Vendimi në Hagë, reagon AKB: Kosova rrezikon të paguajë edhe çmimin ekonomik

16 September 2026, 18:19 / KOSOVA ALFA PRESS

Vendimi në Hagë, reagon AKB: Kosova rrezikon të paguajë edhe

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin dhe ndikimin që mund të ketë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe në klimën investuese vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj çlirimtarëve  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

AKB thekson se respekton pavarësinë e drejtësisë dhe të drejtën e palëve për të përdorur të gjitha mjetet juridike, përfshirë procedurat e apelit. Vendimi i sotëm është vendim i shkallës së parë dhe procesi juridik vazhdon në përputhje me procedurat e përcaktuara.

Megjithatë, si organizatë që përfaqëson interesat e sektorit privat, AKB është e detyruar të ngrejë zërin për pasojat ekonomike dhe perceptimin ndërkombëtar që zhvillime të tilla mund të krijojnë për Republikën e Kosovës.

KOSOVA NUK ËSHTË VETËM E KALUARA E SAJ – KOSOVA ËSHTË EDHE E ARDHMJA E SAJ

Sot, Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për investime të huaja, kapital, teknologji, vende të reja pune, eksporte dhe integrim në tregun evropian.

Investitorët nuk shikojnë vetëm tregun dhe kostot. Ata vlerësojnë edhe stabilitetin politik, sundimin e ligjit, sigurinë juridike dhe perceptimin ndërkombëtar të një vendi.

Vetë Banka Botërore thekson rëndësinë e investimeve të huaja për ekonominë e Kosovës dhe vëren se investimet, përfshirë IHD-të, kanë rol në financimin e ekonomisë dhe në krijimin e vendeve të punës.

Prandaj, çdo zhvillim që mund të krijojë perceptim të pasigurisë politike apo juridike duhet të trajtohet me shumë përgjegjësi nga institucionet e Kosovës.

AKB është e shqetësuar që Kosova të mos perceptohet ndërkombëtarisht vetëm përmes një kapitulli të dhimbshëm të së kaluarës, por të vlerësohet edhe për potencialin ekonomik, rininë, diasporën, ndërmarrësinë dhe mundësitë për investime.

MOS TA LEJOJMË QË IMAZHI POLITIK TË ZBEHË POTENCIALIN EKONOMIK

Kosova nuk mund të ndërtojë zhvillim ekonomik nëse investitorët ndërkombëtarë krijojnë perceptimin se vendi është i pasigurt politikisht ose juridikisht.

Për këtë arsye, AKB kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës,t ë forcojnë stabilitetin institucional dhe politik,të rrisin besimin e investitorëve vendorë dhe të huaj,të zhvillojnë një diplomaci më aktive ekonomike,të komunikojnë qartë me partnerët ndërkombëtarë për potencialin ekonomik të Kosovës,të garantojnë siguri juridike dhe sundim të ligjit,dhe të punojnë që zhvillimet politike e juridike të mos dëmtojnë ekonominë dhe bizneset e Kosovës.

Kosova nuk guxon të shihet si një vend pa perspektivë.

Kosova është një vend me ekonomi të re, me mijëra ndërmarrje, me një gjeneratë të re të ndërmarrësve, me diasporë të fuqishme dhe me potencial të madh për investime.

Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund ta mbrojmë të ardhmen.

AKB konsideron se drejtësia dhe zhvillimi ekonomik nuk duhet të vendosen përballë njëri-tjetrit. Kosova ka nevojë për drejtësi, por njëkohësisht ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet, investime dhe vende të reja pune.

THIRRJE PËR UNITET EKONOMIK DHE INSTITUCIONAL

Në këtë moment të ndjeshëm për vendin, AKB u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe institucionalë që të tregojnë përgjegjësi dhe të mos lejojnë që përplasjet politike të thellohen në dëm të ekonomisë.

Bizneset nuk kanë kufij partiakë. Investimet nuk kanë ngjyrë politike. Punësimi nuk ka parti. E ardhmja ekonomike e Kosovës është interes i përbashkët kombëtar.

AKB do të vazhdojë të jetë zë i sektorit privat dhe do të punojë në Kosovë dhe jashtë saj që vendi ynë të prezantohet si partner i besueshëm ekonomik, vend i sigurt për investime dhe pjesë e pandashme e tregut evropian.

Kosova ka nevojë për drejtësi, por Kosova ka nevojë edhe për ekonomi.

Kosova ka nevojë për institucione, por edhe për investime.

Kosova ka nevojë për kujtesë historike, por mbi të gjitha duhet të ndërtojë të ardhmen tha kryetari  Agim Shahini nga AKB. (A2 Televizion)

Po ndodh...

ide