Shifrat e Shkëmbit/ Tirana, problemi është mbrojtja

29 Mars 2025, 15:38 / SPORT ALFA PRESS

Shifrat e Shkëmbit/ Tirana, problemi është mbrojtja

Tirana është në momentin e saj më delikat. Bardheblutë duhet të pranojnë se këtë sezon skuadra nuk është se ka vuajtur problemin e trajnerit, por “Thembra e Akilit” është mbrojtja.

Rikthimi i Bledi Shkëmbit në krye të skuadrës, nuk solli ndonjë gjë të madhe. Ekipi ka pak a shumë të njëjtin ritëm që kishte si në epokën “1” të Bledi Shkëmbit, por edhe me Gugash Maganin. Skuadra nuk di të fitojë dhe nuk bën dot dy triumfe rresht. Jo vetëm kaq, por bardheblutë janë salduar te barazimet.

MBROJTJA – Siç edhe shumë vetë e dinë, Tirana është mbrojtja e dytë më e keqe e Superiores. Janë 40 gola të pësuar dhe 36 të shënuar. Një numër i rëndë për Tiranën, që tregon se pas është shumë e dobët. Më keq se bardheblutë ka bërë Bylisi.

Gjithsesi, tej faktit dhe shifrave ajo që bie në sy është se Tirana pëson shumë lehtë. Golat që marrin bardheblutë janë qesharakë, aq sa ndonjëherë çudisin të gjithë. Në 31 javë 40 gola, çka do të thotë se Tirana pëson çdo ndeshje 1.3 gola. Historia e mbrojtjes nuk është e re.

Sezonin e shkuar bardheblutë ishin mbrojtja e dytë më e keqe e historisë, me 49 gola të pësuar. Kur duhen edhe pesë takime, Tirana rrezikon të thyejë rekordin e saj për golat e pësuar.

5 FINALET – Ndaj dy skuadrave që janë në mesin e tabelës, Tirana ka pasur vështirësi për t’i mundur. Në të gjashtë takimet, me ekipet në fjalë, ka marrë vetëm nga një pikë për sfidë dhe këtë kampionat nuk e ka shijuar triumfin.

Ka qenë shumë pranë gjithmonë për t’i mundur dy klubet, por asnjëherë nuk ia ka dalë. Në këtë fazë të katërt, të paktën, njërën prej tyre, duhet ta gjunjëzojë. Siklet është vetëm Elbasani, pasi i pret bardheblutë, ndërsa derbi mbetet i hapur.

Skënderbeu është një tjetër skuadër që për kryeqytetasit është “hambar” pikësh. Më saktë, dy triumfe dhe një barazim për bardheblutë, që tani duhet të fitojnë edhe ndeshjen e tretë nga katër sfidat. Me një llogari të thjeshtë, nëse ia dalin që të marrin këtë 3-pikësh, të paktën do të mbante poshtë(nëse renditja është kështu) një ekip.

Teuta dhe Dinamo janë dy skuadrat më të forta dhe që kanë qenë tersi i klubit kryeqytetas. Ndaj secilës, vetëm nga një barazim dhe katër humbje.

Si Teuta dhe Dinamo janë shumë të vështira për bardheblutë, ndërsa mesatarja e pikëve që mund të marrë me projeksionin duke u bazuar tek e kaluara është 7 pikë, që nuk dihet nëse në fund do t’u mjaftojnë bardhebluve për të qëndruar në Kategorinë Superiore.

 

Po ndodh...