Shënoi supergol, Muçi: Shpresoj që Salah të më propozojë te Liverpooli

13 November 2026, 16:46 / SPORT ALFA PRESS

Shënoi supergol, Muçi: Shpresoj që Salah të më

Ernest Muçi ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores 2-0 të Shqipërisë ndaj Finlandës në Ligën e Kombeve. Sulmuesi kuqezi dhuroi spektakël në fushë, duke realizuar një gol të mrekullueshëm dhe duke fituar duelin që solli edhe ndëshkimin me karton të kuq të njërit prej kundërshtarëve.

Pas ndeshjes, Muçi nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen e tij, ndërsa foli edhe për objektivat në karrierë. Futbollisti shqiptar pranoi se një nga ëndrrat e tij është të transferohet në një prej pesë kampionateve më të forta të Europës.

“Jam shumë i lumtur që po tregoj më të mirën. Shpresoj që një ditë të arrij të transferohem në një nga pesë ligat më të forta në botë. Ishte një nga golat më të bukur në karrierën time. Portieri po priste shumë goditje, topi më erdhi mirë, e godita dhe jam i lumtur. Këmbën tani e kam mirë, por nesër do ta kontrolloj më mirë”, u shpreh Muçi.

Sulmuesi foli edhe për ndërhyrjen e rëndë që pësoi gjatë takimit, duke treguar se gjendja fizike ishte përmirësuar. Ai theksoi gjithashtu se po ndihet gjithnjë e më mirë në grupin e Kombëtares dhe po përshtatet me shokët e skuadrës.

“Ishte një ndërhyrje shumë e keqe. Ndihem çdo ndeshje edhe më mirë me shokët e ekipit. Ndeshje pas ndeshjeje po përshtatem gjithnjë e më shumë me grupin. Është një ndjenjë shumë e mirë të jem pjesë e këtij ekipi”, deklaroi futbollisti.

Muçi konfirmoi se motivimi për të përfaqësuar Shqipërinë mbetet maksimal, ndërsa shpreson që golat dhe paraqitjet pozitive të vazhdojnë edhe në sfidat e ardhshme.

Por pjesa më interesante e intervistës erdhi kur u pyet për një transferim të mundshëm te Liverpooli. Me humor, Muçi përmendi edhe Mohamed Salah, duke shpresuar që ylli egjiptian t’ia propozojë emrin drejtuesve të klubit anglez.

“Jam shumë i motivuar për të dhënë më të mirën me Kombëtaren. Kam ende shumë dëshirë të luaj për Shqipërinë dhe shpresoj të shënoj edhe gola të tjerë. Shpresoj që Salah të më propozojë te Liverpooli! Është lojtar shumë i zgjuar. Ndihem shumë mirë me të, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Është një njeri që bën shumë për ekipin”, përfundoi Ernest Muçi.

Po ndodh...