KLGJ përcakton pagat e reja të gjyqtarëve
Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi të mërkurën që të ecë përpara me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15 të shkurtit të këtij viti, lidhur me statusin e pagave të magjistratëve, duke përcaktuar se ato duheshin rritur dhe kompesuar sipas këtij vendimi detyrues. Në këtë mbledhje plenare nuk morën pjesë anëtarët Violanda Theodhori dhe Klodian Kurushi.
Vendimi i KLGJ i bazuar në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese sjell rritje të ndjeshme të pagave të magjistratëve si dhe kompesimin për atë që u cilësua si “ulje e fshehtë”, e shkaktuar me ndryshimin ligjor të kryer përmes ligjit nr.33 të vitit 2023, “Për një ndryshim në ligjin nr.96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në republikën e Shqipërisë”.
Në fillim të mbledhjes plenare të mërkurën, relatori i çështjes, anëtari magjistrat, Ridvan Hado deklaroi se, pasi Komisioni i Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit disponoi aktet nga departamenti i buxhetit dhe ai juridik lidhur me progrmain e buxhetit, si dhe pasi shqyrtoi dhe analizoi arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, propozon miratimin e pagës referuar VKM-së nr.325 të vitit 2023, ku u bazua tre vjet më parë rritja e ndjeshme e pagës së administratës.
Sipas kësaj formule, nga komisioni u propozua që prej datës 1 gusht 2026 e në vijim, paga bazë referuese e gjyqtarit të jetë 222 mijë lekë, plus dhe 14 mijë lekë për shtesën e kualifikimit, në total rreth 236 mijë lekë – propozim që u miratua nga të nëntë anëtarët e pranishëm. Po ashtu, u miratua edhe propozimi për kompesimin e rritjes së munguar nga data 1 prill 2023 deri më 31 korrik të këtij viti.
Në të njëjtën vendimarrje u vendos që departamenti i buxhetit të analizojë situatën buxhetore duke përfshirë rritjen e pagave dhe kompesimin e tyre, si dhe të përllogarisë fondin buxhetor të nevojshëm që do t’i kërkohet Ministrisë së Financave.
Pas miratimit të këtij propozimi, anëtari Albens Tabaku kërkoi fjalën për të dhënë qëndrimin e tij lidhur me propozimin e seancës parardhëse për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi, me qëllim konkludimin nëse KLGJ mund të vepronte pa u kryer ndryshimet ligjore nga ana e Kuvendit.
Tabaku deklaroi se pasi kishte studiuar gjithë aktet e nevojshme, kishte konstatuar se Gjykata Kushtetuese e kishte interpretuar formulën që duhet të zbatojë Kuvendi. Ai konstatoi se argumentet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese për të gjithë institucionet, përfshi dhe KLGJ-në.
Edhe anëtarët e tjerë të KLGJ-së u shprehën se vendimarrja e Gjykatës Kushtetuese është e detyrueshme për t’u zbatuar nga gjithë institucionet, aq më tepër nga KLGj, që ka statusin e një quasi gjykate. Sipas tyre, mos kryerja e ndryshimeve do të sillte pasoja në të drejtat themelore të magjistratëve.
Në seancën plenare parardhëse të datës 21 gusht, tre anëtarë të KLGJ-së konstatuan se, pavarësisht mosveprimit të Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për statusin e pagave të magjistratëve, vendimi kushtetues ishte detyrues e duhej zbatuar. Ata propozuan që rritja e pagës të bëhej sipas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese.
Formula e vjetër dhe ajo sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2023, kur u përcaktua që paga e magjitratëve të ishte e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës, që është 450 mijë lekë, bënë që paga bazë të ishte thuajse e njëjtë në të dy rastet, rreth 153 mijë lekë. Efektet e ndryshimeve ligjore filluan nga 1 prilli i vitit 2023.
Ndërkohë që paga e magjistratëve mbeti e ngrirë për shkak se u referua sipas një kofeicenti pranë pagës së Presidentit, si dhe humbi rritjen që duhej të kishte marrë, pagat e kategorisë së krahasueshme të administratës u rritën ndjeshëm sipas VKM-së nr.325 të vitit 2023.
Me kërkesë të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, u vendos në lëvizje Gjykata Kushtetuese, e cila e çmoi antikushtetuese formulën e llogaritjes së pagës së magjistratëve sipas ndryshimeve ligjore të vitit 2023. Sipas Gjykatës Kushtetuese, formula kishte sjellë një “ulje të fshehtë” të pagës dhe bazuar në këtë argument detyroi Kuvendin e Shqipërisë që, brenda datës 31 korrik të shfuqizonte nenet përkatëse, si dhe të miratonte një formulë të re që garantonte rritjen e pagave dhe kompesimin e diferencave financiare që nga data 1 prill e vitit 2023.
Kuvendi i Shqipërisë nuk e zbatoi detyrimin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, nga për rrjedhojë Këshilli i Lartë Gjyqësor u vendos në lëvizje, me arsyetimin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është detyrues për çdo institucion.
Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht më 2 shkurt të këtij viti kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve lidhur me përllogaritjen e rritjes së pagës së magjistratëve, pavarësisht fushatës së ndërmarrë nga Kryeministri Edi Rama kundër kërkesës së paraqitur nga gjyqtarët.
Ndërkohë, pika e dytë e rendit të ditës që kishte të bënte me projektvendimin “Mbi miratimin e dokumentit të kërkesave buxhetore përprogramin buxhetor afatmesëm 2027-2029 (PBA 27-29), për sistemin gjyqësor, (faza e dytë)”, u shty me kërkesë të drejtorit të departamentit të buxhetit, i cili kërkoi kohë të reflektonte përcaktimet e vendimarrjes së të mërkurës për rritjen e pagave të gjyqtarëve./ BIRN
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128