Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti në Japoni, vijojnë operacionet e shpëtimit

30 July 2026, 10:57 / BOTA ALFA PRESS

Rritet bilanci i viktimave nga tërmeti në Japoni, vijojnë

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi jugperëndimin e Japonisë është rritur në 30, konfirmoi të enjten kryeministrja Sanae Takaichi.

Tërmeti me magnitudë 6.8 goditi prefekturën Kumamoto, në ishullin Kyushu, të martën, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa, rrjetin elektrik dhe ndërtesa publike. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e personave të mbetur nën rrënoja, shkruan A2.

Një nga incidentet më të rënda ndodhi në një qendër tregtare, ku shembja e një pjese të ndërtesës dhe një shpërthim që ndodhi rreth një orë më vonë shkaktuan disa viktima. Presidenti i kompanisë Aeon deklaroi se shpërthimi ka shumë gjasa të ketë qenë pasojë e rrjedhjes së gazit, ndërsa hetimet janë ende në vazhdim.

Rreth 9 mijë banorë të zhvendosur janë strehuar në qendrat e evakuimit, ndërsa mbi 30 mijë familje mbetën pa energji elektrike. Autoritetet po përballen edhe me temperaturat e larta, të cilat pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius në ditët në vijim.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, njoftoi dërgimin e 300 kondicionerëve në prefekturën Kumamoto, ku gjysma e tyre do të vendosen në qendrat e evakuimit për të përmirësuar kushtet e të strehuarve.

Që nga tërmeti janë regjistruar më shumë se 100 pasgoditje, duke bërë që shumë banorë të kalojnë netët në automjetet e tyre nga frika e lëkundjeve të reja.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë edhe në një fabrikë të kompanisë Nippon Paper në qytetin Yatsushiro, ku të paktën pesë persona humbën jetën pas shembjes së pjesshme të godinës. Nga 11 persona që mbetën të bllokuar, shtatë janë nxjerrë të gjallë.

Po ndodh...

ide