Agroni i Flamurit, simbol i një proteste që nuk dorëzohet
Nga Ermal Peçi
Çdo mbrëmje, pak para nisjes së protestës përballë Kryeministrisë, në shesh mblidhen qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Disa mbajnë pankarta, disa flamuj, ndërsa të tjerë vijnë vetëm për të qenë pjesë e një zëri qytetar që kërkon të dëgjohet.
Mes tyre, një figurë është kthyer tashmë në një imazh të pandarë të protestës. Është Agron Jemini, i njohur nga protestuesit dheqytetarët si “Agroni i Flamurit”. Prej 42 ditësh, pa munguar asnjë mbrëmje, ai qëndron në shesh me flamurin kuqezi të ngritur lart.
Protestat zakonisht njihen për kërkesat, sloganet dhe debatet politike, por historia shpesh mban mend edhe njerëzit që, pa e kërkuar, bëhen simbole. Ata nuk marrin një rol zyrtar dhe nuk shpallen udhëheqës. Janë këmbëngulja dhe prania e vazhdueshme që i bëjnë pjesë të kujtesës së një lëvizjeje.
Për shumë protestues, Agroni është pikërisht një figurë e tillë.
Ai nuk mban mikrofon, nuk kërkon të jetë në qendër të vëmendjes dhe nuk përpiqet të flasë më shumë se të tjerët. Mesazhi i tij vjen përmes flamurit që valëvit çdo mbrëmje. Në një protestë ku njerëzit ndryshojnë, ai mbetet një pikë e qëndrueshme.
Mjafton të ndiqe intervistët e tij në Gogo.al për të njohur edhe kuptuar Agroni. Ai nuk është politikan dhe nuk ka një funksion publik. Ai punon si shpërndarës me makinë dhe si shumë qytetarë të tjerë, përballet me vështirësitë e jetës së përditshme. Arsyeja që e çoi në protestë, sipas tij, lidhet me realitetin ekonomik të familjes së tij por edhe problemet e vendit.
“Mua në protestë më ka nxjerrë pensioni i babit, i cili është shumë i ulët, 120 mijë lekë. Ka shumë arsye të tjera: Ushqimet, karburanti, çdo gjë ndikon në jetën time. Blej vetëm ushqimet bazike.”
Fjalët e tij nuk vijnë nga gjuha e politikës, por nga përvoja e një qytetari që përballet çdo ditë me rritjen e kostos së jetesës. Për Agronin, protesta nuk është një skenë politike, por një mënyrë për të shprehur shqetësimet që ai dhe shumë të tjerë përjetojnë.
Pas një dite pune, kur shumë njerëz zgjedhin të pushojnë, ai rikthehet në shesh.
“Sado i lodhur të jem nga puna, kur vij këtu dhe kap flamurin, më kap një adrenalinë që harroj gjithçka. Zemra ime rreh tek flamuri, forcën time e gjej tek njerëzit.”
Për të, flamuri nuk është thjesht një simbol kombëtar. Është mënyra për të shprehur lidhjen me vendin dhe besimin se qytetarët duhet të kenë një zë.
Në këto 42 ditë, shumë protestues e kanë lidhur vazhdimësinë e protestës edhe me figurën e tij. Sa herë flamuri ngrihet lart, ai krijon një moment bashkimi dhe reagimi emocional në shesh.
“Kur tundet flamuri, njerëzit në protestë marrin adrenalinë. Edhe kur janë në heshtje, sapo shohin flamurin reagojnë sikur marrin fuqi.”
Në lëvizjet qytetare, simbolet kanë një rol të rëndësishëm. Ato krijojnë identitet dhe i japin një proteste një fytyrë të dallueshme. Shpesh nuk janë vetëm liderët apo organizatorët që mbahen mend, por edhe qytetarët e zakonshëm që qëndrojnë aty çdo ditë.
Agroni është një shembull i kësaj këmbënguljeje.
Edhe pse kjo është protesta e parë ku merr pjesë, ai thotë se nuk e sheh praninë e tij si diçka të përkohshme. Ai beson se ndryshimi vjen vetëm kur qytetarët nuk dorëzohen.
“Jam i bindur që diçka do të ndryshojë. Nuk dua që Shqipëria të shitet, të copëtohet. Më vret shpopullimi.”
Për të, një nga plagët më të mëdha të Shqipërisë është largimi i njerëzve. Ai e sheh emigracionin dhe ndarjen e familjeve si një problem që prek të ardhmen e vendit.
Pas figurës së njeriut që çdo mbrëmje tund flamurin, fshihet edhe një histori personale. Agroni tregon se humbja e nënës dhe e vëllait e ka bërë më të fortë dhe i ka ndryshuar mënyrën se si e sheh jetën.
“Humbja e nënës dhe e vëllait më kanë bërë më të fortë. Vuajtjet më kanë bërë më të fortë.”
Këto përvoja, sipas tij, i kanë dhënë forcën për të mos u dorëzuar përballë vështirësive. Ka pasur edhe momentet të cilat e kanë prekur më shumë gjatë protestës siç ishte paralajmërimi që mori nga një kalimtar, i cili i kërkoi të hiqte dorë nga flamuri.
“Më goditën fjalët e një personi që më tha: ‘Lëre flamurin se do të ketë arrestime.’ Por unë nuk e lë flamurin kurrë dhe nuk dorëzohem.”
Për Agronin, ai flamur përfaqëson më shumë se një qëndrim në një protestë. Përfaqëson një lidhje emocionale me Shqipërinë dhe bindjen se qytetarët duhet të mos heshtin.
“Shqipëria për mua ka qenë e madhe dhe do të ngelë e madhe, sidomos me diasporën.”
Historia e protestave tregon se jo çdo simbol krijohet nga politika. Disa lindin nga qytetarë të zakonshëm që bëjnë të njëjtin veprim çdo ditë, derisa ai veprim merr një kuptim më të madh se vetë personi.
Agron Jemini nuk kërkoi të bëhej simbol. Ai thjesht zgjodhi të qëndrojë.Në një protestë ku ndryshojnë njerëzit, fjalimet dhe emocionet, ai mbetet i njëjtë: një qytetar me një flamur në dorë.
Ndoshta kjo është arsyeja pse pas shumë vitesh, kur të kujtohet kjo protestë, mund të mos mbahen mend të gjitha fjalimet, por mund të kujtohet njeriu që për sa kohë vazhdoj protesta ai nuk u lodh së mbajtur lart flamurin kombëtar, simbolin e krenarisë sonë./Mapo
Po ndodh...
ide
Për një Republikë të Katërt, të Re!
Protesta që e mplaku qeverisjen Rama
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128