Shqiptarët mbledhin 99 mijë dollarë për Parashqevi Simakun, Elton Ilirjani bën deklaratën e fortë: Asnjë biznesmen s’më ka kontaktuar, më vjen keq...

23 Dhjetor 2024, 23:45 / SHOWBIZ ALFA PRESS

Shqiptarët mbledhin 99 mijë dollarë për Parashqevi Simakun,
Një javë më parë, Parashqevi Simaku u shpëtua nga stacioni i trenit ku dhe qëndronte në New York, për t’iu ofruar një jetë dinjitoze, ashtu si e madhja artiste shqiptare e meriton.

Ishte shqiptarja Elvira Tata dhe biznesmeni Elton Ilirjani ata të cilët u kthyen në “heronjtë” e Parashqevisë dhe përgjatë gjithë këtyre ditëve janë kujdesur që ta kthejnë këngëtaren shqiptare ashtu si dhe ajo ka qenë vite më parë, shndritëse, plot dinjitet dhe dashuri për jetën dhe profesionin e saj.

Ndërkohë, pas gjetjes së Parashqevisë të shumtë kanë qenë ata biznesmenë të cilët u ofruan për ta ndihmuar. Por, sipas asaj që Eltoni thotë së fundmi asnjë prej atyre biznesmenëve nuk e ka kontaktuar as atë, as familjarët e saj.

“Dua të them dy fjalë me çfarë po ndodh dhe ku jemi me rastin e Parashqevi Simakut. Sot është një javë që nga momenti që ne e gjetëm atë në stacionin e trenit këtu në New York. Dua që të jap informacion çfarë ka ndodhur dhe ku ndodhemi me ndihmën që i është dhënë dhe me premtimet i janë bërë nga biznesmenë të ndryshëm.

Për momentin ne si grup dhe familjarë të Parashqevi Simakut nuk kemi parë asnjë ndihmë konkrete nga këta biznesmenë që u deklaruan me të madhe që do ta ndihmonin. Deri në këtë moment, deri sot, në këtë datë 22 dhjetor 2024 unë, Elvira, Vëllai i Parashqevisë, nipi, mbesa të gjithë ne nuk kemi marrë asnjë njoftim, nuk jemi kontaktuar nga asnjë biznesmen shqiptar të cilët të kenë shprehur dëshirën për ta ndihmuar në mënyrë konkrete Parashqevi Simakun. Më vjen keq që të pranoj që askush nuk është ofruar nga këta persona për ta ndihmuar.

Nuk e di pse ka ndodhur kjo gjë, ndoshta nuk besojnë te unë te Elvira, te familjarët e afërt, por nuk kam asnjë shpjegim deri më tani”, tha Eltoni, teksa më tej bëri me dije se deri më tani shqiptarët, përmes llogarisë në “Gofundme” kanë arritur që të mbledhin 99 mijë dollarë.

“Deri në këto momente në Gofund shuma ka arritur 98 mijë dollarë, ku vihet re që rreth 1400 kontribues kanë dhënë shuma modeste por shumë të vlefshme që kanë dalë nga shpirti dhe dashuria që kanë për këtë këngëtare të madhe.

Më vjen shumë keq por unë aty nuk shoh asnjë biznesmen të fuqishëm që të ketë kontribouar. Nuk e kuptoj pse nuk duan që të bëhen pjesë e rikthimit në jetë të një dive kaq të madhe.

Kur po flisnim me Parashqevinë për nismën Gofundme nuk ishte asnjë nga emrat të cilët folën që do ta ndihmonin dhe Parashqevia nuk i njeh shumicën e tyre dhe më tha ‘Elton mos u mërzit nuk ka rëndësi ne e kemi një shtëpi e kemi një vatër të ngrohtë, dhe më tha për mua është një fjalë e urtë popullore që është më mirë të kesh një mik sesa një çiflig”, tha ai ndër të tjera.