Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së/ Reagon Lulzim Basha: Dënimet janë më të larta se ato të kriminelëve serbë që shfarosën qytetarë të pafajshëm

16 September 2026, 18:00 / AKTUALITET ALFA PRESS
Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së/ Reagon

Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka sjellë reagime të forta në Kosovë dhe Shqipëri. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka cilësuar aktgjykimin si “një goditje për të gjithë shqiptarët”, duke kundërshtuar ashpër masën e dënimeve të dhëna ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Basha argumenton se dënimet e shqiptuara nga Gjykata Speciale janë më të larta se dënimet e dhëna ndaj disa prej të dënuarve serbë për krime të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Sipas tij, ky është një element që ngre pikëpyetje të forta mbi vendimin e shpallur sot në Hagë.

Basha e vendos në qendër të reagimit të tij edhe dallimin që, sipas tij, duhet bërë mes luftës së UÇK-së dhe krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Asnjë krahasim nuk ekziston dhe as mund të bëhet mes luftës çlirimtare vetëmbrojtëse të Kosovës dhe krimeve të luftës, genocidit e spastrimit etnik sistematik të planifikuar dhe zbatuar nga makineria vrastare e Slobodan Milosheviçit me shokë”, shkruan Basha.

Ai sjell në vëmendje edhe një tjetër krahasim, duke pretenduar se masa e dënimeve të dhëna sot në Hagë është më e lartë edhe se dënimet e dhëna në mungesë nga gjykatat serbe ndaj drejtuesve të UÇK-së.

Sipas Bashës, kjo e bën vendimin e sotëm një çështje që tejkalon fatin individual të katër të dënuarve dhe prek marrëdhëniet mes Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit.

“Paradoksalisht, masa e dënimit shqiptuar nga gjykata speciale sot, është më e lartë se vetë dënimet e dhëna në mungesë nga Serbia kundër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shprehet ai.

Basha kërkon reagim të përbashkët Shqipëri–Kosovë
Në fund të reagimit të tij, Basha kërkon që institucionet shqiptare dhe ato të Kosovës të ndërmarrin një qëndrim të përbashkët pas vendimit.

Ai apelon që Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës të angazhohen bashkërisht, duke e konsideruar të nevojshme një përgjigje ndaj situatës së krijuar pas aktgjykimit.

“Është koha që Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës të angazhohen bashkarisht për t'i dhënë një përgjigje adekuate situatës së krijuar, në mbrojtje të interesit kombëtar”, shkruan Basha.

Gjykata Speciale dënoi sot Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burgim, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite. Në total, dënimet arrijnë në 81 vite burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.

Reagimi i Bashës i bashkohet një serie deklaratash nga Kosova, Shqipëria dhe rajoni pas shpalljes së aktgjykimit, ndërsa vëmendja tashmë pritet të përqendrohet te procesi i apelimit dhe reagimet politike që do të pasojnë.

Po ndodh...

ide