Bushati shpërthen ndaj 'Territoriales': Nuk është kërkesë e BE-së!
Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka reaguar publikisht lidhur me propozimin për një ndarje të re territoriale dhe administrative në Shqipëri, duke hedhur poshtë pretendimet se kjo reformë është një kërkesë e Bashkimit Europian.
Në një analizë të detajuar, Bushati thekson se nuk ekziston asnjë kërkesë nga BE-ja që lidhet me numrin apo madhësinë e bashkive, duke e cilësuar këtë si një çështje të brendshme të vendit. Sipas tij, ajo që kërkon realisht Bashkimi Europian është forcimi i demokracisë vendore, rritja e kapaciteteve institucionale dhe garantimi i burimeve financiare për njësitë vendore.
Ai kritikon mënyrën se si po trajtohet aktualisht reforma, duke theksuar se debati është zhvendosur te numri i bashkive dhe jo te problemet reale të qeverisjes vendore. Bushati nënvizon se një reformë e vërtetë duhet të fokusohet te pjesëmarrja qytetare dhe cilësia e vendimmarrjes në nivel lokal.
Duke iu referuar ndarjes territoriale të vitit 2015, ai vëren se megjithëse bashkitë u zgjeruan në territor, kompetencat e tyre janë reduktuar ndjeshëm. Kjo, sipas tij, ka sjellë dobësim të raportit mes qendrës dhe periferisë, si dhe braktisje të disa zonave të vendit. Ai thekson se lidhja mes bashkive dhe komuniteteve është zbehur, ndërsa vendimmarrjet për çështje të rëndësishme merren kryesisht nga qeveria qendrore.
Sipas Bushatit, sot pushteti vendor në Shqipëri funksionon më shumë si një zgjatim i qeverisë, sesa si një institucion përfaqësues i qytetarëve. Ai argumenton se sfida kryesore nuk është numri i bashkive, por transferimi real i pushtetit dhe burimeve financiare nga qendra drejt njësive vendore.
Një tjetër problem i evidentuar prej tij është niveli i ulët i shpenzimeve publike që administrohen nga pushteti vendor, krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Ai paralajmëron se pa burime financiare dhe kompetenca të plota, nuk mund të pritet funksionim efektiv i bashkive.
Bushati kërkon gjithashtu një rishikim të modelit të zhvillimit rajonal në Shqipëri, duke theksuar se përqendrimi i popullsisë dhe aktivitetit ekonomik në Tiranë ka krijuar pabarazi të theksuara me zonat e tjera të vendit. Sipas tij, këto zona mbeten të varura nga turizmi sezonal dhe nuk kanë mundësi të ndërtojnë ekonomi të qëndrueshme.
Ai ngre pikëpyetje edhe mbi kriteret e përdorura për riorganizimin territorial, duke kërkuar transparencë mbi arsyet pse disa bashki propozohet të shkrihen, ndërsa të tjera mbeten të pandryshuara.
Në qëndrimin e tij, Bushati thekson se bashkia nuk është vetëm një njësi administrative, por një përfaqësim i identitetit historik, kulturor dhe social të komunitetit. Ai paralajmëron se mungesa e konsultimit real me qytetarët rrezikon të krijojë pakënaqësi dhe të perceptohet si një reformë e imponuar.
Në fund, ai apelon për një qasje të re në qeverisje, që synon decentralizimin e pushtetit dhe fuqizimin e komuniteteve lokale. Sipas tij, vendimmarrja duhet të jetë më pranë qytetarëve dhe instrumente si referendumi duhet të konsiderohen për çështje me ndikim të gjerë.
“Shqipëria ka nevojë për një reformë të vërtetë që transferon pushtetin nga qendra në periferi dhe ndërton një model të qëndrueshëm të zhvillimit vendor dhe rajonal”, përfundon Bushati.
Shkrimi i plotë:
“KUFIRI” I SHQIPËRISË SË RE
Në Shqipëri është bërë zakon që çdo masë të paketohet si reformë, e madje të thuhet se ‘është kërkesë nga BE-ja’. Edhe propozimi për ndarjen e re territoriale e administrative, nuk i shpëtoi hileve të politikës së vjetër, ku vëmendjen po e merr numri i bashkive, duke i bishtnuar thelbit të problemit.
Një reformë e vërtetë duhet të hapë një debat mbi çështjet themelore të qeverisjes vendore, që janë çështje të demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje.
