Chelsea përgatit “spastrimin” e madh, Xabi Alonso largon 12 yje nga stërvitjet e ekipit të parë

20 August 2026, 16:00 / SPORT ALFA PRESS
Chelsea përgatit “spastrimin” e madh, Xabi Alonso largon 12 yje

Chelsea ka deri në 12 lojtarë që po stërviten veçmas nga grupi i parë, ndërsa Xabi Alonso po synon të largojë disa prej lojtarëve që nuk bëjnë pjesë në planet e tij, përpara mbylljes së afatit kalimtar më 1 shtator.

“Blutë” do ta mbyllin javën e parë të Ligës Premier me përballjen ndaj Fulhamit të hënën në mbrëmje, me synimin për ta nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Alonso dëshiron një start të fuqishëm në aventurën e tij si trajner i Chelseat, pasi gjatë kësaj vere klubi ka realizuar nëntë transferime për ekipin e parë. Mes tyre spikat afrimi rekord britanik prej rreth 136 milionë eurosh i Morgan Rogers nga Aston Villa, si dhe transferimi prej rreth 60.5 milionë eurosh i mbrojtësit të Crystal Palace, Maxence Lacroix.

Duke ardhur në klub me një rol më të gjerë se ai i një trajneri tradicional, Alonso është lejuar të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e transferimeve, veçanërisht duke afruar lojtarë që përshtaten me sistemin e tij 3-4-2-1.

Ish-trajneri i Real Madridit është fokusuar veçanërisht në rritjen e cilësisë dhe alternativave në pozicionet e mbrojtësve të krahut, me transferimet e Pep Chavarria dhe Marco Palestrës nga Rayo Vallecano dhe Atalanta.

Alonso ka aprovuar gjithashtu katër largime të përhershme nga “Stamford Bridge”, me Trevoh Chalobah, Marc Cucurella, Andrey Santos dhe Tyrique George që janë larguar gjatë kësaj vere.

Pavarësisht këtyre largimeve, 44-vjeçari ende ka një skuadër të tejmbushur, me më shumë se 40 lojtarë të ekipit të parë nën kontratë. Për këtë arsye, Chelsea dëshiron ta reduktojë ndjeshëm numrin e lojtarëve para 1 shtatorit dhe Alonso tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e tij për disa prej tyre.

Sipas The Telegraph, deri në 12 lojtarë po stërviten veçmas nga ekipi i parë, duke formuar një grup të dytë në qendrën stërvitore Cobham.

Nicolas Jackson, Liam Delap, Axel Disasi dhe Tosin Adarabioyo janë ndër lojtarët që mund të largohen nga klubi londinez para mbylljes së afatit kalimtar.

Jackson është lidhur fuqishëm me një transferim te Aston Villa, ku mund të ribashkohej me trajnerin Unai Emery. Ndërkohë, Delapit i është bërë e ditur se mund të largohet, por kërkesa prej rreth 46.7 milionë eurosh po rezulton pengesë për klubet e interesuara.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur Chelsea e ka përdorur grupin e dytë si një lloj “bomb squad” për lojtarët që dëshironte t’i shiste, këtë herë klubi po e shfrytëzon atë edhe për t’u dhënë mundësi lojtarëve si Danny Welbeck dhe Jordan Henderson të punojnë në përmirësimin e gjendjes së tyre fizike.

Ndërkohë, Malo Gusto, Pedro Neto dhe Enzo Fernandez po stërviten me grupin kryesor të Alonsos në prag të udhëtimit drejt “Craven Cottage”, pavarësisht se edhe e ardhmja e tyre mund të jetë larg “Stamford Bridge”.

Po ndodh...