Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit për “injektimin” e parave

28 Shkurt 2025, 13:49 / AKTUALITET ALFA PRESS

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Një tjetër skandal ka dalë nga dosja hetimore e SPAK-ut e zbardhur në vendimin e gjykatës nga gjyqtari Erjon Bani.

Këtë herë bëhet fjalë se si bashkëshortja Ajola Xoxa përdorte punonjësit e saj në skemën e “injektimit” të parave.

Rasti që do të sjellim sot ka të bëjë me shtetasen Ines Dani, avokate, e cila ishte një person fizik që zyrat i kishte në kompaninë e Ajola Xoxës.

Si person fizik, Ines Dani nuk duhet të priste që faturimet t’i bëheshin nga dikush tjetër, por të gjeneronte të ardhurat falë aktivitetit të saj.

Por sipas komunikimeve të zbardhura në këtë vendim Ines Dani është thjesht “masha” e Ajola Xoxës për të injektuar para.

KOMUNIKIMET DHE DETAJET
Ines Dani i kërkon Adelës më datë 20.05.2019: Unë kam nevojë patjetër për një faturim. Sepse jam sh keq me deklarimin e të ardhurave. Me dalin shumë shpenzime dhe asnjë e ardhur. Kam kredinë, kartat e kreditit dhe sigurisht ushqehem ndërkohë. Nuk po i justifikoj dot. TË LUTEM THUAJI AJOLËS. Do t'i them edhe unë por ti mbase ke kontakt më shpejt për gjëra të tilla.

Adela Kondakçiu: Ok, të flas kur të takohem me të. Sepse, nuk është se keni fatura për të bërë sipas dijenisë time.

Ines Dani: Nuk di c'të them. Unë jam në një situatë të vështirë. SE MUA PO MË DEL ASHIQARE FSHEHJE TË ARDHURASH...kur unë i kam këto të ardhura. Kam shumë merak. Se mbi të gjithë, vë në rrezik bashkëshortin tim që është në punë shteti.

Adela Kondakçiu: Të them të drejtën se kam idenë. Ju duhet t'i kishit diskutuar para hapjes së NIPT it këto, Gjithsesi nëse duhet mbase mund të gjejmë një zgjidhje. Të flas me Ajolen.

Ines Dani: Po pra, por u mendua që do faturohej më shumë nga unë. Pra, unë do kisha të ardhura. Jo kshu. Hapje NIPT i dhe asnjë faturim.  Kjo është lemeri. Ne e kemi folur bashkë sa do ishte mesatarisht xhiroja dhe të ardhurat. Kanë kaluar 5 muaj dhe asgjë. Sa herë kemi nevojë të flasim??? KUPTOHET QË KJO S'TË TAKON TY. PO FLAS PËR ZYRËN.

Adela Kondakçiu: Ne kemi folur bashkë për xhiro minimale maksimale. Jo për vlera faturimesh me sa mbaj mend. GJITHSESI TË FLAS ME AJOLËN SE FATURIMET I CAKTON AJO.

Ines Dani: Kemi folur sa mund të shkojë NIPT i im. Unë për këtë të kam pyetur se kjo më ka interesuar që të dija ca do ndodhte me shpenzimet e mia.

Adela Kondakçiu: Po pra. Sa mund të shkojë limiti. SIPAS INTERESIT TË ZYRËS. Ines Dani i përgjigjet: Ok, por të lutem sa më shpejt. Se po filluan të më kërkojnë shpenzime, vari lesht pastaj. POR SE SA FATUROHET realisht e PËRCAKTON DIKUSHI TJETËR.

Ines Dani: Po pra. Por jo Zero. E kam ZERO fare. Kupton? NUK MË THA NJERI QË DO RRINTE ZERO FARE. Adela Kondakçiu: DO TA DISKUTOJME ME AJOLEN SE NUK VENDOS UNË.

Ines Dani: Edhe unë do e flas. Por të lutem fole edhe ti. Më mirëkupto. UNË E DI KUSH E VENDOS. Por si financierja e zyrës po ta parashtroj edhe ty që të flasësh për këtë situatë.

Adela Kondakçiu: Sapo të kem mundësi do flas me të.

Në faqen 112 evidentohet sërish prodhimi i faturave në emër të shtetases Ines Dani, për shërbime që nuk rezultojnë të jenë kryer nga kjo e fundit, dhe për të cilat duket qartë se nuk asnjë dijeni. Jo vetëm kaq, subjektet tregtarë që kërkojnë shërbimin, pra ata që paguajnë të hollat, në këtë rast rezultojnë të lidhur ngushtë me interesa financiarë më bashkinë Tiranë.

Konkretisht, në faqen 112 shtetësja Adela Kondakçiu njofton shtetësen Ines Dani: Kam bërë edhe një faturë tjetër nga ty sot.

Pra, Ines Dani nuk ka asnjë ide për shërbimin që ka ofruar, subjektit të cilit ja ka ofruar dhe sigurisht për faturën që është lëshuar. Kjo, sepse personi i parë që pëmend këtë faturë dhe e njofton për lëshimin e saj është Adela Kondakçiu, pa ju kërkuar në asnjë moment kjo gjë nga shtetësja Ines Dani.

Në vijim, në faqen 113 Adela i dërgon Ines Dani me foto një faturë tatimore shitje.

Konkretisht bëhet fjalë për faturën nr. 15 datë 26.11.2020, lëshuar nga personi fizik Ines Dani, në cilësinë e shitësit të shërbimit, për subjektin tregtar "FUSHA" shpk, në cilësinë e blerësit të shërbimit.

Nga fatura rezulton se Ines Dani ka faturuar "FUSHA" shpk për shërbime konsulencë ligjore në vlerën 9.000 euro +TVSH, gjithsej 10.800 euro, që me kursin e kohës 1 curo-123 lekë, llogaritet në vlerën rreth 1.328.400 lekë (me TVSH).

