengu, mbron qëndrimin e qeverisë. “E konsideroj të turpshme përpjekjen për të përdorur dhunën në rrugë për të rrëzuar një qeveri të zgjedhur në mënyrë legjitime nga populli shqiptar. Opozita humbet prej 13 vitesh dhe e vetmja mënyrë për t’u rikthyer në pushtet është të përpiqet të organizojë një lloj grushti shteti të heshtur. Ne qëndrojmë në krah të policisë dhe të atyre që duan të ruajnë rendin, por mbi të gjitha qëndrojmë në krah të atyre që duan të mirën e Shqipërisë”, deklaron ai.

Partia Demokratike në opozitë drejtohet ende nga Sali Berisha, ish-kryeministër dhe ish-president i Republikës. Berisha nuk ka marrë pjesë në protesta, duke qëndruar në selinë e partisë së tij, ndërsa disa prej figurave të afërta me të kanë dalë në rrugë. “Partia Demokratike mbështet edhe në Parlament kërkesat e të rinjve tanë”, deklaron Berisha. “Në krah të tyre janë tre musketierët tanë, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Agron Gjekmarkaj, tre deputetë që i kuptojnë nevojat e brezave të rinj”.

Megjithatë, lëvizja protestuese refuzon politikanët e zakonshëm. Disa përfaqësues të Partisë Demokratike janë sulmuar dhe larguar nga protestuesit gjatë marshimeve. Në shumë prej tyre dëgjohen thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur refuzimin e plotë ndaj dy figurave kryesore të politikës shqiptare dhe duke treguar se protestuesit nuk ndihen të përfaqësuar nga partitë tradicionale.

Ndërkohë, krahas studentëve, në protesta pritet të marrin pjesë edhe mësues, artistë, inxhinierë, arkitektë dhe përfaqësues të sindikatave, duke e zgjeruar lëvizjen në një pjesë gjithnjë e më të madhe të shoqërisë shqiptare. Një shoqëri e lodhur, që kërkon një ndryshim rrënjësor dhe një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.

 

Po ndodh...