Pas ndarjes territoriale të 2015 bashkitë u bënë më të mëdha, por kompetencat u rrudhën. Raporti qendër-periferi u shpërfill. Kjo solli edhe braktisjen e zonave të caktuara të vendit. Raporti i bashkive me komunitetin u zbeh. Tirana dhe bashkitë në vijën e bregdetare tregojnë sesi asetet më të çmuara dorëzohen nga lart tek një grusht njerëzish, ndërsa qytetarët ‘informohen’ kur vendosen gardhet dhe mbërrijnë betonierat.
Planifikimi urban, administrimi i ujësjellës-kanalizimeve, mbetjeve, plazheve, zonave të mbrojtura apo funksioneve të tjera, ushtrohen kryesisht nga lart. Kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë trajtohen si zgjatim i qeverisë dhe jo si të zgjedhur të popullit. Sfida nuk është numri i bashkive, por kalimi i pushtetit nga zyra e kryeministrit drejt të zgjedhurve vendorë. Shpenzimet publike që administrohen nga pushteti vendor në Shqipëri, si përqindje e totalit të financave publike, mbeten dukshëm më të ulëta se mesatarja e vendeve të BE-së. Pa burime financiare dhe pa kompetenca, nuk mund të gjykohet efektiviteti i një bashkie. Para se të ndryshohen kufijtë administrativë, duhet të rishikohet modeli i financimit të pushtetit vendor.
Shqipëria ka nevojë për një politikë të zhvillimit vendor dhe rajonal. Pjesa më e madhe e popullsisë dhe aktivitetit ekonomik përqendrohet në Tiranë dhe përreth saj. Zonat e tjera, në rastin më të mirë, përfitojnë nga turizmi sezonal, por nuk arrijnë të krijojnë ekonomi të qëndrueshme dhe shërbime publike që u japin qytetarëve mundësinë të ndërtojnë jetën në zonën e tyre. Çdo reformë mbështetet mbi disa kritere. Cilat kritere janë përdorur për shkrirjen e disa bashkive, ndërsa të tjera me karakteristika të ngjashme mbeten të pandryshuara? Një reformë me ndikim kaq të madh te njerëzit duhet të jetë shtetkonsoliduese dhe me mirëkuptim të gjerë politik e shoqëror.
Përpara se të ndërmerret një tjetër riorganizim, duhet të tregohet qartë se përfitimet afatgjata tejkalojnë kostot dhe se problemet ekzistuese nuk mund të zgjidhen përmes reformimit të kompetencave, financimit dhe organizimit institucional pa ndryshuar kufijtë administrativë.
Bashkia nuk është vetëm një njësi administrative. Ajo përfaqëson identitet historik, kulturor dhe social. Nëse komunitetet nuk konsultohen realisht por veç formalisht, siç tregojnë reagimet dhe protestat në disa zona të vendit, qytetarët do të ndihen të anashkaluar dhe do ta perceptojnë reformën si të imponuar nga lart.
Mënyra sesi do të veprohet më tej me ndarjen territoriale do të përcaktojë edhe “kufirin” e Shqipërisë së re. Pasi do të tregojë nëse politika ka nxjerr mësim nga protestat e muajve të fundit, të cilat kanë të bëjnë me atë se kush e si merren vendimet në emër të popullit. Një nga vendimet e para të kryeministrit të sapozgjedhur britanik ishte kalimi i pushtetit nga qeveria në drejtim të bashkive. A është ky një mësim për ne shqiptarët? A është praktika e labursitëve një udhërrëfyes edhe për socialistët shqiptarë?
Shqipëria ngjan me një njësi administrative ku pushteti është i përqendruar te zyra e kryeministrit. Çdo politike e re, duhet të jetë e kundërt me përqendrimin e pushtetit. Duhet të synojë komunitetet. Shqiptarët duhen dëgjuar për mënyrën sesi e shohin të ardhmen aty ku jetojnë dhe të vendosin për të. Referendumi duhet të konsiderohet për ndryshime me ndikim të tillë. Demokracia vendore duhet të jetë një shtyllë e rëndësishme e Shqipërisë së re. Shqipëria ka nevojë për një reformë të vërtetë që kalon pushtetin nga lart poshtë, nga qendra në periferi, për të ndërtuar një politikë të zhvillimit vendor dhe rajonal. Vetëm kështu shqiptarët do ndjehen të kuptuar, të parë, të respektuar anekënd Shqipërisë.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128