Sekretariati i Energjisë: Shqipëria, ende pa rezervat 90-ditore të naftës sipas kërkesave të BE-së

9 October 2026, 08:40 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Sekretariati i Energjisë: Shqipëria, ende pa rezervat 90-ditore

Shqipëria nuk ka përmbushur ende detyrimin për krijimin e rezervave emergjente të naftës, ndërsa qeveria po përgatit kalimin drejt një sistemi të administruar nga shteti. Zhvillimi vjen në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike, kur ndërprerjet e furnizimit dhe rritja e çmimeve po vënë në provë sigurinë energjetike të vendeve europiane.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, në dokumentin paraprak të raportit për rezervat e naftës për vitin 2026, publikuar këto ditë evidenton se Shqipëria vijon të mbështetet te sistemi aktual, ku kompanitë private kanë detyrimin të mbajnë rezerva fizike për 30 ditë dhe rezerva kontraktuale për 60 ditë të tjera.

“30 ditë rezerva fizike të detyrueshme, plus 60 ditë rezerva ‘kontraktuale’, të mbajtura nga industria (2026)”, thuhet në dokumentin e Sekretariatit.

Në raport theksohet gjithashtu se “Asnjë nga tetë tregjet e përfshira nuk e ka arritur kërkesën 90-ditore të Direktivës për Rezervat e Naftës”, duke konfirmuar se asnjë nga vendet e analizuara nuk ka arritur ende nivelin e rezervave të kërkuara nga legjislacioni europian.

Për Shqipërinë, Sekretariati përcakton si hapin e radhës atë që lidhet me projektligjin e ri.  “Projektligji për një sistem të drejtuar nga një agjenci shtetërore mbërriti në Parlament në vitin 2026”.

Drafti i ri

Në shtator, qeveria miratoi projektligjin që parashikon krijimin e Autoritetit për Rezervën e Sigurisë së Naftës, një operator publik që do të jetë përgjegjës për blerjen, depozitimin, administrimin dhe përdorimin e rezervave të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.

Modeli i propozuar ndryshon nga sistemi aktual, ku përgjegjësia për mbajtjen e rezervave i takon sektorit privat. Projektligji parashikon gjithashtu përfshirjen e operatorëve ekonomikë në depozitimin e rezervave dhe vendosjen e një tarife për financimin e krijimit dhe mirëmbajtjes së tyre.

Vlera e tarifës do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Shoqata e Hidrokarbureve ka paralajmëruar se kostot shtesë të krijimit dhe administrimit të rezervës mund të reflektohen në çmimet përfundimtare të karburanteve, nëse nuk mbulohen tërësisht nga shteti dhe diçka e tillë është pranuar edhe nga qeveria në dokumentet që shoqërojnë draftin tashmë në Kuvend.

Çështja e rezervave ka marrë rëndësi të veçantë gjatë vitit 2026, kur konfliktet në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjet në rrugët ndërkombëtare të transportit kanë shkaktuar goditje të forta në furnizimin me naftë.

Sekretariati e përshkruan situatën si “ajo që po shndërrohet në goditjen më të rëndë të furnizimit me naftë në më shumë se gjysmë shekulli”, duke theksuar se furnizimi ka vijuar, “por me një kosto të lartë dhe me rezerva të kufizuara”.

Gjithsesi tregjet e rajonit kanë vijuar të furnizohen, rezervat tregtare mbeten të kufizuara dhe mund të shterojnë shpejt gjatë ndërprerjeve.

Raporti evidenton edhe rolin e Shqipërisë në furnizimin rajonal: “Shqipëria siguroi rreth 50–60% të karburantit të Kosovës gjatë ndërprerjes së furnizimit në vitin 2026”.

Sekretariati nënvizon se krijimi i rezervave emergjente duhet të shoqërohet me procedura të qarta për përdorimin e tyre në situata krize, në përputhje me kuadrin europian të sigurisë së furnizimit./Monitor

Po ndodh...