Ilir Shtufi hap “Kutinë e Pandorës”, si lulëzuan me Ramën biznesmenët e lidhur me familjen Berisha
Përplasja e fundit e Ilir Shtufit me Edi Ramën hap një debat më të gjerë: si biznesmenë të njohur për lidhjet me familjen Berisha kanë vijuar të marrin leje dhe projekte të mëdha edhe gjatë qeverisjes socialiste. Nga Fatmir Bektashi te Shkëlqim Beshiri, interesat e biznesit duket se kanë kapërcyer prej kohësh vijën ndarëse mes mazhorancës dhe opozitës.
Ilir Shtufi mund të jetë rasti që tregon më qartë se lufta politike mes Edi Ramës dhe Sali Berishës nuk ka penguar që njerëz të biznesit pranë familjes Berisha të lulëzojnë ekonomikisht gjatë qeverisjes socialiste.
Shtufi është sot nën akuzë nga SPAK për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. Kompanitë e tij dyshohet se janë përdorur për të integruar në ndërtim para që vinin nga droga. Në të njëjtën kohë, lidhja e tij me familjen Berisha nuk ka qenë sekret: Shkëlzen Berisha jeton me qira në një vilë të Shtufit në “Rolling Hills”.
Por Shtufi nuk ishte një biznesmen i përjashtuar nga sistemi i lejeve dhe investimeve të qeverisë Rama. Përkundrazi, gjatë viteve të qeverisjes socialiste, kompanitë e tij u përfshinë në disa prej projekteve më të mëdha të ndërtimit në Tiranë dhe në bregdet.
Dhe pikërisht kur marrëdhënia duket se është thyer, Shtufi ka ndryshuar edhe gjuhën.
I arrestuar në Greqi për llogari të drejtësisë shqiptare, ai ka pretenduar para autoriteteve greke se çështja ndaj tij ka prapavijë politike dhe ka drejtuar gishtin nga Edi Rama. Kjo përplasje ngre një pyetje që shkon përtej vetë Shtufit: çfarë ndodh kur prishet ekuilibri i interesave mes pushtetit dhe biznesmenëve që historikisht janë identifikuar me kampin kundërshtar?
Sepse Shtufi nuk është rast i izoluar.
Një tjetër emër është Fatmir Bektashi, biznesmeni i ndërtimit dhe ortaku i Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Sali Berishës. Lidhja e tyre nuk është vetëm produkt raportimesh mediatike. Bektashi dhe Malltezi kanë qenë ortakë në biznes dhe të dy janë marrë të pandehur nga SPAK në dosjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Megjithatë, kjo histori nuk e ka penguar Bektashin të vazhdojë zgjerimin në ndërtim gjatë qeverisjes Rama. Kompania e tij “Kontakt” ka përfituar leje për projekte të shumta, ndërsa vetëm në mars “Pamfleti” evidentoi 12 komplekse të lidhura me Bektashin dhe Malltezin, të zhvilluara me leje të dhëna gjatë kësaj qeverisjeje.
Pra, ndërsa Rama dhe Berisha përplasen çdo ditë publikisht, ortaku në biznes i dhëndrit të Berishës vazhdon të marrë leje nga institucionet e kontrolluara nga mazhoranca socialiste.
Pastaj vjen Shkëlqim Beshiri. Edhe emri i tij është lakuar prej vitesh në media për lidhje me Shkëlzen Berishën. Kompania “KLAR”, e lidhur me Beshirin, është përfshirë në projekte shumë të mëdha ndërtimi, përfshirë kompleksin e kullave në zonën e Bulevardit të Ri në Tiranë.
Por Beshiri shfaqet edhe në një tjetër projekt shumë më simbolik: transformimin e zonës së Pallatit të Kongreseve, ku konsorciumi fitues përfshin edhe “KLAR”. Projekti parashikon, krahas ndërhyrjes në kompleks, zhvillim të ri ndërtimor në një prej zonave më të shtrenjta të Tiranës.
Nuk mbetet pas as Bashkim Ulaj. Sa ishte Berisha në pushtet, ai përfitoi pa fund tenderë, leje e benefite. Dhe si shenjë dashamirësie i dhuroi Berishës zyrën që mban dhe sot te “Aba Center”. Por edhe sot, Bashkim Ulaj vijon të ‘lulëzojë’. Përveç rrugës Thumanë-Kashar, Ram e ka dendur me leje ndërtimi. Rasti më flagrant është në Rrjoll ku Rama madje e ka marrë dhe në mbrojtje biznesmenin.
Pra kemi një paradoks politik që përsëritet.
Fatmir Bektashi është ortak i dokumentuar i Jamarbër Malltezit, por biznesi i tij vazhdon të marrë leje gjatë qeverisjes Rama.
Shkëlqim Beshiri është raportuar vazhdimisht si biznesmen pranë Shkëlzen Berishës, por kompanitë e lidhura me të shfaqen në projekte strategjike ndërtimi të miratuara gjatë epokës Rama.
Ulaj njihet kudo si biznesmeni pranë Berishës, por prap merr koncesione e leje ndërtimi.
Ilir Shtufi, në vilën e të cilit Shkëlzen Berisha ka pranuar se jetonte me qira, ndërtoi dhe projektoi disa prej objekteve më të mëdha të Tiranës gjatë të njëjtës periudhë. Sot, pasi SPAK e ka futur në një prej dosjeve më të rënda të pastrimit të parave, Shtufi drejton akuzën politike pikërisht nga Rama.
Këtu lind edhe pikëpyetja politike.
A ka krijuar Edi Rama gjatë 13 viteve të pushtetit një sistem interesash ekonomike që ka afruar jo vetëm biznesmenët tradicionalisht pranë së majtës, por edhe një pjesë të rrethit ekonomik të familjes Berisha?
Nëse po, atëherë marrëdhënia pushtet-opozitë bëhet shumë më komplekse se përplasjet që shihen në Parlament dhe në ekranet televizive.
Sepse një gjë është retorika politike dhe një tjetër është harta e lejeve të ndërtimit, kullave, resorteve dhe investimeve.
Në këtë hartë, kufiri mes njerëzve të “Ramës” dhe njerëzve të “Berishës” bëhet shumë më i turbullt.
Dhe rasti Shtufi mund të tregojë edhe anën tjetër të këtij mekanizmi: për sa kohë interesat ecin, politika mbetet në sfond; kur ekuilibri prishet, nis lufta dhe dalin akuzat.
Shtufi sot thotë se Rama po e godet. Por përpara se të shpërthente kjo përplasje, bizneset dhe projektet e tij u zhvilluan për vite nën të njëjtën qeveri.
Kjo është arsyeja pse historia e tij nuk është vetëm një histori SPAK-u. Ajo është edhe një dritare për të parë marrëdhënien e padukshme mes pushtetit, opozitës dhe biznesit, ku betejat politike mund të jenë të egra në publik, ndërsa interesat ekonomike shpesh kanë ditur të gjejnë gjuhën e përbashkët. /Pamfleti
Po ndodh...
Pushteti i kotësisë! Protesta i prishi “magjinë” Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128