“Nuk dija të notoja”, shqiptarja tregon momentet e tmerrit pasi burri e hodhi në kanal me makinë, arrestohet 46-vjeçari në Itali

20 August 2026, 16:11 / BOTA ALFA PRESS
“Nuk dija të notoja”, shqiptarja tregon momentet e tmerrit pasi

Një debat mes një çifti shqiptarësh në Katolika të Riminit ka përfunduar me arrestimin e një 46-vjeçari, i cili dyshohet se tentoi të vriste bashkëshorten e tij duke e hedhur makinën në ujërat e kanalit të portit.

Ismail Picari, baba i dy fëmijëve, ndodhej në automjet së bashku me bashkëshorten 40-vjeçare kur makina përfundoi në ujë pasditen e 19 gushtit. Dy persona që panë skenën u hodhën menjëherë në kanal dhe ndihmuan gruan të shpëtonte, shkruajnë mediat italiane. 

Sipas hetimeve, gruaja arriti të hapte bagazhin e makinës që po fundosej, pasi e goditi vazhdimisht mekanizmin. Ajo nuk dinte të notonte dhe u nxor nga uji nga personat që ndërhynë për ta shpëtuar. Ndërkohë, bashkëshorti i saj dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria italiane po e heton ngjarjen si tentativë vrasjeje . Gruaja ka dëshmuar se, pasi automjeti ra në ujë, bashkëshorti e kishte kapur nga qafa.

“Në ujë ndjeva duart e tij në qafë”, ka rrëfyer 40-vjeçarja para hetuesve.

Dyshimet janë shtuar edhe për shkak të historisë së mëparshme të dhunës në çift. Vetëm dy ditë para ngjarjes, më 17 gusht, Picari ishte arrestuar pas dyshimeve se kishte dhunuar bashkëshorten në banesë. Sipas dëshmive të mbledhura nga karabinierët, gjatë shoqërimit ai e kishte kërcënuar gruan se do ta vriste sapo të lirohej.

Pas lirimit, sipas hetuesve, ai e kishte sulmuar sërish.

Në ditën e ngjarjes, çifti kishte shkuar drejt portit pasi 46-vjeçari i kishte kërkuar bashkëshortes ta shoqëronte në bankë për të ndarë llogaritë e përbashkëta. Mes tyre kishte nisur një debat, i cili dyshohet se përfundoi me makinën që u drejtua drejt kanalit.

Në hetim është marrë edhe vajza e çiftit, e cila ka treguar se babai kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së saj prej kohësh. Pas ngjarjes, ajo ishte nisur drejt portit pasi kishte lokalizuar automjetin dhe kishte gjetur të ëmën nën kujdesin e ekipeve të emergjencës.

Pas disa orësh në arrati, Picari u lokalizua nga autoritetet dhe u arrestua. Ai ndodhet në burg, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe motivet e ngjarjes.

 

Po ndodh...