Vendimi i Hagës/ Britania thirrje për qetësi: Mbështesim fuqishëm Kosovën, jemi krenarë për ndërhyrjen e NATO-s më 1999

16 September 2026, 18:47 / KOSOVA ALFA PRESS
Vendimi i Hagës/ Britania thirrje për qetësi: Mbështesim

Mbretëria e Bashkuar ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Kosovën pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministri britanik për Evropën, Stewart Wood, ka deklaruar se Londra respekton pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe procesin e tyre gjyqësor, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në rajon.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet mike dhe partnere e afërt e Kosovës, duke mbështetur fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, si dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Wood.

Ai ka theksuar gjithashtu rolin e Britanisë së Madhe në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

 

“Jemi krenarë për rolin që luajtëm së bashku me aleatët e NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, ka thënë ministri britanik.

Wood e ka cilësuar aktgjykimin si një moment të rëndësishëm, por ka nënvizuar se ai lidhet me individë dhe nuk përbën gjykim për shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj.

Në reagimin e tij, ministri britanik u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe figurave publike që të promovojnë qetësinë dhe të sigurojnë që reagimet ndaj vendimit të jenë paqësore.

“Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensionet ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin”, thuhet në reagim.

Wood ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët në rajon për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt e të begatë për të gjitha komunitetet.

 

Po ndodh...

ide