Vendimi i Hagës, reagon Kurti: Një padrejtësi e papranueshme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar vendimin si një padrejtësi dhe duke kërkuar korrigjimin e tij në fazën e apelit.
REAGIMI
Dënimi dhe një dënim kaq i rëndë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, është një padrejtësi e papranueshme, një dënim i rëndë dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shpallur formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë boshe nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit.
Siç e dimë, gjithçka nisi më 15 prill 2008, me akuzat e ngritura në Këshillin e Evropës nga deputeti rus Konstantin Kosachev dhe serbi Millosh Alligrudiq, por duhet të sigurohemi që asgjë të mos përfundojë sot, më 16 shtator 2026. Asnjë nga pretendimet e akuzave të ekzagjeruara dhe absurde, mbi të cilat është arsyetuar krijimi i Dhomave të Specializuara, duke nisur nga “Shtëpia e Verdhë” dhe trafikimi i organeve, nuk është ngritur nga vetë Prokuroria, për shkak të mungesës së provave.
Padrejtësia e akuzave të Prokurorisë është evidentuar jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë saj. Personalitete ndërkombëtare që e kanë njohur nga afër konfliktin dëshmuan vetë në gjykatë për karakterin e luftës çlirimtare dhe të UÇK-së. Ata e përshkruan UÇK-në si një përgjigje ndaj dekadave të represionit ndaj shqiptarëve dhe hodhën poshtë pretendimin se ajo ishte përgjegjëse për spastrimin etnik. Ata dëshmuan gjithashtu kundër tezës së një komande të centralizuar që kontrollonte çdo veprim në terren.
Këto dëshmi erdhën nga njerëz që e panë luftën nga pozita të drejtpërdrejta të përgjegjësisë ndërkombëtare dhe që dëshmuan për karakterin e saj çlirimtar. Kritikat e tyre, të argumentuara në detaje, nënvizojnë se vendimi i sotëm bazohet në pikëpamje që, si nga aspekti historik ashtu edhe nga ai ligjor, janë thelbësisht të gabuara.
Siç kemi bërë që nga fillimi i këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë, me të gjitha mjetet në dispozicion, të mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e plotë të kësaj padrejtësie.
Ky aktgjykim nuk mund të lexohet jashtë historisë në të cilën lindi UÇK-ja. UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte lirinë.
Populli shqiptar i Kosovës përjetoi heqjen e autonomisë, përjashtimin nga institucionet, largimin nga vendet e punës, shkollat dhe universitetet, burgosjet, torturat dhe vrasjet. Më pas erdhën masakrat, djegia e vendbanimeve, dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocidi. Kjo vuajtje nuk ishte thjesht sfondi i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën një çështje mbijetese për një popull.
Asnjë vuajtje njerëzore nuk duhet mohuar apo zvogëluar. Por po aq e padrejtë do të ishte që konstatimet për veprime të caktuara të shndërroheshin në aktakuzë kundër UÇK-së dhe në gjykim të luftës çlirimtare.
Dhomat e Specializuara u krijuan me një mandat të posaçëm, por mandati dhe veprimtaria e tyre e përqendruan drejtësinë vetëm mbi njërën palë të luftës. Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike.
Një mekanizëm ku përgjegjësia penale përqendrohet vetëm te pjesëtarët e një populli apo komuniteti etnik, ndërsa krimet gjenocidale të palës tjetër mbeten jashtë ndjekjes efektive, ngre shqetësime serioze për barazinë para ligjit, paanshmërinë objektive dhe legjitimitetin e vetë institucionit.
Drejtësia selektive mbi baza etnike bie ndesh me parimin themelor se drejtësia jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe të perceptohet si e tillë.
Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mënyrë të plotë, dinjitoze dhe përmes mbrojtjes institucionale. Kjo është përgjegjësia jonë ndaj qytetarëve dhe besimi në të drejtën për të kundërshtuar një akt që ende nuk është përfundimtar.
Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara, por jo arsyeja pse u krijua UÇK-ja dhe ajo nuk mund të dënohet. Sepse kur atdheu nuk mund ta duronte më gjakderdhjen, ai kërkoi çlirimtarë dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Po ndodh...
ide
Tri krizat dhe tri zgjidhjet
Pafajësi për çlirimtarët, që të mos gjykohet historia!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128