Dënimi në Hagë, festë e turpshme në Serbi/ Titujt e rëndë kundër Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së

16 September 2026, 14:51 / KOSOVA ALFA PRESS
Dënimi në Hagë, festë e turpshme në Serbi/ Titujt e

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është përcjellë me tone të ashpra nga një pjesë e konsiderueshme e mediave serbe.

Në raportimet e tyre, katër ish-krerët e UÇK-së nuk paraqiten thjesht si të pandehur të një procesi gjyqësor, por shpesh shoqërohen me etiketime të forta dhe gjuhë të ngarkuar, duke e paraqitur vendimin si një goditje ndaj figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Udhëheqësit e UÇK-së kriminale” është një nga formulimet e përdorura nga Politika, e cila në raportimin e saj për vendimin i referohet gjithashtu UÇK-së si “e ashtuquajtura UÇK”. Media serbe e ndërton raportimin rreth akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke rikujtuar numrin e personave që, sipas aktakuzës, pretendohet se janë mbajtur në ndalim dhe viktimat e përmendura nga Prokuroria.

Edhe Telegraf Politika përdor në titujt dhe tekstet e saj termin “të ashtuquajturit udhëheqës të UÇK-së”, ndërsa raportimin e shoqëron me një përshkrim të detajuar të akuzave të ngritura ndaj katër ish-krerëve. Media thekson se Prokuroria kishte kërkuar nga 45 vite burg për secilin prej tyre dhe se mbrojtja kishte kërkuar pafajësi.

Por gjuha bëhet edhe më e ashpër në një tjetër raportim të Telegrafit. Në një titull të publikuar pas shqiptimit të dënimit ndaj Hashim Thaçit, media përdor formulimin “Kjo është fytyra e një krimineli!”, duke e lidhur atë me reagimin e ish-presidentit në sallën e gjyqit gjatë momentit kur iu komunikua dënimi.

Ndërkohë, Mondo e ka ndjekur ngjarjen përmes një raportimi “live”, duke e vendosur vendimin në një atmosferë të tensionuar. Në fokus janë vendosur protestat dhe tubimet në Prishtinë, masat e sigurisë dhe reagimet që priteshin pas vendimit.

Një tjetër element i përsëritur në raportimet serbe është lidhja e vendimit me pretendimet për viktimat e luftës dhe me akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Telegraf Politika, për shembull, shkruan për 407 persona të ndaluar, nga të cilët 102 pretendohet se janë vrarë, duke i paraqitur këto si pjesë të akuzave të Prokurorisë.

Edhe atmosfera jashtë sallës së gjyqit është përdorur si pjesë e narrativës. Mediat serbe kanë raportuar gjerësisht për shqiptarët që u mblodhën në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa kanë vënë në dukje praninë e shtuar të policisë holandeze dhe masat e sigurisë. Telegraf Politika raportoi edhe për sekuestrimin e shtizave dhe shkopinjve të flamujve nga policia holandeze, duke e lidhur masën me parandalimin e incidenteve të mundshme.

Megjithatë, jo të gjitha mediat serbe kanë përdorur të njëjtën gjuhë. Disa raportime janë më të fokusuara te kronologjia e procesit, akuzat e Prokurorisë, argumentet e mbrojtjes dhe fakti se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë, ndaj të cilit palët kanë të drejtë ankimi.

Në thelb, pas vendimit të Hagës, një pjesë e medias serbe e ka shoqëruar lajmin me një gjuhë dukshëm më të ashpër se raportimi thjesht gjyqësor, duke përdorur përcaktime si “UÇK-ja kriminale”, “e ashtuquajtura UÇK” dhe “fytyra e një krimineli”, ndërsa vendimi është paraqitur si një zhvillim me peshë të madhe për narrativën serbe mbi luftën e Kosovës.

Po ndodh...

ide