
Përplasja me armë zjarri në Bushat! GJKKO lë në burg Samuel Troshanin dhe Izmir Sakicën

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Samuel Troshani dhe Izmir Sakica, të cilët akuzohen për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në gusht të vitit 2024 në fshatin Rranxë të Bushatit.
Ata janë përfshirë në një përplasje me armë zjarri me grupin e Aleksandër Prendit, i cili ndodhet ende në kërkim.
Prokuroria e Posaçme, e cila po heton këtë ngjarje, ka dhënë informacion zyrtar për një operacion të forcave RENEA në Shkodër, i cili u realizua një ditë më parë.
Hetimet kanë zbuluar se Troshani, Sakica dhe disa persona të tjerë ende të paidentifikuar janë pjesë e një grupi kriminal të strukturuar, të cilët kishin planifikuar vrasjen e rivalit të tyre, Aleksandër Prendi, dhe të familjarëve të tij. Ata ishin të armatosur dhe përdornin makina të blinduara për të realizuar krimin.
Ngjarja ka ndodhur më 23 gusht 2024, kur grupi arriti në fshatin ku jeton Prendi. “Shënjestra”, i cili kishte dyshime për një sulm, ka reaguar duke qëlluar me armë, duke shpërndarë grupin dhe duke parandaluar krimin.
Pas këtij incidenti, Prokuroria ka shpallur Prendin në kërkim për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.
Ndërkohë, Troshani dhe Sakica u vetëdorëzuan në polici më 22 janar 2025 për një incident tjetër në Shkodër, dhe më 18 shkurt 2025, pas hetimeve të tjera, u ekzekutuan masat e sigurisë për ta.
Pjesëtarët e tjerë të grupit, si Franko Leka dhe Aleksandër Prendi, janë shpallur në kërkim dhe po hetohen për veprën penale të formimit të një grupi të strukturuar kriminal.
Një mjet “Audi A8” i blinduar, që mori plumba gjatë përplasjes, u gjet në vendngjarje, por ishte i paregjistruar dhe kishte targa të huaja, të cilat nuk përputheshin me mjetin.
Po ashtu, autoritetet kanë kryer kontrolle në disa banesa dhe ambiente në Shkodër, duke kërkuar prova që mund të lidhen me këtë ngjarje dhe të tjera hetime kriminale, përfshirë masakrën e ndodhur në tetor 2024 në Dobraç.

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128