45 ditë burg për biznesmenët që dhunuan kamerierin 18-vjeçar në Golem, sot "vuloset" fati për xhaxhain e tij, shkoi për t'i vrarë me automatik

31 August 2026, 12:22 / AKTUALITET ALFA PRESS

Gjykata e Durrësit mësohet se ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 45 ditë, për djemtë e pronarit të hotelit në Golem të cilët dhunuan kamerierin 18-vjeçar. Burime për mediat bëjnë me dije se konkretisht Florian Habilaj dhe Enold Dragoti do të kalojnë prapa hekurave 45 ditë. Bëhet me dije se dyshja akuzohet për veprën penale "Plagosje e rëndë me dashje".

Po ashtu, raportohet se gjatë mesditës së sotme do të zhvillohet dhe seanca gjyqësore për 47-vjeçarin Melison Nela i cili tentoi që të hakmerrej për dhunimin e nipit të tij, kamerierit të biznesit në pronësi të familje Habilaj në Golem.

Siç kemi raportuar dhe fundjavën që lamë pas, ngjarja e rëndë e dhunës së ushtruar ndaj kamerierit 18-vjeçar, u zbulua vetëm në momentin e arrestimit të xhaxhait të tij, të cilin efektivët e Kavajës e arrestuan në flagrancë me automatik në dorë duke shmangur kështu  tragjedinë që mund të ndodhte në biznesin e familjes Habilaj.

Me të marrë vesh dhunimin e nipit të tij nga pronarët e biznesit ku ai ishte i punësuar si kamerieri, Melison Nela u përgatit për hakmarrje duke tentuar t'i merrte jetën personave që bënë për spital nipin e tij 18-vjeçar. Dhunimi i këtij të fundit ka ndodhur për motive financiare, pasi kamerieri dyshohet se kishte debatuar me pronarët e tij për shkak të mospagesës për punën e kryer. Këta të fundit, djali i pronarit Florian Habilaj dhe shoku i tij Enold Dragoti e kanë dhunuar të riun duke i lënë atij plagë të mëdha në trup, ngjarje për të cilën ai ka përfunduar në spital.

Fatmirësisht, ditën e shtunë, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke ndaluar në afërsi të hotelit automjetin që drejtohej nga Melison Nela.  Gjatë kontrollit të automjetit, në një çantë shpine, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë. Ndërsa 47-vjeçari u vu në pranga dhe pritet të përballet ditën e sotme me togat e zeza, ku do t'i komunikohen dhe akuzat.

Po ndodh...