Ishte shpallur në kërkim nga SPAK, arrestohet Ergys Agasi

26 August 2026, 19:31 / AKTUALITET ALFA PRESS
Ishte shpallur në kërkim nga SPAK, arrestohet Ergys Agasi

Ergys Agasi është arrestuar nga policia.

Mësohet se Agasi ka rënë në pranga në zonën e "Plepave" në qytetin e Durrësit.

Agasi u bë një prej personazheve qendrore të hetimit të SPAK për dyshimet mbi manipulimin e procedurave të prokurimit publik, ndërsa në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe biznesmeni Ermal Beqiri dhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Sipas materialeve të bëra publike nga hetimet, Agasi dyshohet se ka pasur rol në një skemë ku tenderë të AKSHI-t përcaktoheshin paraprakisht dhe më pas fondet përfundonin te kompani të lidhura me personat nën hetim.

Në dosje përmendet edhe kompania “EA Solution”, e lidhur me Agasin, e cila sipas hetuesve ka marrë pagesa të konsiderueshme të paraqitura si shërbime.

Një tjetër episod i rëndë i përfshirë në dosje lidhet me biznesmenin Gerond Meçe.

Sipas SPAK, Agasi, Ermal Beqiri dhe persona të tjerë dyshohet se kanë planifikuar dhe organizuar marrjen peng të Meçes, me qëllim që ai të tërhiqej nga ankimimet dhe procedurat e prokurimit të lidhura me AKSHI-n.

Agasi ishte shpallur në kërkim më 16 dhjetor 2025, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën “arrest në burg”. Ndërsa biznesmeni Ermal Beqiri u arrestua pak kohë më parë në Francë, teksa po udhëtonte me avionin e tij privat mbi një central bërthamor.

 

 

Po ndodh...