Përçarje në Izrael në ditën e zgjedhjeve, Netanyahu përplaset me shefin e ushtrisë për sulmin ndaj Iranit

27 October 2026, 13:01 / BOTA ALFA PRESS

Përçarje në Izrael në ditën e zgjedhjeve, Netanyahu

Izraeli po zhvillon zgjedhjet parlamentare në një klimë tensionesh të forta politike dhe ushtarake, ndërsa raportimet e mediave vendase kanë nxjerrë në pah përplasje të mundshme mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, gjenerallejtënant Eyal Zamir, lidhur me planet për një sulm ndaj Iranit. Sipas televizioneve izraelite Channel 12 dhe Channel 13, Zamir ka qenë i vetmi drejtues i lartë i sigurisë që ka kundërshtuar një operacion ushtarak kundër Teheranit, të cilin, sipas këtyre raportimeve, e mbështesnin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

Kreu i ushtrisë izraelite ka paralajmëruar se një sulm i tillë mund të shkaktonte një konflikt të menjëhershëm me Iranin, duke rrezikuar sigurinë e vendit dhe zhvillimin normal të zgjedhjeve parlamentare. Mediat izraelite raportuan gjithashtu se Netanyahu mund të synonte shkarkimin e Zamirit në rast se siguronte një mandat të ri qeverisës, nëse gjenerali nuk vendoste të jepte dorëheqjen. Megjithatë, kryeministri izraelit i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar raportimet si të pavërteta.

Trump kundërshtoi kërkesën për sulm të përbashkët ndaj Iranit
Sipas CNN, Izraeli kishte ushtruar presion ndaj administratës amerikane gjatë javëve të fundit për zhvillimin e sulmeve të përbashkëta kundër objektivave iraniane. Por presidenti amerikan Donald Trump raportohet se nuk e ka pranuar kërkesën, ndërsa një nga shqetësimet lidhej me pasojat që një përshkallëzim ushtarak mund të kishte mbi procesin zgjedhor izraelit. Sipas raportimeve, Zamir kishte paralajmëruar edhe drejtuesit më të lartë ushtarakë amerikanë për rreziqet e operacionit. Gjenerali izraelit kishte kërkuar konsultime të mëtejshme dhe një autorizim ligjor me shkrim, të nënshkruar nga Netanyahu, përpara ndërmarrjes së çdo veprimi ushtarak. Ai kishte paralajmëruar gjithashtu se lëvizjet ushtarake izraelite mund të interpretoheshin gabimisht nga Teherani dhe të nxisnin një sulm parandalues iranian.

Në të kundërt, sipas mediave, drejtori i shërbimit të sigurisë së brendshme Shin Bet, David Zini, dhe kreu i Mossadit, Roman Goffman, mbështesnin ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme. “Koha nuk është në anën tonë”, mësohet të ketë deklaruar Goffman. Gazeta Haaretz raportoi se edhe brenda Mossadit kishte kundërshtime, pasi disa zyrtarë të lartë dyshonin se planet ushtarake mund të lidheshin me interesat politike dhe zgjedhore të kryeministrit. Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mes udhëheqjes politike dhe asaj ushtarake, sipas transmetuesit publik izraelit Kan, lidhet me operacionin e ushtrisë në Hebron, në Bregun Perëndimor.

 

Operacioni nisi pas vrasjes së dy ushtarëve izraelitë nga persona të armatosur palestinezë dhe, sipas raportimeve, shkaktoi zhvendosjen e rreth 3 mijë palestinezëve. Zamir mësohet të ketë argumentuar se objektivat ushtarake ishin përmbushur dhe se nuk ekzistonte më një bazë ligjore për të penguar kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre. Gjatë operacionit u kontrolluan rreth 500 ndërtesa dhe u gjetën vetëm dy armë, ndërsa Netanyahu, sipas raportimeve, kërkoi vazhdimin e ndërhyrjes.

Netanyahu mohon shkarkimin e Zamirit: Do të vazhdojmë të punojmë së bashku
Kryeministri izraelit ka reaguar ashpër ndaj raportimeve, duke mohuar si përplasjen me shefin e ushtrisë, ashtu edhe pretendimet për shkarkimin e tij.

“Nuk kam ndërmend ta shkarkoj shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Ne vazhdojmë të punojmë së bashku për sigurinë e Izraelit. Qëllimi im është të eliminoj përgjithmonë kërcënimin bërthamor iranian, në bashkëpunim me mikun tim, Donald Trump”, deklaroi Netanyahu. Edhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i cilësoi raportimet si të pabaza, duke theksuar se Izraeli nuk kishte planifikuar të niste një sulm ndaj Iranit përpara zgjedhjeve. Nga ana tjetër, rivali i Netanyahut, ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, reagoi duke paralajmëruar se siguria kombëtare nuk duhet të përdoret për interesa politike. Eisenkot deklaroi se Zamir duhet ta përfundojë mandatin sipas afateve ligjore dhe akuzoi Netanyahun se po vendos interesat e tij politike mbi sigurinë e shtetit. Raportimet për mosmarrëveshjet vijnë në një moment vendimtar për Izraelin, ndërsa qytetarët votojnë për përbërjen e parlamentit të ri dhe drejtimin e ardhshëm politik të vendit.

 

Po ndodh...