Ines Dani pasi njihet me faturën i thotë Adelës vetëm: ok.

Por në këtë pikë, gjithnjë në faqen 113, Ines Dani kujtohet të kërkojë diçka që paraqet shumë interes për hetimin, përsa kohë provon xhirimin e parave për faturime fiktive nga subjekte tregtarë të lidhur me bashkinë Tiranë në llogarinë e saj si person fizik, dhe përsa kohë nga ana tjetër, shfaq mekanizmin e kalimit të këtyre përfitimeve të paligjshme nëpër llogaritë bankare deri në mbylljen e plotë të ciklit të destinacionit të të hollave, duke nxjerrë në pah mjaft qartë se në favor të kujt përfundojnë ato.

Konkretisht, Ines Dani pasi njihet me faturën i thotë Adelës: Na bëj një tabelë për hyrjet dhe daljet nga llogaria ime, që të di sa janë të miat dhe sa jo. 

Adela Kondakçiu i përgjigjet : Po do ta bëj. Ines kjo ka qenë gjëndja deri në fund të tetorit me tërheqjet, nëse ke tërhequr në nëntor duhet zbritur nga vlera e mbetur dmth kjo vlera 357.219 lekë.

Nga tabela e derguar tek shtetësja Ines Dani rezulton se totali në llogarinë e shtetases Ines Dani është 965,149 lekë, të cilat përbëhen nga gjendja ekzistuese e llogarisë, pagat e Inesit (maj-nëntor) (ndërkohë që është përson fizik).

Tërheqjet e bëra nga Inesi, në muajt Qershor-Tetor, sipas tabelës janë 607.930 lekë dhe pjesa e mbetur për t'u terhequr është 357.219 lekë.

Për të sqaruar paqartësitë e organit procedues në lidhje me këtë tabelë, dhe në thelb me përgjigjen e pyetjes se sa realisht përfiton shtetësja Ines Dani nga puna e saj si avokate e licensuar si person fizik, ka menduar vetë kjo shtetase në komunikimet e faqes 117.

Ines Dani pasi njihet me tabelën pyet Adela Kondakçiun: 357 janë të miat?

Adela Kondakçiu i përgjigjet: Po.

Por, shtetësja Ines Dani pas saktësimit se sa para ishin të saj dhe sa jo, i drejtohet Adelës duke i thënë: ADELA, DO E FLAS EDHE ME AJOLEN, POR PARAPRAKISHT, NËSE DO JU DUHET TË TËRHIONI LEKË NGA LLOGARIA PF (PERSON FIZIK) IME, MË THUAJ MUA MË PËRPARA QË TË TI JAP UNË DHE MOS TI TËRHEQESH TI NGA LLOGARIA. (KONFIDENCIALE KJO ).

Pra, më se pari është e qartë se në llogarinë e personit fizik Ines Dani nuk është vetëm titullari i saj që disponon, por edhe Ajola Xoxa. Jo vetëm kaq, por ky komunikim provon faktin që të ardhurat e gjeneruara de jure nga personi fizik Ines Dani, në një mënyrë ose një tjetër, në rastin konkret nëpërmjet tërheqjeve në llogari, merren nga shtetësja Ajola Xoxa.

Në lidhje me këtë kërkesë, Adela Kondakçiu i thotë Ines Dani se këtë radhë pagesa, siç i kishte thënë Ajola, do të kalohej ndryshe.

Konkretisht: Në faqen 134, në përgjigje të kërkesës së Ines Dani për të mos bërë tërheqje nga llogaria e saj si person fizik, Adela Kondakçiu i thotë: PAGESA ME KA THËNË AJOLA QË DO KALOJË ME TRANSFERTË TË HARABEL NË FAKT. Sa është thënë në këtë komunikim provohet me xhirimet bankare të evidentuar në statement e llogarisë së OJF "Harabel".

Pra, në rastin konkret, sipas udhëzimeve të Ajola Xoxes lekët nuk do të merren direkt nga llogaria e personit fizik Ines Dani, në formë CASH, por do të kalohen me transfertë bankare në një OJF të kontrolluar plotësisht nga shtetësja Ajola Xoxa. Një gjë e tillë në fakt edhe ka ndodhur dhe është e njëjtë me mekanizmin e përdorur edhe nga personi tjetër fizik që ushtron aktivitetin e avokatisë në zyrat e "Partners Lae", shtetësja Greta Domi.

Ines Dani ka vetëm një përgjigje: Ok

Adela Kondakçiu vijon diskutim në lidhje me këtë ide të Ajolës, duke i thënë Ines Danit: INES MUND TË KALOJMË 4.000 EURO PLUS TVSH TE HARABEL KËTË DHE PJESËN TJETËR VITIN TJETËR.

Thënë ndryshe, shuma e të hollave që në rastin konkret kalohet nga "FUSHA" shpk tek personi fizik Ines Dani, për shërbime konsulence ligjore, me urdhër të Ajola Xoxes kalohet më pas pjesërisht tek organizata "Harabel".

Në përfundim organi procedues ka arritur në përfundimin se mekanizmi që përmendet në komunikimet e bëra mes financieres Adela Kondakçiu dhe avokates Ines Dani e regjistruar si person fizik për tërheqjen e parave cash dhe me transfertat në OJF-të e Ajola Xoxës të kontrolluara vetë nga Ajola, të bëra nga subjekte që kanë përfituar nga Bashkia e Tiranës, dëshmon rrugën e ndjekur për pastrimin dhe injektimin në sistemin bankar të përfitimeve të paligjshme të siguruara nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, Ajola Xoxa./ CNA

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Po ndodh...