"UÇK, UÇK, UÇK”/ Kosova u ngrit në këmbë për Çlirimtarët

12 September 2026, 18:30 / KOSOVA ALFA PRESS
"UÇK, UÇK, UÇK”/ Kosova u ngrit në

Nga marshimi i vitit 1999 te “Marshi për Liri”

Para mijëra qytetarëve foli Eliza Hoxha, njëra prej organizatoreve të “Marshit për Liri”. Ajo e lidhi marshimin e sotëm me një tjetër marsh, atë të vitit 1999, kur ushtarët e UÇK-së marshuan nëpër Kosovë pas përfundimit të luftës.

“Shtatori i vitit 1999 e gjeti Kosovën me rrugë të mbushura me ushtarë të UÇK-së. Pas demilitarizimit të UÇK-së, ata marshuan në çdo qytet të Kosovës në mënyrë simbolike, për të festuar lirinë për qytetarët dhe për t’u bashkuar më pas në Prishtinë me një mesazh të vetëm: Kosova ishte e lirë, amaneti ishte në vendin e vet dhe ditë të bardha e të mira do të ishin përpara nesh”, tha Hoxha.

Nga platforma “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli tha se ditët e fundit, sipas tij, kanë dëshmuar edhe një herë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës për UÇK-në.

“Këto ditë anembanë Kosovës e kemi pa veç një gja, që Kosova e don UÇK-në, ama bash përnime”, tha Tasholli.

Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për dëmtimin e reputacionit dhe vlerës së UÇK-së, ajo është rikthyer fuqishëm në vëmendjen e qytetarëve.

“Sot armiqve po u flet populli i lirë i Kosovës”

Në mesin e folësve ishte edhe kreu i Aleancës, Ardian Gjini. Nga sheshi, ai tha se marshimi ishte një mesazh që Kosova po ia dërgon botës, miqve të saj, por edhe kundërshtarëve, njofton Klankosova.tv.

“Kosovë, gjithë këta njerëz sot i flasin gjithë botës. Po i flasim edhe njëri-tjetrit. I flasim miqve që na kanë dëgjuar në vitin 1999, por po u flasim edhe armiqve. Sot armiqve po u flet populli i lirë i Kosovës. Gjithë ju që jeni këtu – LIRI!”, deklaroi Gjini.

Përgjigjja e turmës ishte:

“UÇK! UÇK! UÇK!”

Në shesh foli edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se Kosova kujton, nderon dhe mbron sakrificën e UÇK-së.

Ai tha se vendimi që pritet të lexohet në Hagë më 16 shtator do të ndihet veçanërisht nga familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës, nënat që vazhdojnë të mbajnë dhimbjet e luftës dhe fëmijët që u rritën pa baballarët e tyre.

Një nga momentet më të ndjera të marshit ishte dalja në skenë e Buna Mustafës, vajzës së Sali Mustafës – Calit.

Ajo u prit me duartrokitje dhe thirrje nga masa. Qindra zëra nisën të brohorasin emrin e babait të saj: “CALI! CALI!”

Buna e nisi fjalën me një mesazh për ish-ushtarët e UÇK-së dhe me kërkesën që, siç tha ajo, e vërteta të zbardhet.

“Ditët po kalojnë, vitet po ndërrohen, mendjet po kthjellohen, por edhe e vërteta çdo ditë e më shumë po ndriçohet, se UÇK nuk ka qenë rastësi, por domosdoshmëri historike”, tha ajo, e përfshirë nga emocionet.

Në vazhdim, ajo tha se UÇK-ja, sipas saj, nuk kishte terrorizuar civilë dhe nuk kishte dhunuar apo abuzuar me gra e fëmijë të përkatësive të tjera.

“Populli foli”

Për orë të tëra, Prishtina u kthye në një det flamujsh kuq e zi dhe simbolesh të UÇK-së.

Thirrjet për liri dhe drejtësi u ndërthurën me këngë patriotike. Familjarë, veteranë, të rinj e të moshuar qëndruan së bashku deri në fund të marshit.

Marshi nisi me këngë dhe me këngë u mbyll.

Por ajo që mbeti pas tij ishte një mesazh i fuqishëm i mijëra qytetarëve që mbushën kryeqytetin.

UÇK – tri shkronja të arta që sot u dëgjuan në çdo cep të Prishtinës.

Më 16 shtator, sytë e Kosovës do të jenë të kthyer nga Haga.

Deri atëherë, rrugët e Prishtinës e dhanë mesazhin e tyre:

Kosova e kujton luftën.
Kosova e nderon sakrificën.
Kosova kërkon drejtësi.

LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!

"Kosova Po Pret".

Po ndodh...

ide