U “kryqëzua” për videon erotike, reagon për herë të parë Karamuço: Dora e fshehtë e krimit po më vë në pozitë

2 Tetor 2023, 22:29 / AKTUALITET ALFA PRESS

U “kryqëzua” për videon erotike, reagon për herë

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka reaguar për herë të parë pas kritikave në drejtim të tij, pasi zbuloi se në telefonat e gazetarëve dhe personazheve të tjerë qarkullonte një video erotike e një prej femrave më të njohura të “showbizit” shqiptar.

Menjëherë pas deklaratës së Karamuços, në rrjetet sociale u aludua se bëhej fjalë për një video të moderatores së njohur Luana Vjollca. Madje disa shkuan më tej duke aluduar se video kishte dalë nga telefoni i Ervis Martinajt, që ndodhet i sekuestruar në SPAK.

Reagimet nga komuniteti i gazetarëve dhe jo vetëm, ishin të menjëhershme dhe në disa raste edhe kritike ndaj kolegut të tyre Karamuço. U tha se video s’ka dalë nga SPAK, aq më tepër nga telefoni i Martinajt. Madje u tha edhe se video nuk është fare autentike por një montazh.

Lidhur me të gjithë këtë situatë kontroverse, ka reaguar vetë Karamuço. Në emisionin “Top Story” me moderatorin Grida Duma, eksperti i sigurisë e adresoi këtë temë, duke thënë se rrëmuja pas deklaratës së tij është krijuar nga “dora e fshehtë e krimit të organizuar” që mundohet ta vendosë atë në pozitë të vështirë.

Karamuço tha se teksa ka zbuluar detajin për videon që qarkullon, nuk ka përmendur as emër personazhi, e as telefonin apo burimin nga ka rrjedhur video. Spekulimi sipas tij është bërë nga ata që duan të zhvendosin vëmendjen.

Sipas tij, heqja e vëmendjes tentohet për shkak se do të dalin përgjime të tjera të aplikacionit “SKY”, që do të implikojnë personazhe edhe më të njohur, të përfshirë me botën e krimit.

“Po vjen Metamorfoza 2, prandaj po goditemi ne. Dhe përmbajtja e personazheve në Metamorfoza 2 do jetë edhe më e frikshme. Në Shqipëri ka një dorë të madhe të fshehtë, e përbërë nga anëtarë të krimit të organizuar. Që kur ne flasim për “SKY” ata duan që të zhvendosin vëmendjen. Kur unë flas për këtë fenomen, pa përmendur as emra, as lidhje, kjo dorë e fshehtë inskenon diçka duke më vënë në pozitë të vështirë mua.

Ju montojnë video dhe thonë ja, ky është ai që nuk është më i besueshëm. Është ai që vërtet gënjen, mashtron. Denigrojnë figura që flasin. Nuk duhet absolutisht që ne të merremi me gjëra të vogla që nuk i përkasin kësaj vëmendjej. Kjo dorë e fshehtë e ka më të lehtë të nxjerrë gjëra për konsum me të vegjlit, dhe e ka shumë më të vështirë me gjykatësit e prokurorët. Është keqpërdorur dhe unë e drejtoj gishtin te kjo dora e fshehtë e krimit të organizuar”, tha ndër të tjera Karamuço.

 

Po ndodh...