Liga e Kampioneve dhe titulli, lumë të ardhurash tek Interi

27 Mars 2025, 09:51 / SPORT ALFA PRESS

Liga e Kampioneve dhe titulli, lumë të ardhurash tek Interi

Interi po përgatitet për sprintin final të një sezoni në të cilin është ende në garë për të gjithë trofetë e mëdhenj. Nuk është se ka nevojë për motivime, por drejtuesit duan t’i shtojnë skuadrës pak nxitje shtesë.

Në fakt, “La Gazzetta dello Sport ka bërë llogaritë për klubin zikaltër, duke zbuluar se si çdo triumf në kampionat, Kupë apo Champions jo vetëm që do t’i çmendte tifozët nga gëzimi, por do të ndikonte tejet pozitivisht edhe portofolët e Simone Inzagit dhe skuadrës.

Kontrata e trajnerit, e cila tashmë ishte ndryshuar me një shtesë të ndjeshme pas fitimit të titullit vitin e kaluar, përfshin një bonus prej një milion eurosh për fitimin e titullit në këtë sezon. +3 në renditje ndaj Napolit dhe +6 ndaj Atalantës tashmë po e bëjnë trajnerin të mendojë edhe për fitimet, edhe pse suksesi për dy vite radhazi ka pesë vjet që nuk përjetohet nga një skuadër në Serinë A.

PO ME TRIPLETË? – Kjo nuk është e gjitha, sigurisht, sepse ndërsa titulli mbetet objektivi kryesor, i cili gjithashtu do ta fuste Inzagin në “Olimpin” e trajnerëve zikaltër si i pesti në histori që fiton dy radhazi pas Fonit, Herreras, Mançinit dhe Murinjos, një sukses në Kupën e Italisë dhe sidomos në Champions, nuk mund të mos jenë joshës. Sidomos kjo e fundit, dy vjet pas zhgënjimit të Stambollit, ku Interi humbi minimalisht finalen ndaj Sitit që djersiu jo pak për të ngritur trofeun.

Edhe në këtë rast, nuk mungojnë stimujt financiarë: vlerësohet se, në rast të suksesit në të gjitha turnetë, pra, të një “triplete”, klubi do të kishte 6 milionë euro për të ndarë në organikë. Pra, ka më shumë se thjesht disa arsye të mira për të provuar të ribërë historinë, siç bëri Murinjo 15 vjet më parë. Por Inzagi ka thënë se Interi duhet të synojë edhe Botërorin për klub. Në rast triumfi ndërkombëtar, vetëm klubi do të arkëtonte 116 milionë euro dhe është e lehtë të hamendësohet se cili do të ishte përfitimi i Lautaros me shokë.

Po ndodh...