Tragjedia në Koçan, BDI letër OSBE-së në Shkup: Kryeministri ka marrë rolin e gjykatësit, po thellon ndarjen shoqërore

18 Mars 2025, 13:18 / BOTA ALFA PRESS
Tragjedia në Koçan, BDI letër OSBE-së në Shkup:

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i ka dërguar një letër OSBE-së në Shkup për tragjedinë e Koçanit, ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 155 të tjerë.

Në letër thuhet se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka marrë rolin e gjykatësit.

Më tej ai BDI thotë se më shqetësuese është përpjekja për të futur dimensione etnike dhe politike në këtë tragjedi, duke thelluar më tej ndarjet shoqërore në një moment kur duhet të mbizotërojë uniteti dhe përgjegjësia.

Letra:

Ju drejtohemi sot pas ngjarjeve tragjike që kanë tronditur Koçanin dhe kanë prekur thellë shoqërinë tonë. Në një kohë kur vendi duhet të jetë i bashkuar në zi dhe i përqendruar në zbutjen e pasojave të kësaj fatkeqësie, po dëshmojmë përpjekje shqetësuese për të politizuar procesin, për të minuar pavarësinë e institucioneve dhe për të shtrembëruar kërkimin e drejtësisë.

Për fat të keq, në vend që t’i lihet organeve kompetente zhvillimi i një hetimi të paanshëm dhe të pavarur, Kryeministri ka marrë rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjykatësit. Duke nxituar të bëjë deklarata publike përfundimtare përpara çdo hetimi të pavarur, ai po krijon një atmosferë ku organet gjyqësore dhe prokuroriale mund të ndihen të detyruara të përshtaten me një narrativë të paracaktuar. Edhe më shqetësuese është përpjekja për të futur dimensione etnike dhe politike në këtë tragjedi, duke thelluar më tej ndarjet shoqërore në një moment kur duhet të mbizotërojë uniteti dhe përgjegjësia.

Duke marrë parasysh këto zhvillime, ju bëjmë thirrje juve dhe misioneve tuaja për të ndjekur nga afër këtë proces, duke siguruar që ai të mbetet transparent, i besueshëm dhe i lirë nga ndikimet e pajustifikuara politike. Prania dhe angazhimi juaj nuk do të ofronte vetëm mbikëqyrje të nevojshme, por gjithashtu do të ndihmonte në rikthimin e besimit tek integriteti i institucioneve që kanë për detyrë të sigurojnë drejtësi.

Pa një angazhim të tillë, ekziston rreziku i real që ky proces të politizohet dhe etnizohet aq shumë sa që jo vetëm që drejtësia të komprometohet, por edhe vetë vendi të drejtohet në një rrugë të rrezikshme. Ne besojmë fuqimisht se vëmendja dhe përfshirja ndërkombëtare mund të ndihmojnë në mbrojtjen e parimeve të drejtësisë dhe llogaridhënies, duke parandaluar çdo përkeqësim të mëtejshëm të situatës.

Ne kemi besim në përkushtimin tuaj ndaj vlerave demokratike dhe integritetit institucional dhe presim mbështetjen tuaj për të garantuar që drejtësia të vihet në vend paanshmërisht dhe pa presione të jashtme.

Bashkimi Demokratik për Integrim

Po ndodh...